Ministria e Infrastrukturës reagon ndaj PD-së: Kompania e Edmond Begos ka marrë lejen minerare sipas ligjit

564
Sigal

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hedh poshtë si plotësisht të pavërteta dhe të qëllimshme deklarimet e bëra sot nga subjekti politik PD-së rreth procedurave të miratimit të lejes minerare për shfrytëzim mineralesh dhënë subjektit “Inerte Expres” sh.p.k. PD-ja pretendon se leja minerare në fjalë është miratuar pa një procedurë gare. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë sqaron se e gjithë procedura që nga shpallja e zonës së lirë minerare deri në shpalljen e kompanisë fituese është kryer në transparencë të plotë dhe në zbatim rigoroz të ligjit. Me shkresën Nr.3454/1, prot, datë 4.6.2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë i është drejtuar Agjencisë së Prokurimit Publik për shpalljen e garës për disa zona minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Konkretisht, Ftesa për Ofertë mban Nr.3454, datë 4.6.2014. Në vijim të Ftesës për Ofertë të paraqitur nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia e Prokurimit Publik, në Buletinin e datës 16 Qershor 2014 ka botuar procedurën e hapur konkurruese për lejet minerare mes të cilave edhe ajo me Nr.394/1. Sipas kësaj shpalljeje, afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga subjektet e interesuara për këtë zonë ishte data 11.07.2014, ora 10:00. (Referoju Buletinit Dt.16 Qershor 2014 të APP). Në datën 11.07.2014, ora 10:00 është zhvilluar procedura e hapjes së ofertave për këtë zonë minerare. Për këtë zonë konkurruese, subjekti “Inerte Expres” sh.p.k. ka depozituar të gjithë dokumentacionin e kërkuar ligjor përfshirë: Vërtetimin e Zyrës Përmbarimore me Nr.2133, datë 3.07.2014; Vërtetimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë datë 8.07.2014 dhe Vërtetimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë datë 8.07.2014. Në këto dokumente vërtetohet se shoqëria “Inerte Expres” sh.p.k me përfaqësues Mond Bega nuk ka detyrime ndaj personave fizik, juridik, privat apo shtetëror (përmbarimi); nuk ka proces gjyqësor penal në gjykatë (vërtetimi i gjykatës); nuk ka procedim penal të regjistruar në ngarkim të tij (vërtetimi i prokurorisë).