Ministria: Provat për drogën të dërgohen në prokurori

661
Ministria e Brendshme hodhi poshtë, si përpjekje të dëshpëruara për të mbuluar diellin me shoshë në sytë e shqiptarëve dhe për të vazhduar dëmtimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e të huajve, të gjithë serinë e deklaratave denigruese të partive opozitare për super-operacionin e Policisë së Shtetit, Hetimit Doganor, si edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, në kapjen e sasisë rekord të kokainës pak kohë më parë. “Ky super-operacion, i përshëndetur botërisht nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Agjencia Amerikane Antidrogë, Europol-i si edhe Antimafia italiane, si një sukses i madh i agjencive tona ligj-zbatuese, ka gëzuar çdo qytetar shqiptar përveç lidershipit të opozitës shqiptare, i cili nuk po rresht së shpifuri gjithfarë absurditetesh, për të baltosur Policinë e Shtetit dhe lidershipin e Ministrisë së Brendshme e vetë Kryeministrin e Shqipërisë. Hetimi për zbulimin dhe dokumentimin e autorëve të përfshirë në trafikun e kokainës së kapur në Portin e Durrësit është duke u kryer intesivisht nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe me mbështetjen e Agjencive partnere ndërkombëtare”, theksoi Ministria. Sipas saj, çdo qytetar i përgjegjshëm në këtë vend që disponon prova dhe fakte konkrete ka detyrimin kushtetues e ligjor t’i vendosi në shërbim të hetimit. “Në të kundërt sulmet verbale publike nuk synojnë gjë tjetër veçse të dekurajojnë punën e Agjencive përgjegjëse për hetimin dhe të inkurajojnë krimin. Ne nxisim Prokurorinë e Krimeve të Rënda të intensifikojë hetimet dhe t’i shkoj deri në fund zbulimit të së vërtetës, për të vënë para përgjegjësisë cilindo që është i përfshirë në këtë veprimtari kriminale si dhe cilindo që ka ndihmuar e është duke i shërbyer devijimit të hetimit dhe zbulimit të së vërtetës”, thuhet në deklaratë. Ministria e Brendshme e konsideroi tërësisht të papranueshëm këtë agresion verbal kundër institucioneve dhe Policisë së Shtetit në radhë të parë, ndërkohë që lufta kundër krimit dhe trafiqeve ka hyrë në një fazë të re dhe me rezultate tejet inkurajuese. “E konfirmuar kjo me goditjen e disa grupeve kriminale dhe aseteve të tyre, ndërkohë që të tjera grupe të rrezikshme kriminale janë në fokusin e goditjes në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”. Ne jemi krenarë dhe mirënjohës që në këtë luftë kemi siguruar besimin dhe mbështetjen aktive të partnerëve të vendeve mike si dhe disa agjensive ligjzbatuese me autoritet të njohur ndërkombëtar si: FBI, DEA, EUROPOL, INTERPOL, etj”, theksoi Ministria e drejtuar nga Fatmir Xhafaj.
Rama: Degradim i opozitës
Kryeministri Edi Rama mbështeti deklaratën e Ministrisë së Brendshme lidhur me kapjen e sasisë së kokainës dhe akuzat e opozitës. “Sulmet e dy partive për super-operacionin policor antidrogë, pasqyrë e degradimit të pandalshëm të opozitës”, theksoi shefi i qeverisë. Ai kritikoi opozitën për sjelljen e saj. “As lidership, as vizion, as program, as skuadër, as ide, as edukatë, madje as shqip-shqiptim e shqip-shkrim normal… Vajmedet kush u beson akoma”, theksoi Rama, duke shpërndarë edhe deklaratën e Ministrisë së Brendshme. 
Sigal