Ministria e Jashtme e Gjermanisë/ Akuzat për vjedhje votash të gjykohen. Parlamenti Evropian zbarkon në Tiranë për krizën politike

447
Sigal

DW pyet ministrinë e Jashtme të Gjermanisë për protestat e opozitës në Shqipëri

Akuzat për vjedhjen e votave duhet të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti

Jakup B. GJOÇA

Përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare dhe disa ambasadorë në Tiranë, fillimisht bënë presion ndaj opozitës që të mos dorëzonin mandatet e deputetëve, duke thënë slogane të tilla, si “dëmtoni progresin e Shqipërisë”, “pengoni integrimin”, “rrezikoni demokracinë” etj. Mirëpo, deri tani, këta ambasadorë në Tiranë heshtën për vjedhjen e votave në zgjedhjet parlamentare. Heshtën edhe për korrupsionin galopant, edhe pse faktet e publikuara janë të pa kundërshtueshme. Heshtën edhe për bashkëpunimin e zyrtarëve të lartë me njerëzit e botës së krimit. Heshtën për kapjen e Reformës në Drejtësi nga pushteti ekzekutiv. Heshtën, që edhe vettingu po kthehet në një farsë.

Ministria e Jashtme gjermane: E drejta e protestës, element i Kushtetutës demokratike

Një nga deklaratat më të forta zyrtare ka mbërritur nga Gjermania pas protestës së të enjtes të opozitës dhe pas djegies së mandateve nga opozita. Gjermania i kërkon prerë Ramës të nxjerrë para drejtësisë blerësit e votave. Pas deklaratës së djeshme të Berlinit zyrtar për “djegien e mandateve” nga deputetët e opozitës shqiptare, Deutsche Welle e pyeti Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme edhe për protestat e opozitës. Përgjigja e Ministrisë së Punëve të Jashtme është si më poshtë: “Akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të mëparshme duhet të trajtohen dhe të gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti. E drejta për të demonstruar është një element i rëndësishëm i Kushtetutës demokratike. Megjithatë, dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat e mëtejshme të jenë paqësore.” Deklarata zyrtare e ministrisë së Jashtme gjermane është në të njëjtën linjë me qëndrimin e mbajtur nga opozita në lidhje me blerjen e votave nga krimi i organizuar në pushtet. Opozita deklaroi se arsyeja përse nuk mund të qëndrojë më në Parlament dhe dogji mandatet është blerja e votave, e provuar nga hetimet dhe përgjimet e partnerëve në katër qarqe të vendit. Dosja, e njohur ndryshe me emrin “339” nuk hetohet nga Prokuroria dhe pengesa kryesore e mos lejimit të hetimeve është kreu i qeverisë, Rama. Madje, kryeministri akuzoi “Zërin e Amerikës” si një media kazan, pasi publikoi detaje nga kjo dosje e blerjes së votave ku janë të implikuar krerët e PS. Deklarata e ministrisë së Jashtme gjermane indirekt kërkon daljen para drejtësisë të njerëzve me pushtet që janë në dosjen 399. Gjermania ka mbështetur në të njëjtën kohë zyrtarisht edhe protestat e qytetarëve duke u shprehur që ata që do të protestojnë në ditët e ardhshme të jenë paqësorë. Në deklaratën zyrtare të ministrisë së Jashtme gjermane bie në sy edhe se nuk ka asnjë fjali apo reagim në lidhje me djegien e mandateve nga opozita.