Ministrit Veliaj dhe BB, i rrëzohet projekti “pilot” i aplikimit online për ndihmën ekonomike

456
Sigal

Ministri “Lej Fen” Erjon Veliaj, në vijim të shpikjeve të tij “moderne” e snobiste, ka futur një metodë tjetër të re të përfitimit të ndihmës ekonomike prej shqiptarëve. Pasi nxori nga listat e përfitimit afro 30 mijë familje dhe 27 mijë persona, nxori urdhrin që ndihmën ekonomike ta tërheqin vetëm gratë e jo burrat (sipas përvojës së tij kur ishte tek Mjaft). Së fundi, ministri Veliaj ka nxjerr urdhërin që familjet dhe individët që duan të përfitojnë ndihmë ekonomike dhe që me ligj u takon kjo ndihmë, duhet të aplikojnë vetëm… online! Këtë urdhër e nxori, duke futur në veprim një projekt “pilot” për këtë model aplikimi, mbështetur prej Bankës Botërore, duke e nisur nga Elbasani. Por çfarë ndodhi? Projekti pilot u “rrëzua” që në “fluturimin” e tij të parë. Në Elbasan, atje ku u zbatua kjo shpikje mbetën pa përfituar ndihmën ekonomike 1200 familje e persona të miratuar nga pushteti lokal dhe ministria “Veliaj”, duke u përjashtuar nga përfitimi i ndihmës ekonomike mujore. Këto familje, afro 900 familje rome, mbetën jashtë pagesës së ndihmës ekonomike, për shkak se nuk dinin të aplikonin sipas “stilit modern” të shpikur e të futur në veprim prej ministrit Veliaj. Ata madje nuk dinë qs shkrim e lexim. Nga bisedat e zhvilluara me romët në Elbasan, të mbetur edhe pa atë “kafshatë buke lëmoshë” që u jep ministri dhe “Rilindja”, thonë se shkuan të marrin ndihmën ekonomike në bashki e komuna, por nuk ishin në listat e përfitimit dhe kështu e humbën atë 1900 e 1800 lekësh të vjetra që u jepet për të… “jetuar” 1 muaj! Interesimit tonë në bashkinë e Elbasanit dhe në disa bashki e komuna të Qarkut Elbasan për këtë tallje komike, iu përgjigjën: Nuk përfituan, mbasi duhej të aplikonin “online”, që në gjuhën popullore, do të thotë të kërkosh ndihmën ekonomike nëpërmjet internetit, drejtuar në adresën e zyrave të ndihmës ekonomike e zyrave të punës. Nuk e dimë, nëse do vazhdoj ky projekt “pilot” në të gjithë vendin e nëse do të vazhdoj ende në Elbasan, por dimë faktin që ky projekt i ka bërë që të “fluturojnë” hallexhinjt e ndihmës ekonomike. Si mund të eksperimentosh metoda kaq skandaloze për atë pjesë të shoqërisë e sidomos për romët dhe banorët e fshatrave periferikë, ku ende nuk ka drita dhe kompjuterin e quajnë televizor! Por 1200 romët e Elbasanit dhe ata që janë viktima të këtij “stili” të perfomuar prej ministrit snobist që jeton në “Hënë” e jo në Shqipëri, nuk dinë fare se çfarë do të thotë dhe se çfarë është “ky onlini”. Këtë “onilinin”, sipas Sabriut që banon në lagjen Zaranikë, ua shpjegoi ajo vajza e zyrës së punës dhe më pas edhe vajzat e Zyrës së Punës në Elbasan.

Ja shpjegimi që iu bë romëve për “onlinin” në Zyrën e ndihmës ekonomike

Dje u futëm mes romëve e qytetarëve që kanë rënë viktimë e aplikimit “online” dhe shkuam për sqarime në zyrat e ndihmës ekonomike e në Zyrën e Punës në Elbasan, për të marrë sqarime lidhur me këtë turp e tallje që u është bërë qytetarëve në hall ekonomik, të cilët jetojnë me 1900 e 1800 lekë të reja në muaj, aq sa ministri Veliaj pi përditë qumështin e mëngjesit me çokollatë tek “Sherraton”. Punonjëset e këtyre zyrave, nuk jepnin asnjë sqarim, por vetëm thoshnin: Nuk keni aplikuar online.

Ja biseda e plotë e zhvilluar në zyrën e ndihmës ekonomike:

Romët: Nuk kemi marrë ndihmën ekonomike moj gaxhie, pse?

Punonjësja: Sepse nuk keni aplikuar online

Romët: More po çfarë është kjo onlinia, se na çmendët fare?!

Punonjësja: E shkon këtë këtu? (tregon kompjuterin)

Romët: Po e shikojmë është televizor i bardhë?

Punonjësja (qesh me të madhe): Nuk është televizor o magjyp, është kompjuter.

Romët: Le të jetë ç’të dojë, ne duam lekët që na takojnë.

Punonjësja: E po lekët, merren nga ky këtu (tregon kompjuterin).

Romët: Po hape moj gaxhije dhe nxirri e na i jep lekët.

Punonësja: Këtu nuk ka lekë, këtu ka shkresa, duhet të aplikoni me këtë televizorin, që të fitoni ndihmën ekonomike, ndryshe shkoni mblidhni kanaçe. Kjo quhet online.

Romët: Ku dimë online ne, kemi 3 ditë që llafosemi në lagjen tonë dhe këtë onlinin e kemi kuptuar për ato linjat e aroplanëve.

Punonjësja: Për këtë muaj “u dogjët”, muajin tjetër aplikoni online dhe e merrni.

 

Ja shpjegimi që iu bë romëve për “onlinin” në Zyrën e Punës në Elbasan

Romët: Nuk kemi marrë lekët e ndihmës ekonomike, nuk na i dha bashkia.

Punonjësja: Ka të drejtë që nuk ua ka dhënë, se duhet të aplikoni online?

Romët: Aman ore se na i bëtë mendjen dhallë me këtë onlinin, ç’është ky malukat që na la pa lekë?

Punonjësja: Aplikimi online është ky, mbajeni mënd. Eshtë një metodë e re freksible, montuar bindshëm mbi baza shkencore për zgjidhje adekuate, që promovon vlerat e një shoqërie moderne të përparuar ne koncept dhe dije e sjellje kompelementare, ku bëni pjesë edhe ju romët. Duke aplikuar online, i tregojmë Europës civilizimin sipëror të shtresave nevojë ekonomike e vunerable, të cilat duke aplikuar online, dëshmojnë me prova të sintetizuara, se janë shkëputur nga bazamenti primitiv i të sjellurit jo funksional e komunikativ.

Romët: Çfarë domethënë, këto që na the, o gaxhije?

Punonësja: Këto duhen kuptuar kështu: Nuk mund të vazhdohet më me metoda inkandeshente, por duke përdorur energjinë e drejtpërdrejtë të një shoqërie në zhvillim, jashtë traditës vulgare të kontaktit burtal e të padëshirueshëm dhe popullsit me institucionet mbështetëse të zgjidhjeve sociale. Nëpërmjet aplikimit online, ne i themi Bankës Botërore që mbështet projektin pilot dhe gjithë botës, që edhe ju romët shqiptarë e krejt shqiptarët që janë në varfëri dhe shkallë sipërore analfabetizmi e që trajtohen me ndihmë ekonomike, se kanë startur një mendësi e praktikë shoqërore ndryshe, sipas metodologjisë moderne që ka hartuar ministri Veliaj.

Romët: Dakord, po lekët a do t’i marrim?

Punonjësja: Po, por vetëm online…

Përparim HALILI