Ministrja e Mbrojtjes publikon të dhënat paraprake, ja dëmi në njerëz dhe materiale nga tërmeti

449
Sigal

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një komunikim me mediat, ka bërë një bilanc paraprak të dëmeve në njerëz dhe materiale si edhe ka shprehur mbështetjen për familjet në nevojë.

‘Nata që kaloi ka qenë e vështirë dhe e di që sot, shumë qytetarë presin me shqetësim e frikë çdo të sjellë nata e sotme. Lutem për sa më shumë gjakftohtësi te jete e mundur për të evituar çdo lëndim qe nuk vjen nga tërmeti por nga paniku.

Ne po bëjmë gjithçka mundemi, po bëjmë detyrën tone si qeveri për të adresuar situatën e rënduar në zonat e prekura nga tërmeti. I gjithë shteti është në këmbë duke nisur nga ekipet e kërkim shpëtimit, efektivë e ushtrisë e policisë, mjekët, prefektët, kryebashkiakët, deputetët, i gjithë kabineti qeveritar, dhe qindra e qindra qytetarë që janë solidarizuar duke dhënë ndihmën e tyre të palodhur e mbështetjen e pakursyer.

Ka pasur shumë pyetje sot, sidomos mbi përmasat e dëmeve. Kërkoj mirëkuptimin tuaj, prioriteti ynë, edhe në momentin që po flasim është shpëtimi i çdo jete që mund të shpëtohet.

Është e pamundur në këtë moment, kur të gjitha energjitë janë përqendruar në operacionet e kërkim – shpëtimit, që të kemi një panoramë të detajuar të dëmeve.

Dëmet janë të mëdha, këtë e dimë. Ky ishte tërmeti më i forte që ka përjetuar vendi ynë që prej vitit 1979 dhe goditja e mëngjesit të sotëm  është shoqëruar nga 250 pasgoditje, të cilat sipas ekspertëve sizmiologë pritet të vijojnë, shpresojmë me intensitet më të ulët siç është trendi, deri në stabilizimin e pllakave tektonike.

Dua të përsëris edhe një herë apelin, për çdo qytetar, banesa e të cilit është dëmtuar: bëni kujdes e mos hyni në banesa, pa u bërë më parë inspektimi nga njësitë e specializuara.

Në respekt të qytetarëve dua të bëj një pasqyrë të situatës së deritanishme por theksoj edhe një herë se, informacioni përditësohet çdo minutë e shifrat mund të ndryshojnë.

Deri në orën 18.30 minuta raportohet se 21 persona kanë humbur jetën në prefekturën Durrës, saktësisht në Durrës dhe Thumanë si pasojë e shembjes së godinave. E theksoj se ky bilanc tragjik mbetet ende për tu konfirmuar zyrtarisht nga strukturat përkatëse te shëndetësisë dhe rendit sipas protokollove te ekspertizës përfundimtare.

Në godinat e shembura vazhdon puna e kërkim shpëtimit, pasi një numër qytetarësh rezulton të jenë ende të bllokuar ndërkohë që për disa të tjerë nuk ka raportime nëse janë ndodhur apo jo në banesa, në momentin e lëkundjeve të tokës.

Falë ndërhyrjeve të ekipeve të specializuara, 45 persona kanë mundur të shpëtohen duke u nxjerrë nga rrënojat e duke u dërguar për ndihmë mjekësore. Rreth 600 banorë janë lënduar dhe kanë marrë ndihmën pranë spitaleve apo qendrave shëndetësore.

Mësimi sot në të gjitha shkollat, universitetet, kopshtet e çerdhet është pezulluar dhe do të vazhdojë i pezulluar edhe nesër nderkohe qe qeveria pak minuta me pare e shpalli 27 nëntorin dite zie kombëtare në respekt te jetëve te humbura.

2 mijë efektivë të Forcave të Armatosura (efektivë xhenio, forcat speciale e ato komando), 1 900 efektivë të Policisë së Shtetit janë në terren dhe gatishmëri të plotë, bashkë me ekipet e zjarrfikësve të bashkive, dhjetëra ekipeve mjekësore dhe qindra qytetarë te cilët janë angazhuar në terren dhe janë në gatishmëri të plotë, për të bërë të mundur nxjerrjen dhe shpëtimin e personave të bllokuar në rrënoja apo ngritjen e çadrave dhe strehimin e familjeve, banesat e të cilave janë dëmtuar.

Prej disa orësh, ekipeve tona të kërkim shpëtimit, të cilat po punojnë pa ndërprerje në Durrës e Thumanë,  i janë bashkuar mbi 200 efektivë, ekspertët më të mirë të emergjencave civile të ardhur nga Italia, Greqia, Franca, Turqia, Kroacia, Kosova, Mali i Zi dhe Rumania. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Zyrës Rajonale të Asistencës për Fatkeqësitë Natyrore do të asistojnë nevojat në terren. Faleminderit partnereve për solidaritetin!

Paralel me operacionet e kërkim shpëtimit që do të vazhdojnë edhe gjatë natës, që prej mesditës së sotme, pranë stadiumit në Durrës dhe fushës së sportit në Thumanë nisi ngritja e 300 çadrave për strehimin e afro 1 mijë banorëve.

Gjithashtu Shtëpia e Pushimit të Ushtrisë në Durrës me kapacitet 200 persona është në dispozicion të banorëve në vështirësi.

Janë 90 palestra në Tiranë, Durrës, Krujë e Lezhë të cilat po përshtaten për të akomoduar familjet e pastreha në rast nevojë.

Krahas kapaciteteve akomoduese të siguruara nga pushteti vendor dhe ai qendror, janë shumë hotele në Vlorë, Durrës e Tiranë te cilat, ne shenje solidariteti, kanë ofruar strehim e trajtim për çdo bashkëqytetar në vështirësi.

 

Orët në vijim do jenë të vështira por solidariteti mes njëri – tjetrit dhe përkushtimi i çdo punonjësi në strukturat e specializuara do ta bëjë më të lehtë përballimin e një situate, që askush nga ne nuk do të donte ta përjetonte. Lutjet tona sot janë për çdo familje shqiptare, dhe ne veçanti për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe të gjithë atyre qe i mbijetuan kësaj tragjedie te paparashikuar. Kurajo dhe Zoti qofte me çdo familje shqiptare.-tha Xhaçka.