Ministrja Evis Kushi, bashkëbisedim me maturantë: “Vështirësitë gjatë pandemisë do të reflektohen në Maturën Shtetërore 2021”

65
Sigal

Ditën e sotme, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka zhvilluar në ambientet e MASR një bashkëbisedim me maturantë dhe mësues nga kryeqyteti rreth procesit të organizimit të sivjetëm të Maturës Shtetërore.

“Në bashkëbisedimin e zhvilluar sot me maturantë të ndryshëm nga kryeqyteti diskutuam rreth procesit të organizimit të Maturës Shtetërore 2021 dhe vështirësive që ka sjellë pandemia e COVID-19, mësimi ‘online’ dhe më pas ai i alternuar”,-​ shprehet Ministrja Kushi në publikimin e saj.

Në lidhje me vështirësitë e shkaktuara gjatë pandemisë COVID-19, Znj. Kushi ka nënvizuar gjithë ndjeshmërinë që MASR ka ndaj këtij shqetësimi, duke cilësuar se do të reflektohet edhe në procesin e hartimit, administrimit dhe vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore 2021.

Ndërsa në programin orientues të testeve të MSH përfshihen edhe tema, të cilat janë zhvilluar në kushtet e mësimit “online”, Ministrja Kushi nënvizon faktin se “Qendra e Shërbimeve Arsimore ka treguar shumë kujdes në vlerësimin e atyre aftësive që lidhen me njohuri dhe koncepte që nxënësit i kanë marrë në mënyrë të vijueshme ndër vite, duke shmangur temat që janë prekur për herë të parë gjatë momenteve kritike të pandemisë”, ndërsa në fund i uron shumë suksese të gjithë maturantëve në vend.