Ministri Ervin Mete: 4 miliardë lekë në mbështetje të fasonëve

21
Sigal

Këshilli i Ministrave miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2024.Në komunikimin me mediat, pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Ervin Mete, u shpreh se nëpërmjet këtij Akti Normativ, qeveria do t’i vijë në ndihmë sektorit fason, me Instrumentin e Garancisë së re Shtetërore prej 4 miliardë lekësh, në mënyrë që ky sektor të përballojë efektet e goditjeve, të përmirësojë proceset teknologjike dhe të rrisë më tej produktivitetin.“Përmes këtij Akti Normativ po mbështesim një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve të ardhurave si pasojë e faktorëve të jashtëm.Ky instrument synon mbështetjen e këtij sektori nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”, u shpreh Ministri.Ministri Mete informoi se Ministria e Financave ka rishikuar në rritje të ardhurat për vitin 2024, të cilat projektohen në rreth 687 miliardë lekë ose 28.2% e Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa në nivelin makro do të vijohet konsolidimi fiskal, duke projektuar një trend rënës të borxhit publik dhe një deficit më të ulët sesa projeksioni fillestar i buxhetit të këtij viti.

Ministri tha se Akti Normativ parashikon reflektimin në buxhet të riorganizimit të ministrive sipas fushave të reja të përgjegjësisë, ashtu sikurse riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar, financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së Qeverisë për këtë sektor.Deficiti i skemës publike është përmirësuar ndjeshëm vitin e kaluar, pasi të ardhurat nga kontributet u rritën me ritme shumë më të larta se shpenzimet për pagesat e pensioneve.

Ministri i Financave, Ervin Mete, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, pas miratimit të Aktit Normativ për Buxhetin 2024, se “gjatë vitit të kaluar, kontributet e mbledhura në skemën e sigurimeve shoqërore arritën në 5.7% të PBB-së, duke ulur ndjeshëm deficitin e skemës, në afro 0.8% të PBB-së, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë”.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave referojnë se të ardhurat nga sigurimet shoqërore arritën në 124,6 miliardë lekë me 2023, me rritje vjetore 18%, nga ana tjetër shpenzimet për skemën e pensioneve u rritën në të njëjtën periudhe me vetëm 4 %.

Rritja e të ardhurave me shumë se rritja e shpenzimeve solli në rënie deficitin e skemës së pensioneve në një vlerë 45,6 miliardë lekë, 20% më e ulët se vitit 2022.

Deficiti i skemës së pensioneve është ndihmuar nga rritja e të ardhurave me ritme dy shifrore. Të ardhurat u nxitën nga shtimi i punësimit, rritja e pagës minimale dhe rritja e pagave në të gjitha nivelet vitin e kaluar. Në anën tjetër presionet mbi shpenzimet mbeten të ulëta pasi gjithnjë e më shumë pensionistë nuk po plotësojnë kriteret për pension të plotë.