Ministri francez i Financave: Shteti do të sigurojë mjete financiare për të shmangur “fundosjen” e ekonomisë

287
Sigal

Shteti do të sigurojë mjetet financiare të nevojshme për aq kohë sa do të zgjasë kriza, për të shmnagur një “fundosje” të ekonomisë për shkak të COVID-19, deklaroi ministri francez i Financave, Bruno Le Maire për “Journal du Dimanche”.

“Unë preferoj që të hyjmë në borxhe sot, duke shmangur një fundosje, sesa të lejojmë shkatërrimin e gjithë ekonomisë tonë,” theksoi ai për “Journal du Dimanche”.

Sipas ministrit, në tetë ditë, 20 miliardë euro kredi të garantuara nga shteti u kërkuan nga më shumë se 100,000 kompani.

Për të ndihmuar bizneset të kapërcejnë tronditjen e kufizimit, shteti ka njoftuar se do të garantojë deri në 300 miliardë euro kredi bankare, ekuivalente me 15% të Prodhimit të Brendshëm Bruto francez.

“Për më tepër, pesë millionë punonjës përfitojnë nga papunësia e pjesshme dhe në tre ditë, 450,000 biznese të vogla kanë aplikuar për fondin e solidaritetit”, theksoi Bruno Le Maire, duke shtuar se këto dispozita do të rimbushen sipas nevojës.

Fondi i solidaritetit i krijuar nga Shteti siguron 1 500 euro maksimumi kompensim për bizneset e vogla që kanë pësuar rënie me të paktën 50% të përfitimeve nga biznesi në krahasim me marsin dhe prillin 2019, plus ndihmë prej 2 000 Euro të dhënë rast pas rasti për ata që kërcënohen me falimentim.