Ministri Veliaj kërkon të punësojë specialist të IT-së një …jurist

567
Sigal

Kur konkurset dhe publikimet për punësime në administratën publike bëhen sa për sy e faqe

 Pa mend  në kokë, më la një njoftim për vende pune nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku ministër është Erion Veliaj. Kjo ministri (natyrisht, edhe me vulën e zotit Veliaj), ka bërë një njoftim publik, – në emër të transparencës, këtë të mos e harrojmë- që kërkon të punësojë një specialist në sektorin e  IT-së dhe Komunikimit, në Drejtorinë e Shërbimeve  Mbështetëse, por të jetë me diplomë …jurist.Po, po. Mos u habitni. Ministri Veliaj, kërkon të punësojë një specialist, për në sektorin e IT-së, një jurist. Dhe më poshtë,  në këtë njoftim pune të ministrisë së Veliajt, shkruhet (e zeza mbi të bardhë, natyrisht, në emër të …transparencës), ku kërkohet që ky specialist i IT-së, të …dijë  “Të përdorë programet bazë të punës në kompjuter”. Meqë ky kriter i “meritokracisë” që ju i kërkoni kandidatit-specialist për në sektorin e IT-së, po më lë fare pa mend, ndaj, që të besoj se lexoj të tilla xhevahire që ju publikoni, dua t’ju pyes zoti Veliaj. Ju, personalisht, si ministër, zoti Veliaj,  keni hasur  ju, ndonjë specialist të  sektorit të IT-së,  qoftë ky edhe me diplomën e juristit, siç e kërkoni zotrote, që të mos dijë përdorimin e programit bazë të …kompjuterit?  Po mirë, që ne mbetëm pa mend në kokë, nga një marrëzi e tillë, ndaj, nuk na rrihet pa i bërë një pyetje zotit ministër, Erjon Veliaj:  Po cili jurist (edhe sikur të ketë mbaruar në Oksford), ka marrë diplomën e specialistit për IT-në? Apo, e kthejmë pyetjen ndryshe, zoti ministër, Veliaj: Përse specialisti i IT-së, ju duhet patjetër …jurist? Ju, zoti ministër Veliaj, me këto kritere publike që shpallni për punësim, kërkoni t’i gjeni punë të zotit, apo punës zot? Apo, mos vallë, ju, zoti ministër Veliaj,  e keni paracaktuar kandidatin tuaj, që ta punësoni në sektorin e IT-së dhe për hir të …transparencës, u duhet të bëni edhe një njoftim pune formale? Zoti ministër Veliaj, mos vallë, jeni në vështirësi, se kandidati juaj i paracaktuar si specialist në sektorin e IT-së, është vetëm me diplomë …juristi dhe ju, për të shpëtuar nga sikleti i ….transparencës, kërkoni një jurist, për ta punësuar  si specialist i IT-së? Pastaj, zoti ministër Veliaj, cili specialist kandidatë për në sektorin e IT-së, qoftë edhe me diplomë juristi, siç e keni edhe ju pengun e merakut tuaj, nuk ka mësuar përdorimin e programit bazë të kompjuterit, të cilët ju, -sërish në emër të transparencës- e parashtroni si kusht për kandidatin që doni të punësoni?

Zoti ministër Veliaj, kam edhe pyetjen e fundit për ju. Personalisht, për ju, zoti Veliaj. Pas kësaj qyfyreje- që unë do të thosha, që e keni publikuar, natyrisht, për shaka- çfarë qyfyre të tjera do të na publikoni, për punësimet tuaja? Natyrisht, unë përpiqem që t’ju mirëbesoj, se të gjitha këto qyfyre, ju i bëni në emër të….   meritokracisë, kërkesës që keni ju ndaj kandidatëve për punësim.

Njoftimi i punësimit nga Ministria e Mirëqenies Sociale

SPECIALIST NË SEKTORIN E IT-SË DHE KOMUNIKIMIT, NË DREJTORINË E SHËRBIMEVE MBËSHTETËSE
Në zbatim të ligjit Nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”, Departamenti i Administratës Publike shpall konkurrimin për 1 vend të lirë në pozicionin Specialist në Sektorin e IT-së dhe Komunikimit, në Drejtorinë e Shërbimeve Mbështetëse, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Kandidatet duhet të plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në Shërbimin Civil në përputhje me nenin 12 të ligjit nr.8549, datë 11.11.1999 “Statusi i nëpunësit civil”.
KËRKESA TË VEÇANTA PËR KANDIDATËT
Të ketë mbaruar arsimin e lartë për Juridik . (për nivelin e diplomave referojuni Udhëzimit nr. 4 dt. 17.02.2010)
Të përdorë programet bazë të punës në kompjuter

Nuri Dauti