Ministrja Ekonomi: Zonat e Mbrojtura të shihen të lidhura me zhvillimin ekonomik

486
Sigal

Ministrja e Zhvillimit Ekonomik,
Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj Milva Ekonomi mori pjesë sot 
Forumin
Koordinues “Rrjeti i Zonave të Mbrojtura:  Modeli i ardhshëm i zhvillimit
të qëndrueshëm – hapat e mëtejshëm për një menaxhim më të mirë”, organizuar nga
Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura. Të pranishëm
ishin z. Lefter Koka, Ministri i Mjedisit, Edmond Panariti, Ministër i
Bujqësisë, Zj. Eglantina Gjermeni, Ministër i Zhvillimit Urban si dhe
përfaqësuesit më të lartë të organizatave partnere e donatore UNDP, Delegacioni
Evropian, GIZ etj.

Në këtë
takim u paraqitën arritjet e deritanishme në menaxhimin e zonave të mbrojtura.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të dhënat e vitit që po
mbyllet regjistrojnë trefishim të numrit të turistëve në Zonat e Mbrojtura, nga
400 mijë vizitorë në 2015, në mbi 1,56 milionë në 2016. Një tjetër
arritje gjatë këtij viti është realizimi për herë të parë me standarde i
inventarizimit të florës dhe faunës së egër në Shqipëri. Sipas Ministrisë së
Mjedisit, gjatë vitit 2016 janë investuar rreth 6 milionë euro (nga qeveria dhe
nga donator të huaj në vendin tonë) ndërsa vitin e ardhshëm do të vijojnë
investime dhe deri më tani janë parashikuar rreth 3 milionë euro.

Në forum
u prezantuan disa nga investimet e fundit, brenda zonave të mbrojtura, si dhe u
theksuan sfidat e së ardhmes brenda zonave të mbrojtura me qëllim trajtimin e
rrjetit të zonave të mbrojtura si një model i ardhshëm i zhvillimit të
qëndrueshëm.

Në këtë
forum Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se zonat e mbrojtura nuk
duhet të trajtohen thjesht si zona të rrethuara dhe të veçuara, por të shihen
në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik.

 

 

Më poshtë fjala e plotë e Ministres
Milva Ekonomi në këtë forum:

 

“Kam kënaqësinë të jem pjesë e një takimi të tillë,
bashkë me kolegët ministra, ku diskutohet për zonat e mbrojtura. Si Ministre e
zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, më takon të them dy
gjëra për këtë çështje: çfarë kemi menduar ne për përdorimin e zonave të
mbrojtura dhe se çfarë kemi menduar për zhvillimin e zonave të mbrojtura.

Në këtë këndvështrim, sot në Shqipëri funksionojnë dy
ligje të reja: ligji “Për turizmin” i vitit 2015 dhe ligji “Për investimet
strategjike”, i cili daton në vitin 2015, por është bërë i aplikueshëm që nga
janari i këtij viti. Dëshira jonë e madhe është që vazhdimisht të tregojmë
Shqipërinë autentike dhe bukuritë natyrore të vendit tonë. Gjatë vitit që po
lëmë pas, përdorimi i të gjithë parqeve natyrore në vendin tonë u rrit, kjo nga
dëshira për të parë se çfarë ofronte Shqipëria turistike. Numri i vizitorëve që
vizituan parqet kombëtare të vendit tonë për këtë vit ishte 3.3 herë më shumë
se sa në vitin e kaluar. Kështu që, është meritë e gjithë atyre që punojnë në
parqet e zonave të mbrojtura, të cilët kanë bërë të mundur mirëmbajtjen dhe
promovimin e këtyre zonave në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Këto parqe jo
vetëm që u vizituan nga vizitorë të huaj, por u vizituan dhe nga ata vendas,
një risi turistike  e këtij viti.

Në diskutimet tona
interministeriale kemi kuptuar që zona e mbrojtur nuk mund të jetë tabu, por ka
nevojë që përdorimi i saj të lidhet dhe të shihet në këndvështrimin e
zhvillimit ekonomik. Në fakt një zonë e tillë, në qoftë se lihet thjesht e
mbrojtur dhe rrethohet nga asgjëja, është një zonë që fillon dhe humb vlerat e
veta natyrore. Natyrisht që humbet dhe atë për çka përfaqëson në një territor
të caktuar. Kështu që, iniciativat që duhet të ndërmerren kërkojnë të
shkallëzojnë dhe mënyrën se si ne trajtojmë zonat e mbrojtura dhe çfarë synojmë
të arrijnë në këndvështrimin e zhvillimit ekonomik të këtyre zonave. Në
përgjithësi, zonat e mbrojtura, kur bëhet fjalë për investimet strategjike,
lidhen më shumë me ato investime që kanë në fokus turizmin. Dhe sa herë që ka
një iniciativë të këtij lloji, grupet ndër-ministeriale të punës operojnë me
njëri-tjetrin dhe siç e përmendi z. Koka, z. Panariti apo znj. Gjermeni, në
përgjithësi këto aksione janë të koordinuara dhe asnjëherë këto aksione nuk
ndodhin pa koordinim e një grupi teknikësh që e kuptojnë nga afër situatën e
një zone të mbrojtur. Ndaj dhe ligji i investimeve strategjike kërkon që
propozimet të kalojnë nga një dritare e vetme unike, që është AIDA, dhe po kjo
po bëhet një procedurë e zakonshme pune.

Unë besoj që iniciativat për ta parë në një këndvështrim
zhvillimor zonën e mbrojtur, si ta përmirësojmë dhe ta shndërrojmë atë në një
burim të zhvillimit ekonomik, janë iniciativa që i shërbejnë ardhmërisë së
vendit dhe natyrisht i shërbejnë dhe ardhmërisë së përmirësimit të
legjislacionit tonë, i cili duhet të shkojë në linjë me gjithë rekomandimet që
japin direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Europian. Unë besoj që kjo do të
jetë dhe drita juaj e të parit sot të zonave të mbrojtura dhe ndryshimeve që do
të sillni gjatë këtij seminari. Teksa po lexoja për një zonë të mbrojtur në
Shqipëri, vura re që datimi i parë i krijimit të konceptit të zonave të
mbrojtura në Shqipëri është viti 1940. Ky fakt tregon se Shqipëria ka histori
të gjatë të trajtimit me kujdes të zonës së mbrojtur prej shumë vitesh
eksperiencë tashmë. Suksese ne takimin e sotëm!”