Ministrja Denaj zhvilloi takim me misionin e FMN, ecuria e ekonomisë së Shqipërisë

604
Sigal

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi takimin hapës me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili kryesohet nga z. Jan Kees Martijns dhe zhvillohet në kuadër të bisedimeve vjetore me FMN për ecurinë e ekonomisë së Shqipërinë, si dhe në vijim të takimeve të Ministres Denaj në Washington në Tetor 2019.

Në këtë takim, Ministrja Denaj shprehu angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për reformën në menaxhimin e financave publike dhe konsolidimin fiskal, si dy shtylla kryesore për financa qëndrueshme të shtetit shqiptar.

Ministrja theksoi se zhvillimi i sektorëve prioritarë, ecuria e reformave në këto sektorë edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë dhe përpjekjet sistematike kundër informalitetit dhe evazionit fiskal synojnë një zhvillim të ekonomisë reale me trend rritës në vazhdimësi në intervalin 3% – 3.5% për vitin 2019 dhe një reduktim të papunësisë nën nivelin aktual prej 11.2%.

Pas një rritjeje më të ngadalësuar në gjysmën e parë të vitit 2019, shkaktuar nga faktorë të përkohshëm, me ndihmën e sektorëve të tjerë themelorë të ekonomisë, pritet që rritja të arrijë nivelet e 4% në vitet 2020 – 2023. Ministria e Financave vazhdon te jetë e angazhuar në uljen e deficitit buxhetor nën 2%, në ruajtjen e një balance primare pozitive, në reduktimin e mëtejshëm të borxhit publik.

Roli i shtuar i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në procesin e monitorimit të PPP-ve, përmirësimi dhe rregullimi i kuadrit ligjor fiskal përmes ndryshimeve afatmesme dhe me impakt të matur në sektorin privat do të ndihmojnë Qeverinë Shqiptare në proceset e mbledhjes së të ardhurave dhe administrimit fiskal dhe do të sigruojë një tatim të drejtë të qytetarëve dhe bizneseve

Mbështetja e Fondit Monetar Ndërkombëtar në hartimin e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave në Shqipëri, tashmë në proces, do të vijojë në mënyrë paralele me Reformën e Fiskalizimit.

Ministrja Denaj ndau me kënaqësi fazat e Projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, projektligj, i cili pritet të diskutohet në komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë gjatë muajitdhjetor.

Në vijim, Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar do të zhvillojë takime me stafin drejtues dhe teknik të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për një vlerësim të plotë të ecurisë ekonomike dhe reformave në proces në Shqipëri, për një treg më të integruar, indikatorë makroekonomikë të fortë dhe zhvillim në rritje gjatë vitit 2020.