Ministri Gjiknuri tek VOA: Ja projektet e reja për infrastrukturën dhe energjinë

537
Sigal

Në një intervistë për VOA nga SHBA, ministri i Energjetikës Damian Gjuknuri, ndër të tjera thekson: Shqipëria ftohet në Konferencën Botërore për Gazin për herë të parë, sepse ajo ka hyrë tashmë në rrugën e gazit, në fushën e gazit dhe hartën botërore të gazit. Mbi të gjitha u insistua nga Departamenti i Shtetit që Shqipëria të merrte pjesë për faktin se ata donin të bënin me dije rolin jashtëzakonisht pozitiv që kanë luajtur autoritetet shqiptare në bërjen të mundur të ekzekutimit të korridorit të jugut, pra bërjes realitet të kësaj vepre të korridorit të jugut. Pra, TANAP-i dhe TAP-i, një rrugë alternative të furnizimit me gaz për Bashkimin Evropian, e rëndësishme për SHBA, që donin të vinin në pah rolin pozitiv të Shqipërisë, sepse ndryshe nga çfarë mendohej në fillim se do të ishte një vend i vështirë për ekzekutimin e këtij projekti, Shqipëria përkundrazi, u bë vendi më shembullor dhe këtë ma thanë edhe në takimet që pata edhe në Departamentin e Shtetit si edhe nga zyrtarë të lartë amerikanë si sekretari i shtetit Pompeo edhe sekretari i energjisë, ku u pa me shumë interes roli i Shqipërisë dhe mbi të gjitha roli pozitiv që ka luajtur Shqipëria në sigurinë energjetike të Evropës, që është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë ndërkombëtare dhe me sigurinë amerikane. Realisht qe një vlerësim për Shqipërinë dhe fat që morëm pjesë për herë të parë, ku mu dha mundësia të komunikoj edhe me liderë kryesorë të fushës së gazit dhe naftës. Dua të theksoj edhe diçka për publikun që na ndjek: Ne jemi duke zhvilluar një program shumë intensiv me departamentin e energjisë dhe me departamentin e shtetit të SHBA-ve për të mbështetur gjithë sektorin hidrokarbur në Shqipëri, duke dhënë asistencë dhe për të organizuar së bashku legjislacionin modern të trajtimit të sektorit hidrokarbur në vend.