Ministri Koka çel fushatën e pyllëzimit në Kolonjë

426
Sigal

Në kuadër të Fushatës Kombëtare të
Pyllëzimit, Ministri i Mjedisit, Z. Lefter Koka ka nisur inspektimet në bashki
të ndryshme të vendit me qëllim mbështetjen e projekteve për mbjelljen e
fidanëve të rinj por edhe inspektimin e situatës së pyjeve në rang vendi.

Për të çelur
fushatën e pyllëzimit, Ministri Koka ishte i pranishëm në bashkinë e Kolonjës.
Në shoqërinë e kreut të kësaj bashkie, z. Ilia Stefo, Ministri Koka inspektoi
projektin e gjelbërimit publik të Ersekës dhe mbolli simbolikisht fidanin e
parë të këtij projekti, një investim prej 40 milionë lekësh të reja të
Ministrisë së Mjedisit. që përfshin gjelbërimin e të gjitha akteve 
kryesore të qytetit, unazës së tij si dhe të dy shkollave të Ersekës me  6
mijë fidanë dru shkurre dhe lule dekorative.

Gjatë fjalës
së tij Ministri Koka uroi së pari kryetarin Stefo për detyrën e re: “Kryetarin
e ri e presin punë me të cilat ai duhet t’i kthejë Kolonjës vlerat e saj. I
uroj suksese në këtë detyrë të vështirë por edhe të bukur”- tha ministri Koka.
Duke iu referuar zbatimit të moratoriumit të pyjeve dhe ngrohjes me dru të
popullatës  Ministri Koka apeloi sërish kryebashkiakët e vendit: “Pyjet që
sot janë në menaxhim të bashkive duhet të kuptojnë se është aset ekonomik i
rëndësishëm. Ngrohja me dru zjarri dhe furnizimi popullatës në zonat e thella
duhet të jetë prioritet për Bashkinë.”

Më tej
Ministri Koka  theksoi  edhe rëndësinë e zhvillimit të agroturizmit
në këtë zonë të vendit. ”Uroj që të mbarojë rruga sa më shpejt për të zhvilluar
zonën drejt agroturizmit, pasi natyra këtu ka treguar të gjithë bujarinë e saj
”- tha Ministri Koka. Nga ana e tij, kryebashkiaku Stefo u shpreh se pyjet janë
prioritet i bashkisë që ai drejton: “Jam i kënaqur që po rikthejmë traditën në
Kolonjë. Pyllëzimi dhe gjenerimi i zonave të degraduara pyjore është një nga
prioritetet kryesore të Bashkisë që unë drejtoj”.Projekti “Gjelbërimi i
mjediseve publike të qytetit Ersekë” pritet të mbarojë në fund të këtij muaji.