Ministri Xhafaj ka përgjegjësi për përdorimin e Policisë së Shtetit nga i vëllai

349
Sigal

Intervista e Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi dhënë në OraNews

– Zonja Kryemadhi, a është aktualisht LSI e hapur ndaj mendimeve ndryshe me opozitën?

– Sigurisht që është e hapur, sepse unë mendoj që, nëse LSI nuk do të jetë një forcë politike e hapur atëherë ajo do të rrudhet dhe do të mblidhet rreth vetes së saj, do të ngelet në historinë e shkuar të atyre viteve. Është e vështirë për t’u hapur, sepse është e vështirë për të qenë e besueshme te njerëz të tjerë, të cilët duhet t’i afrohen LSI-së. Por ajo çka është më e rëndësishme është se çdo njeri që dëshiron të kontribuojë në LSI të ndihet i përfshirë, të ndihet pjesë përbërëse dhe të mos ndihet i ri apo i vjetër.

– LSI është e hapur për intelektualë, njerëz nga shoqëria civile që duan t’i bashkohen LSI-së, a ka të tillë?

– Patjetër që ka. Ka jashtëzakonisht shumë. Ka shumë pedagogë, nga bota akademike që janë afruar. Por e kanë pak më të vështirë për t’u përballur mediatikisht. Ne kemi shumë të rinj dhe të reja, që janë jo vetëm nga bota akademike, të shkolluar jashtë shtetit, të cilët kanë një këndvështrim tjetër, ndryshe, pra e shikojnë pak më soft debatin politik, ashtu sikurse kemi dhe shumë të tjerë që janë rritur brenda një mjedisi më të mësuar në drejtim të luftës politike, të agresivitetit të saj, të përballjes. Këta ndoshta e kanë më të lehtë. Por megjithatë kjo është një ndërthurje shumë e mirë.

– Protesta e 26 majit kaloi, opozita vazhdon marrëdhënien e kushtëzuar me parlamentin, z. Xhafaj është ministër i Brendshëm, Edi Rama është kryeministër i vendit. Ç’do bëni tani?

– Unë nuk mendoj që problemi është z.Xhafaj që është ministër i Brendshëm apo z.Rama është një kryeministër, i cili politikisht për mendimin tim është i rënë për shkak të vetë mosfunksionimit të institucioneve shtetërore. Ajo çka unë mendoj, historia nuk është thjesht te z.Xhafaj sepse ai është vetëm një emër i përveçëm, një element në portofolin e z.Rama, pra në cirkun e tij shëtitës. Ajo çka unë mendoj është që institucionet e shtetit shqiptar, sa efektive janë dhe sa i shërbejnë qytetarëve. Beteja, mendoj unë ,nuk është për z.Xhafaj, sepse në fund të fundit z.Xhafaj nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për veprimet që bën vëllai i tij, por këtu beteja është e Shqipërisë dhe shqiptarëve, nëse ky shtet, ky institucion, kjo qeveri apo kjo klasë politike, të cilën shqiptarët e votuan, a janë vërtet në shërbim të tyre apo jo.

– Kur thatë që Z. Xhafaj nuk ka pse mban për veprimet e vëllait, do të thoni që ai s’ka arsye pse të dorëhiqet?

– Për çështjen e të vëllait unë nuk mendoj. Problemi është pastaj, nëse për ligjin e antimafias dhe për vetingun e policisë, ne i kërkonim llogari policëve, nëse kanë pirë ndonjë kafe apo kanë qenë pjesë e ndonjë tryeze në ndonjë dasmë me të inkriminuar dhe ai duhet të dorëzonte uniformën, ky është pastaj këndvështrim tjetër, sesi ne do ta shikojmë.

– Duhet të fliste drejtësia apo hetimet e pavarura?

– Drejtësia, për hir të së vërtetës ka atë hijen e vet të dyshimit. Unë mendoj që ka mënyra të tjera nga më të ndryshmet për të argumentuar, po themi ,pozicionimin e Z. Xhafaj por nuk dua, as ta mbroj dhe as ta sulmoj. Unë mendoj që problemi i situatës në të cilën gjendet sot politika shqiptare, policia e shtetit, prokuroria, reforma në drejtësi, e gjithë skema e qeverisjes së institucioneve shtetërore është Z. Rama, sepse është vetë ai individ.

Znj. Kryemadhi mund të përgjigjet për çështjen Xhafaj, çështjen e lidershipit të opozitës së bashkuar dhe aksionin opozitar pas përgjigjes së negociatave.

-. Përgjegjësia është morale. Pyetja që unë ngre është: Nëse z. Xhafaj e ka lejuar vëllain e tij që të përdorë institucionet e Policisë së Shtetit, Interpolin, antidrogën etj në funksionin të biznesit të tij, z. Xhafaj jo vetëm do të mbajë përgjegjësi politike dhe morale por edhe ligjore.

– Po nëse kërkohet rrëzimi i qeverisë është koha për të diskutuar apo jo? Dakord u rrëzua Rama, por kush po vjen, çfarë plani keni?

– Nëse do duhet të flasim një ditë për programin ekonomik ne jemi të gatshëm. Ashtu siç është programi ekonomik i LSI-së. Dhe për hir të së vërtetës PD-ja ka pasur një program ekonomik të jashtëzakonshëm, të hartuar me partnerët e tyre ndërkombëtarë, me një grup konsulence gjermane, që për hir të së vërtetës kemi shumë gjera të përbashkëta për sa i përket nivelit të taksave, zhvillimit ekonomik, krijimit të klimës së biznesit në Shqipëri, thithjen e investimit.

– Thatë që reforma zgjedhore është vënë kusht për negociatat?

– E tha eurodeputeti gjerman. Gjermania do ta vendosë si kusht reformën zgjedhore dhe përveç reformës zgjedhore dhe rishikimin e emërimeve që janë bërë në drejtësi nga tetori e këtej.

– Në datën 16 merret vesh vendimi. Kur është koha për t’u bërë kjo reformë?

– Për zgjedhjet lokale, do të jetë shumë e vështirë për të implementuar reformën zgjedhore, sidomos votimin elektronik.