Ministri Gjiknuri jep lajmin e mirë: Së shpejti nis puna te Sheshi “Shqiponja”

691
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, ishin dje në Unazën e Madhe të Tiranës ku u hap segmenti i rrugëve lidhëse e ndihmëse nga kryqëzimi me rrugën “Komuna e Parisit”, ku përfundon segmenti Komuna e Parisit – Rruga e Re Tiranë-Elbasan, dhe vazhdon deri në segmentin tjetër Komuna e Parisit- Shkolla Teknologjike. “Ka mbaruar ndërtimi i të gjithë rrugëve lidhëse dhe ndihmëse që lidhin komunitetin e Kodrës së Diellit dhe Komunës së Parisit me ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës. Ministri Gjiknuri tha se tanimë këto rrugë lidhëse bashkë me Unazën janë me standardet më të larta, ndërsa pritet të ketë lehtësim të trafikut në këtë zonë. “Një rrugë edhe nga ana estetike shumë e bukur, por edhe e mirë organizuar. Ne ishim këtu për të bërë me dije publikun që përfundimisht u plotësua dhe ky segment që do të sjellë një lehtësim të madh të trafikut në zonën e Liqenit, pasi ishte krijuar një problem tek diga me tendencën për t’u futur në unazë. Tanimë kjo është një tjetër rrugë shfryrëse, e cila lehtëson jashtëzakonisht trafikun. Edhe sot mund të shikoni që ka një diferencë të madhe, mjafton të shkoni tek diga e Liqenit”, theksoi Gjiknuri. Ministri njoftoi se brenda këtij viti fillojnë punimet edhe për segmentin e Unazës së Madhe nga Shkolla Teknologjike deri tek Sheshi Shqiponja që do të transformohet plotësisht duke llogaritur pjesën kryesore të Unazës, mbikalim-nënkalim ashtu sikurse rrugët dytësore. “Ky projekt nuk do të përfundojë këtu. Projekti do të vazhdojë deri tek “Sheshi Shqiponja” brenda këtij viti që të bëhet e mundur që lidhja direkt e unazës me aksin Tiranë-Durrës. Do të thotë një lehtësim i madh i trafikut dhe kemi të bëjmë me një nga veprat më madhore të investimeve publike. Janë projekte kryesore dhe fokusi i katër viteve të ardhshme do të jetë përfundimi i rrugëve të nisura, plotësimi i gjithë rrjeteve kryesore, nyjeve kombëtare. Jo hapje rrugësh dokudo që nuk sjellin asnjë rezultat ekonomik apo nuk kanë efekt mbi komunitetin”, insistoi Gjiknuri.
Sigal