Ministri Ahmetaj, paaftësinë e ministrisë së tij, ua hedh barrë me gjoba bizneseve

195

Jakup B. GJOÇA

Ministri i Financave Arben Ahmetaj e ka kuptuar që ka dështuar gjithë sistemi që ka ngritur për të monitoruar veprimtarinë e bizneseve, por edhe të vjeljes së taksave dhe tatimeve. Kjo gjë dëshmohet edhe në gropën e madhe që hapet çdo vit mosarritjen e të ardhurave në buxhetin (e planifikuar nga ministri Ahmetaj), por edhe në paaftësinë shtetërore për të kontrolluar se cilat biznese janë aktive, apo janë edhe formale në Shqipëri. Këtë paaftësi profesionale të ministrisë së Financave, për të mos mundur të monitorojë aktivitetin financiar të bizneseve, Arben Ahmetaj, ministri i Financave kërkon që ta bëjë edhe …ligj. Ministri Ahmetaj, ka hartuar një projektligj, që do dënojë me gjobë bizneset, nëse në transaksionet e tyre, bëjnë veprime me një nga 120.000 bizneset e regjistruara në QKB, por që mund të jenë pasive, formale. Domethënë, bizneset, nëse blejnë apo shesin ndonjë kokërr domate, ndonjë tullë, ndonjë thes me çimento, së pari, duhet të bëjnë policin e Financave, që të kontrollojnë me rrënjë e degë “partnerin” e tyre, me të cilin kryejnë aktivitete biznesi, nëse kanë aktivitet aktiv, apo formal, sepse gjithë sistemi financiar shtetëror, që udhëheq ministri i Financave Arben Ahmetaj është i paaftë, i dështuar. Imagjinoni pasojat e këtij projektligji, sa absurd, por edhe sa burokrat të ministrit Ahmetaj ndaj bizneseve, që mund të kthehet shumë mirë edhe si “Shpata e Demokleut” mbi kokat e tyre. Atëherë, derisa ministri Ahmetaj, paaftësinë e tij e dekreton edhe me ligj, si mundet bizneset në Shqipëri të kryejnë veprimtari ekonomike? Kur sot duhet që bizneseve t’u krijohen lehtësira procedurale, favorizime fiskale, që Shqipërinë ta bëjë sa më konkurrente në thithjen e investimeve, paaftësia e ministrit Ahmetaj u vë barriera absurde ligjore, për t’i ndëshkuar me gjoba bizneset, nëse nuk bëjnë edhe policin financiar ndaj partnerëve të tyre ekonomikë.