Ministrja Denaj: Po shtojmë borxhin publik që të rrisim ekonominë

395
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ministrja e Financave, Anila Denaj, thotë në një intervistë se ndryshimi i buxhetit 2021, me akt normativ, për të rritur borxhin publik nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor, u ndërmor për të stimuluar ekonominë.

Borxhi i ri thotë për “Monitor” do të përdoret për investime në infrastrukturë, ujësjellës dhe rrugë, u shpreh ministrja, e cila premtoi se, borxhi publik në raport me PBB-në, do të arrijë 70% në vitin 2025.Në fakt gjatë 2020, që ishte një vit i vështirë, Kryeministri Edi Rama nuk ndali në asnjë moment financimet për PPP dhe koncensionet, duke vijuar pagesat, edhe pse mijëra biznese dhe familje, u lanë në mëshirën e fatit, ose iu akorduan shuma qesharake për përballimin e krizës.

Ministria e Financave, nëpërmjet Aktit Normativ nr. 26, datë 22.6.2021, vendosi të zgjerojë deficitin buxhetor të vitit 2021, duke e çuar atë në 120.5 miliardë lekë, nga 108.6 miliardë lekë që ishte plani vjetor në Ligjin e Buxhetit 2021. A është masa e deficitit buxhetor në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit dhe rekomandimet e Misionit të fundit të FMN-së? 

Qeveria ndryshoi Ligjin Organik të Buxhetit, me qëllim që të krijonte një hapësirë fiskale të nevojshme dhe të domosdoshme për vitin 2021. Ofrimi i stimujve fiskalë nga krahu i shpenzimeve buxhetore, si dhe reagimi i shpejtë me masat e ndërmarra nga qeveria, si ndaj tërmetit, edhe ndaj pandemisë, dhanë rezultate vitin e kaluar.

Me një tkurrje me vetëm 3.3% të PBB-së nga 6.1% e parashikuar nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë dhe me një trend pozitiv të zhvillimeve në tregun e punës (grafiku më poshtë) është e nevojshme të mendosh se ofrimi i stimujve edhe për këtë vit, të sigurojë një rimëkëmbje më të shpejtë të ekonomisë së vendit.

Në frymë edhe të udhëzimeve fiskale të Komisionit Europian për vendet e Bashkimit Europian, të datës 2 qershor 2021, është rekomanduar shtrirja e aplikimit të përjashtimeve fiskale gjatë 2021-2022, me synim forcimin e potencialit të rritjes ekonomike dhe punësimit, si dhe përmirësimit të financave publike në afatmesëm.

Pavarësisht këtij përjashtimi të përkohshëm, vetëm për vitin aktual, objektivi madhor i Qeverisë është për ulje të pandalshme të Borxhit Publik në periudhën afatgjatë deri në arritjen e objektivit final.

Ndryshimet në buxhetin 2021 zgjerojnë deficitin me 1 miliardë euro

Më herët në fillim të muajit qeveria autorizoi ndryshime në buxhetin e vitit 2021 me akt normativ, në drejtim te të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor. Ndryshimet që tashmë janë miratuar në Kuvend kanë rritur planin e të ardhurave me 5 miliardë lekë ose 1% më shumë në krahasim me planin fillestar të përcaktuar në buxhetin e vitit 2021.

Plani i shpenzimeve buxhetore u rrit me 17 miliardë lekë, ose 2.9% më shumë se buxheti fillestar, ndërsa deficiti buxhetor u zgjerua me 11,8 miliardë lekë në raport me buxhetin e fillim vitit duke arritur vlerën e 120.5 miliardë lekëve ose 11% më shumë se limiti në ligjin fillestar të buxhetit të vitit 2021.