Ministri Vasili nga Shkodra: Detyrimi ynë, të sigurojmë drejtësi për të gjithë

459
Në kuadër të Ditës Kombëtare të Drejtësisë, Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, mori pjesë sot në inagurimin e godinës së re të Gjykatës së Apelit Shkodër. 

Në fjalën e tij, ministri Vasili theksoi rëndësinë e investimeve në infrastrukturë, që, sipas tij, janë jo thjesht dhe vetëm krijimi i kushteve optimale për të punuar, por njëkohësisht dhe rikthimi i dinjitetit të institucioneve. 

Z. Vasili theksoi gjithashtu se ky inagurim përkon me një moment intensiv të implementimit të reformës në drejtësi, reformë që, sipas tij, ka qenë jo e lehtë dhe ka kërkuar një investim shumë të madh profesional, politik, ekspertizë të brendshme dhe të huaj të nivelit nga më të lartë, të cilët kanë mundësuar ndërtimin e korpusit të një reforme në gjyqësor të plotë, ambicioze për rezultatet që synon të arrijë dhe me objektivin themelor për ta bërë drejtësinë të besueshme nga qytetarët, por dhe për të hequr atë mosbesim që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë .
Duke vënë në dukje se inagurimi i kësaj godine ndodh në Ditën e Drejtësisë, z. Vasili solli në vëmendjen e të gjithëve disa fragmente nga Kanuni i Zhurisë, i miratuar në 1913 nga Qeveria e Ismail Qemalit. Në shenjë simbolike, ministri Vasili i dhuroi bibliotekës së kësaj gjykate një kopje të këtij kanuni, të riprodhuar nga Qendra e Botimeve Zyrtare si dhe citoi disa fragmente prej tij.
Më poshtë fjala e Ministrit të Drejtësisë, z. Petrit Vasili:
“Jam shumë i lumtur që inagurimi i sotëm përkoi me 10 Majin, që është simboli i Ditës së Drejtësisë Shqiptare dhe besoj që ky inagurim ndodh në ditën e një simbolike shumë të veçantë, siç është Dita e Drejtësisë, që është dhe kryefjala e shqetësimit qytetar, por dhe kryefjala e veprimit politik dhe legjislativ të Shqipërisë, së paku në tre vitet e fundit. 

Është vendi për të kujtuar që pikërisht në 10 Maj 1913, Qeveria e Vlorës, e kryesuar nga Ismail Qemali, krijoi aktin e parë juridik për organizimin e pushtetit gjyqësor që titullohej Kanuni i Zhurisë. Ngjarje kjo e rëndësishme për sistemin e drejtësisë shqiptare, pasi ishte pararendëse e fillimit dhe futjes së një drejtësie që mëtonte të ishte gjithnjë e më bashkëkohore, por mbi të gjitha të ishte një drejtësi e drejtë dhe e barabartë për të gjithë.

Investimet në infrastrukturë sigurisht janë jo thjesht dhe vetëm krijimi i kushteve optimale për të punuar, por njëkohësisht dhe rikthimi i dinjitetit të institucioneve. Në historinë e kuvendeve, historinë e komuniteteve, historinë e shteteve, besoj që institucionet përfaqësuese të pandryshuara, por dhe dinjitoze, kanë qenë dhe mbeten institucionet e drejtësisë, pasi kanë qenë vendi ku ndaheshin drejtësitë dhe padrejtësitë, vendi ku zgjidheshin konflitetet, të cilat shpesh herë mund të krijonin edhe ashpërsim apo përplasje mes njerëzve. 

Pra, ishin institucione sa të rëndësishme, aq edhe delikate, jo vetëm për të përditshmen, por dhe për të ardhmen e raporteve në një vend, raporteve pronësore, por edhe raporteve personale mes njerëzve. Sigurisht, ky inagurim ndodh në një moment që përkon me një moment intensiv të implementimit të reformës në drejtësi, një reformë që ka qenë jo e lehtë, reformë që ka kërkuar një investim shumë të madh profesional, politik, ekspertizë të brendshme dhe të huaj të nivelit nga më të lartë dhe që ka mundësuar ndërtimin e një korpusi të një reforme në gjyqësor krejtësisht më të plotë, shumë ambicioze për rezultate që synon të arrijë, por njëkohësisht dhe me objektivin themelor për ta bërë drejtësinë të besueshme nga qytetarët dhe për të hequr atë mosbesim që e ka shoqëruar për një kohë të gjatë, por me të cilin nuk mund të bashkëjetonim dot më.

Garantimi i aksesit në gjykatë është e qartë që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e forcimit të transparencës, përgjegjshmërisë, paanësisë dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë në mbështetje të rolit deçiziv që qytetarët dhe aktorët e tjerë kanë. 

Veç të tjerave, insfrastruktura e kësaj godine është pajisur dhe me një element që unë do ta quaj kyç por dhe shumë kuptimplotë, që është ambjenti i bibliotekës. Sigurisht të bashkëjetuarit me një reformë të re në drejtësi kërkon dhe një qasje profesionale më të lartë, kërkon detyrimisht t’i kthehemi dhe rikthehemi leximit, pasi nuk mund të arrihet cilësi e lartë profesionale duke braktisur përditësimin e dijeve. 

Ministria e Drejtësisë, brenda funksioneve të saj, do të vazhdojë të jetë një mbështetëse e fortë e çdo nisme që përmirëson standardet e shërbimit, në mënyrë që respektimi i të drejtave të personave në nevojë të përbëjë kryefjalën e reformave tona. 

Duke qenë se rastisën dy data shumë të rëndësishme në fushën e drejtësisë, nga Shkodra uroj Gëzuar Ditën e Drejtësisë, në radhë të parë për të mirën e qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ministri Vasili
Sigal