MINISTRI AHMETAJ U JEP IMUNITET FISKAL “TË MËDHENJVE”

532
Sigal

Petraq BARJAMI

Qeveria u fal miliona lekë oligarkëve, dënon me burg të varfrit për një faturë të papaguar drite

Deputeti Braçe ia përplas në sy kritikën ministrit Ahmetaj: Shkoni në çdo qebaptore, po të mëdhenjve u falni miliona lekë

Qeveria e Rilindjes në 5 vitet e qeverisjes ka dhënë mbi 2.500 koncesione, sa Shqipëria ia kalon edhe Francës “socialiste”, siç pohoi në intervistën për gazetën “Telegraf” edhe Mark Craëford, kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë, për nga numri i madh i koncesioneve në raport me madhësinë e ekonomisë. Qeveria disa muaj më parë miratoi një ligj, ku bëri lehtësime fiskale biznesit të Lojërave të Fatit, ndërkohë, që ka vendosur barrë fiskale ndaj biznesit të vogël, duke i futur në skemën e TVSH-së. Qeveria ka miratuar edhe ligje dhe VKM për falje të gjobave dhe detyrimeve fiskale për biznesin e madh, ndërkohë që ka ashpërsuar Kodin Penal, duke e quajtur vepër penale nëse qytetari nuk paguan dot faturat e drejtave, edhe në rastet që nuk ka të ardhura familjare dhe vuan për bukën e gojës. Kështu, qeveria ka miratuar ligjin, që, për mosshlyerje të faturave të dritave, deri në 1 milionë lekë, OSHEE ka të drejtën e konfiskimit të pasurisë së patundshme, në të cilën është konsumuar energjia elektrike.

“Të mëdhenjtë” paguajnë fatura drite sa një familje e varfër, ndërsa harxhojnë miliona lekë

Ndodh edhe ky paradoks. Ka familje të varfra, që kanë në shtëpi vetëm 1 poç drite, as frigorifer, as televizor, ndërkohë që shteti u çon faturën e dritës me …400.000 lekë në muaj! Edhe kur fshatarët e varfër ankohen dhe shteti e kupton se “gaboi”, fatura e mbifaturuar e dritave nuk korrigjohet, por detyrohet fshatari që shumën e parave të faturuara ta paguajë me këste, edhe pse këto këste duan 100 vite të shlyhen nga mundësitë ekonomike të familjes. Por e kundërta ndodh me bizneset e mëdha, pronarë të të cilëve janë miq të deputetëve, të ministrave, ose janë kontributorë financiarë të partisë. Në faturat e dritave të tyre shuma mujore është 4.000 – 6.000 lekë, kaq sa harxhojnë energji elektrike edhe një familje me 4 pjesëtarë, ndërkohë që biznesi i tyre harxhon realisht miliona lekë energji elektrike në muaj. Askush nga qeveria nuk shqetësohet, sepse ky është një …imunitet fiskal për …miqtë biznesmen.

Deputeti Braçe: Nuk e mbyll gojën kur të mëdhenjtë kanë fituar imunitet fiskal

Qeveria e Rilindjes çdo vendim, çdo projektligj që harton, e vendos apriori, pa marrë mendimin, pa diskutuar asgjë as me deputetët socialistë. Kështu veprohet, derisa as deputeti Erion Braçe nuk e duron dot këtë padrejtësi të qeverisë dhe të ministrave të kabinetit të kryeministrit Rama. Ka pasur tensione në seancën e djeshme në Kuvend, edhe pse mungon opozita. Tashmë “opozitë” e qeverisë janë pakënaqësitë e deputetëve socialistë. Deputeti Braçe ka shkëmbyer replika me ministrin e Financave Arben Ahmetaj, teksa ishte duke u realizuar interpelanca për mënyrën e financimit të FSHF-së. Deputeti Braçe i kujtoi ministrit Ahmetajt faktin se evazioni fiskal është fokusuar te të vegjlit dhe jo të mëdhenjtë, që janë dhe ata që shkaktojnë dëmin më të madh në ekonomi. “Unë nuk pyeta sesa paguajnë klubet e futbollit, ekipet e futbollit apo lojtarët që luajnë me top në këtë vend. Unë pyeta, prej muajit shkurt në mënyrën më të qartë të mundshme, sa është tatimi mbi të ardhurat personale që paguhet nga FSHF? Dhe së dyti, sa është 10% që i takon buxhetit të shtetit nga e drejta televizive që ka tregtuar FSHF 10 vitet e fundit. Këto ishin dy pyetjet e mia për të cilat nuk mora përgjigje. Ose më saktë për të parën mora një përgjigje që është pjesore dhe që sjell në vëmendje apo më jep të drejtë për arsyen pse e kam thirrur këtë interpelancë. Në asnjë rast nuk do ta mbyll gojën para individëve dhe institucioneve që kanë fituar imunitet fiskal qofshin nderi apo llumi i kombit. Përpara ligjit fiskal janë të barabartë dhe kanë detyrime të paguajnë tatime e taksa. Pse u dashka ti jepet imunitet fiskal?! Po bëni detyrën dhe shkoni e trokisni në çdo dyqan, kafene e qebaptore, e mirë bëni por këta të mëdhenjtë kur do të paguajnë. Këta që administrojnë miliona lekë e që dalin e mburren nga mëngjesi në darkë. Duhet të jemi të parët”, – u shpreh deputeti Braçe në Kuvend. Mirëpo, në vend të reflektimit, apo të përgjigjej për kritikën e drejtpërdrejtë, ministri i Financave Arben Ahmetaj preferoi të qeshte, aq sa sërish deputeti Braçe u revoltua dhe shkëmbeu edhe replikë në ..ajër me ministrin Ahmetaj.