Ministri Bushati merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor të oganizuar nga “Friends of Europe”

432
Sigal

Gjatë
qëndrimit në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në
Samitin e përvitshëm të Ballkanit Perëndimor të organizuar nga “Friends of
Europe”, me temë “Ballkani – Duke nxitur ndërlidhjen gjatë rrugës për në BE”.

Në këtë Samit të nivelit të lartë
ishin të ftuar dhe Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë
Johannes Hahn, ish-Komisioneri Stefan Fule, Drejtorja për Ballkanin në
Shërbimin e Jashtëm të BE-së Angelina Eichhorst, eurodeputetja Tanja Fajon, si
dhe shumë personalitete të tjera dhe studiues të çështjeve europiane.

Ndër temat e diskutuara në Samit
ishin rigjallërimi i procesit të integrimit europian, nxitja e biznesit dhe
investimeve në rajon, ndërlidhja në rajon, migracioni, punësimi, bashkëpunimi
rinor, dhe rreziku i radikalizmit.

Ministri
Bushati, gjatë fjalës së tij në panelin e “Anëtarësimit në BE– rruga e gjatë
nga vizioni në realitet” u ndal tek kontributi i veçantë e pozitiv që ka
luajtur anëtarësimi në BE në procesin e demokratizimit dhe shtet-konsolidimit të
vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe bashkëpunimin rajonal. Në të njëjtën
kohë, ai nënvizoi bashkëpunimin e suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor
dhe BE-së në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, duke theksuar se
“vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë partnerë të rëndësishëm dhe
luajnë një rol të posaçëm në arkitekturën e sigurisë se kontinentit. Ndaj kjo
qasje pozitive strategjike duhet reflektuar dhe në politikën e zgjerimit e cila
do të jetë në përfitimin reciprok të të dyja palëve”,  nënvizoi Ministri
Bushati.

Duke u ndalur në miratimin e
ligjit të Vetting-ut për jetësimin e reformës në drejtësi, Ministri Bushati u
shpreh se “Komisioni Europian ka vënë në dukje rëndësinë e veçantë të zbatimit
të ligjit të Vetting-ut si bazë e reformës në drejtësi dhe ndikimin që do të
ketë në përmbushjen e prioriteteve të tjera kyçe”.