Ministrja Ekonomi përuron Shtegun e Biçikletave në Belsh, investim i MZHETTS

424
Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Milva Ekonomi, mori pjesë sot në “Festivalin e Ushqimit në Liqenin Seferan, Belsh”, një event që synon të promovojë dhe të zhvillojë turizmin në këtë rajon me vlera të veçanta natyrore, por edhe me tradita kulturore dhe kulinarie.
Ministrja Ekonomi përuroi gjatë kësaj vizite ‘Shtegun e Biçikletave’, një investim të kryer me fondet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, bashkëpjesëmarrëse e një serie investimesh që po zhvillohen në Belsh përmes programit të njohur si Fondi i Investimeve dhe Financimit në Turizëm, me mbështetjen e USAID, Ambasadës Suedeze, Agjencisë së Zhvillimit të Rajoneve dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban.
Në këtë kuadër Ministrja Ekonomi mbajti një fjalë ku theksoi se ishte shumë e kënaqur që ky projekt tashmë ishte një realitet. Ajo u shpreh se zona të tilla mund të zhvillohen falë mbështetjes që duhet t’i jepet bujqësisë dhe turizmit, dhe kjo mbështetje mund të realizohet vetëm përmes projekteve konkrete, siç është dhe ky investim i MZHETTS. Përmes kësaj rruge me biçikleta jo vetëm krijohet mundësia të eksplorohet liqeni për turistët e aventurës, por kjo rrugë do të lidhë edhe disa punishte që përpunojnë vajin në këtë zonë, tha Ministrja.
“Duke patur një rrugë të re, ju do të keni mundësinë zhvilloni përqark dhe të të tjera biznese, sidomos ato që kanë të bëjnë me kulinarinë apo strukturat akomoduese” – u shpreh Ministrja Ekonomi. Ajo shtoi se produktet lokale nuk mund të qendrojne të vetme, por duhen promovuar per t’u bere te njohura në vende te reja. “Prandaj edhe panairi i Ushqimit që bëhet sot është një shprehje për të treguar që zona ka mundësi për të promovuar turizmin dhe produktet lokale jo vetëm në Seferan, por edhe përtej Belshit” tha znj Ekonomi.
Në mënyrë simbolike disa çiklistë përshkuan për herë të parë Shtegun e ri të Biçikletave. Më pas në një atmosferë shumë festive u ekspozuan dhe u shijuan gatime të zonës.
Kreu i Bashkisë së Belshit, Arif Tafani tha se prej kohësh askush nuk është kujtuar për këtë zonë, e cila tashmë falë investimeve të qeverisë dhe donatorëve po shndërrohet në një destinacion turistik. Një tabelë e re që u zbulua në hyrje të zonës ku shkruhet: “Mirësevini në Liqenin Seferan, vend për të gjithë në çdo stinë” fton turistët të eksplorojnë këtë zonë të veçantë dhe të bukur të Belshit.
Sigal