Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj: Konsensus me palët e interesit për tarifën në Rrugën e Kombit

554
Sigal

Konsensusi me palët e interesit për rivendosjen e tarifës në Rrugën e Kombit

Ministrat Gjiknuri dhe Ahmetaj takohen me bizneset kosovare. U dakortësuan, pagesa të fillojë pas sezonit veror

Në kuadër të konsultimit me grupet e interesit përpara rivendosjes së tarifës së kalimit në rrugën Milot-Morinë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, bashkë me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri pritën në takim një përfaqësi biznesesh nga Oda Ekonomike e Kosovës. Gjatë këtij takimi u pohua rëndësia e madhe që rruga Milot-Morinë, e njohur si Rruga e Kombit, ka për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare. Palët u dakortësuan në qëndrime për nevojën emergjente, që ka kjo rrugë për një mirëmbajtje sa më profesionale e të vazhdueshme, ashtu sikurse për aplikimin e sistemit tarifor të kalimit si garanci për këtë mirëmbajtje.

Gjiknuri:Negociatat e qeverisë

Ministri i Infrastrukturës Gjiknuri tha se qeveria po negocion jo vetëm për të adresuar problemet e popullsisë lokale të Kukësit si një problem i brendshëm, por dhe për të adresuar nevojat e përgjithshme të bizneseve, pavarësisht nëse ato janë në Shqipëri apo në Kosovë. “Ne synojmë që për ata që janë udhëtarë të shpeshtë të kemi një zbritje dhe zbritja është duke u negociuar. Ne nuk do të bëjmë diskriminim tek bizneset. Nëse është bërë një përjashtim për qytetarët e Kukësit këto njihen dhe janë praktika në raport me komunitetet lokale për shkak të mungesës së rrugës alternative. Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës. Pra, ketë gjë ne e kemi parimore pasi me të drejtë atëherë do të krijoheshin disbalanca të tilla”, theksoi Gjiknuri.

Problemet e palës kosovare

Ministrat Ahmetaj dhe Gjiknuri dëgjuan me vëmendje shqetësimet e ngritura nga përfaqësuesit e biznesit të Kosovës lidhur me nivelin e tarifës dhe efektet e saj në kostot e tyre të transportit. Ata ranë dakord që bashkërisht të bëhen përpjekjet maksimale në drejtim të gjetjes së formave lehtësuese për mjetet e biznesit që lëvizin më shpesh në aksin Milot-Morinë. Nga ana e përfaqësuesve të biznesit u hodh edhe ideja që qeveria e Kosovës mund të kontribuojë gjithashtu për të lehtësuar barrën financiare që krijohet nga zbritjet tarifore dhe nevoja për mirëmbajtjen e aksit rrugor. Gjithashtu, përfaqësuesit e biznesit i propozuan ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri që rifillimi i zbatimit të tarifës së kalimit të mund spostohet në kohë pasi të kalojë sezoni i ardhshëm turistik.

Ahmetaj: Logjikë financiare progresiviteti

“Patjetër që ka një ndërgjegjësim, në të paktën një vit e gjysmë për atë që do të bënte tarifa e rrugës. Nuk diskutohet dhe diskutimi në ekuilibër midis kostos së rrugës dhe një kulture të re, nëse duhet ta themi kështu, por edhe kostos që do t’i ngarkonte qytetarët dhe bizneset ka qenë prezent. Ne jemi fokusuar në bazë të kontratës tek përdoruesit e shpeshtë. Kemi ndërtuar me Ministrin një logjikë financiare progresiviteti, pra për t’i dhënë një mundësi atyre që e përdorin rrugën. Pra, sa më shumë e përdor rrugën me kalime për kamion le të themi, aq më shumë ke mundësi të ulësh çmimin”, sqaroi ministri Ahmetaj. Më tej, ministri Ahmetaj u ndal tek efekti që ka në Buxhet çdo ndërhyrje lehtësuese në tarifat e kalimit në rrugën Milot-Morinë.