Ministri i Jashtëm grek zbulon debatet për çështjen e kufirit detar

132
Sigal

Greqia i është rikthyer çështjes së kufirit detar me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një intervistë për gazetën “Naftemporiki” është pyetur për gjetjen e një zgjidhje për mosmarrëveshjet me Shqipërinë. Ai u shpreh se do jetë Haga që do vendosë. “Gjatë vizitës sime të fundit në Tiranë, rreth tre javë më parë, diskutuam me palën shqiptare mundësitë dhe mënyrat për të nxitur këtë proces. Synimi është që të jemi në gjendje të paraqesim këtë marrëveshje të përbashkët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mbyllet një çështje që mbahet pezull për kaq vite, por edhe për të dhënë një shembull të qartë për të gjitha vendet e rajonit në tërësi se si zgjidhen mosmarrëveshjet ndërmjet shteteve në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe në veçanti të së Drejtës së Detit”, tha ai.

Dendias nuk i ka kursyer elozhet për kryeministrin Edi Rama, teksa ka thënë se janë ngritur dy grupe që po komunikojnë me njëra-tjetrën. “Siç dihet , tashmë ka një marrëveshje politike midis Greqisë dhe Shqipërisë për referimin e çështjes së kufirit të ZEE-së mes dy vendeve në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, e cila u arrit gjatë vizitës sime në Tiranë në tetor 2020. Rol kyç në arritjen e kësaj marrëveshje ka luajtur edhe kryeministri, zoti Rama. Dorëzimi i marrëveshjes së përbashkët , është pjesë juridiko-teknike e kësaj marrëveshjeje politike dhe hartimi i saj i është besuar shërbimeve kompetente të dy vendeve që janë në komunikim të drejtpërdrejtë”,- tha ai. Pak kohë më parë Dendias deklaroi se pengesë për marrëveshjen ishte bërë presidenti Ilir Meta dhe duket se grekët presin që me largimin e tij situata të ndryshojë.