Ministrja Evis Kushi takon artistët e konkursit “Mësuesi i Sakrificës”: Sa shumë dashuri dhe mirënjohje për sakrificat e mësuesve tanë heronj

238
Sigal

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Evis Kushi organizoi një takim me nxënësit autorë të punimeve fituese për konkursin e pikturës “Mësuesi i Sakrificës” kanë përcjellë mjaft emocion jo vetëm tek mësuesit, por edhe tek publiku. Këto punime dëshmuan një dimension shumë të ndryshëm të dashurisë që kanë nxënësit për mësuesit.

“Shumë emocionues takimi me fituesit e konkursit digjital të pikturës ‘Mësuesi i Sakrificës’, artistë të talentuar që kanë zbukuruar Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë me pikturat e tyre. Ky konkurs ishte kaq i veçantë, sepse nxënësit shprehën aq shumë dashuri dhe mirënjohje në çdo punim të tyre për të gjitha sakrificat dhe punën e mësuesve tanë, heronjve të palodhur”,- shprehet ministrja Kushi në statusin e saj në Facebook.

Punimet e tyre, sipas ministres Kushi, dëshmojnë shpresën, sakrificën prindërore të mësuesve. “Edhe pse të vegjël, këta fëmijë e kanë kuptuar kaq mirë situatën e pandemisë, dhe na e kanë shprehur nga thellësia e zemrës dhe mendjes së tyre, duke përdorur talentin e tyre”,- nënvizon ministrja.

“Na keni emocionuar pafund jo vetëm neve, por të gjithë njerëzit që kanë parë punimet e tuaja. Jemi mahnitur tek kemi lexuar komentet poshtë punimeve tuaja të publikuara në Facebook. Konkursi i punimeve të nxënësve këtë herë ishte shumë ndryshe nga herët e tjera, më i veçantë e i bukur se asnjëherë tjetër”,- tha Znj. Kushi.