Ministria e Brendshme i kundërpërgjigjet akuzave të opozitës: Gjithçka brenda kufijve ligjorë

263
Ministria e Brendshme shpreh keqardhje për deklaratat e bëra nga opozita për marrëveshjen e firmosur mes Ministrit të Brendshëm dhe Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm. Në faqen zyrtare të saj shkruhet: “Kjo nuk është marrëveshja e parë dhe as e vetmja në kuadër të përpjekjeve për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve në luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar në veçanti. Në kushtet kur krimi organizohet, sofistikohet dhe vepron pa barriera burokratike, autoritetet shtetërore dhe agjencitë ligj-zbatuese nuk mund të kenë luksin apo t’i lejojnë vetes, që pavarësisht vullnetit të tyre të mirë, të luftojnë secili në parcelën e vet. Marrëveshja, teksti i së cilës është bërë publik edhe për opinionin e gjerë, garanton, njeh dhe respekton autoritetin e vetëm të Prokurorisë në drejtimin e hetimeve. Ajo vë pikërisht të gjitha aftësitë dhe kapacitetet e Policisë së Shtetit në shërbim të Prokurorisë, për hetime të plota dhe të specializuara”. Opozita është e ftuar të bashkëpunojë dhe monitorojë, brenda kufijve ligjorë, gjithë punën e Task Forcës Speciale “Forca e Ligjit”, thuhet në deklaratë.