Ministrat teknikë të PD-së: Zgjedhjet u blenë nga Rama, prokuroria të hetojë

490
Teknikët dorëzojnë raportin për zgjedhjet. Deklaratat pro dhe kundër tij. Zv/kryeministrja Mandija thotë, se raporti është në duart e ndërkombëtarëve
Ajo që pritej prej shumë kohësh dhe përflitej se mbahej peng nga ministrat teknikë, tashmë ka dalë në dritë. Raporti për zgjedhjet e 25 qershorit, i është dorëzuar jo vetëm kryeministrit Edi Rama por edhe ndërkombëtarëve. Gjashtë ministrat teknikë dhe zëvendës kryeministrja, të emëruar nga Partia Demokratike pas marrëveshjes Rama-Basha për garantimin e standardeve të zgjedhjeve të 25 qershorit dorëzojnë dorëheqjen tek kryeministri Edi Rama. Dorëheqjet u paraqiten mesditën e djeshme rreth orës 14:00 duke i dhënë fund në këtë mënyrë edhe bashkëqeverisjes PD-PS e lindur pas marrëveshjes Rama-Basha mbrëmjen e 18 majit. Kompetencat e tyre do t’i kalojnë zëvendësministrave deri në formimin e qeverisë së re. Së bashku me dorëheqjet ata dorëzuan dhe raportin me gjetjet për shkeljet e konstatuara gjatë fushatës dhe ditën e votimit. Për sa i përket raportit mësohet se prej qeverisë konsiderohet proceduralisht jo korrekt dhe i paligjshëm. Kjo me argumentin se nuk është diskutuar dhe miratuar në mbledhjen e Task Forcës sipas parashikimeve të VKM e cila e legjitimoi Task Forcën dhe përcaktoi funksionet e saj në zbatim të marrëveshjes Rama-Basha. Gjithsesi pritet që në 27 gusht, partia Socialiste të mbledhë asamblenë e saj, ku do të diskutohen zgjedhjet e 25 qershorit, por po ashtu dhe strategjia për mandatin e dytë qeverisës.
Raporti
Nga informacionet e Ministrisë se Brendshme rezulton se në zgjedhje janë angazhuar grupe të njohura kriminale në mbështetje të subjekteve politike, kryesisht në Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër. Policia e shtetit jo efektive në parandalimin e grupeve kriminale dhe korrupsionit zgjedhor. Koordinimi mes policisë së shtetit dhe ministrive dhe institucioneve të varësisë nuk ka qenë në nivelin e duhur për sa i takon monitorimit të sjelljes së administratës gjatë fushatës elektorale.
Shitblerja e votës fenomen i përhapur
Punonjës të nivelit të lartë të administratës dhe punonjës të policisë të përfshirë në shitblerjen e votës. Rekomandohet të merren masa për të gjetur përgjegjësit në strukturat e policisë të cilat nuk kanë mundësuar zbatimin e masave operacionale të dakordësuara nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit. Ministri i Brendshëm ka raportuar punonjësit e policisë që kanë mbështetur subjektet elektorale apo kanë bashkëpunuar me elemente kriminale. Ministri i ka kërkuar drejtorisë së policisë largimin nga detyra të këtyre punonjësve por drejtori i përgjithshëm policisë nuk ka marrë masat e kërkuara.
Nga institucionet shtetërore, kryesisht zv kryeministri dhe ministrat teknik si dhe policia e shtetit janë dërguar në prokurori rreth 110 të dyshuar për kryerje të veprave penale në fushën e zgjedhjeve të cilat janë në proces hetimi. Kërkohet fuqimisht një hetim efiçent dhe inkurajohet prokuroria të procedojë sa më parë në hetim të plotë të çështjeve të adresuara dhe të realizoje ndjekin deri në fazën finale të gjykimit. Është konstatuar përdorimi i aseteve në mbështetje të subjekteve elektorale nga Ministri, institucione varësie dhe Bashkitë. Janë përdorur aktivitete në kopshte, shkolla, inaugurimin e shesheve dhe rrugëve për fushatë elektorale të subjekteve elektorale në qeverisje si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore janë shpërndarë ftesa për të votuar një subjekt elektoral në kundërshtim flagrant me kodin zgjedhor. Nga ana tjetër shkolla kopshte ambiente të institucioneve janë vënë në dispozicion të subjekteve elektorale. Rekomandohet që në të ardhmen të jetë e ndaluar me ligj mundësia që aktivitete të tilla të jenë në shërbim të një subjekti elektoral si dhe të ndalohet me ligj shpendaria e ftesave për të votuar një subjekt elektoral të caktuar në ditën e heshtjes zgjedhore Gjithashtu rekomandohet te hetohet nga organet e prokurorisë apo edhe të auditohet nga KLSH në lidhje me përdorimin e fondeve publike në drejtim të realizimeve të ftesave, materialeve të tjera të propagandës dhe shpërndarjes së tyre nga Bashkia e Tiranës. Është konstatuar dhënia e privilegjeve të ndryshme gjatë fushatës elektorale si certifikatë pronësie, legalizime, premtim i vendeve të punës, premtim i vlerësimit kalues ose më të lartë gjatë procesit të maturës shtetërore. Rekomandohet që rastet e dhënies së privilegjeve në rastin e maturës shtetërore bursave të ekselencës, rastet e denoncimit të kontrabandës së kafesë, të rimbursimit të TVSH apo të subjektivitetit gjatë vlerësimit tatimor si dhe listat e ndihmës ekonomike duhet të jenë subjekt i auditit nga KLSH apo edhe e hetimit të mëtejshëm nga prokuroria me përfundime konkrete. Përfshirja e opozitës në qeverisje gjatë vitit elektoral, në funksion të garantimit dhe monitorimit të procesit zgjedhor është një praktikë shumë e mirë në kushtet e një demokracie të brishtë në Shqipëri, shpesh e shoqëruar me tensione politike, megjithëse kjo përfshirje për të qenë efektive duhet të ndodhë me parë, konkretisht nga 1 janari i vitit zgjedhor dhe jo pak javë para zgjedhjeve për kuvendin. Rekomandohet, 3-6 muaj para zgjedhjeve. Në këtë mënyrë procesi i monitorimit dhe masat e marra apo rekomandimet e dhëna nga task forca do të mund të kryhen më një ritëm normal pune. Njëkohësisht institucionet dhe entet apo shoqëritë shtetërore do të kenë më shumë kohë në dispozicion për të mbledhur apo për të përpunuar informacionin dhe për t’ia referuar atë task forcës të plotë e të saktë për çka kërkohet. Gjithashtu nisja e punës më herët nga task forca do të mundësonte edhe një monitorim më të mirë dhe më të hollësishëm të enteve publike dhe shoqërive shtetërore në drejtim të mospërdorimit të aseteve të tyre në funksion të fushatës politike apo mos lidhjes së kontratave të reja të punës si mekanizëm për të shtuar zgjedhësit që votojnë për një subjekt të caktuar politik, dhe deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve. Nëpunësit e administratës shtetërore janë përfshirë në fushatë elektorale për subjekte të caktuara në kundërshtim me ligjin. Rekomandohet që KLSH të auditorë të gjitha punësimet apo shkarkimet të kryera gjatë periudhës zgjedhore, në pushtetin qendror dhe vendor. Rekomandohet ndryshim ligjor që të ndalohen lëvizjet në administrate 6 muaj para zgjedhjeve. Kërkohet vijimi i hetimit nga ana e prokurorisë për te gjitha rastet e evidentuara për lëvizjet ne administrate 6 muaj para zgjedhjeve. Rekomandohet hetimi i ndryshimeve në tregun valutor për zhvlerësimin e euros që nga data 19/5/2017 deri më 27/6/2017 nëse ndryshimet e valutës janë lidhur me përdorimin e saj në mënyrë informale për shitblerjen e votave apo veprave të tjera penale në fushën e zgjedhjeve.
Sigal