Ministrat e qeverisë Rama nuk do të jenë deputetë, a do të jenë apolitikë

500
Sigal

Programi i Rilindjes: Ndarja e pushtetit Ekzekutiv me atë Legjislativ do të jetë risia politike

Në zgjedhjet e 2009-s, Kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk pranoi që të kandidonte për deputet, por mendonte të ishte Kryeministri i qeverisë. Madje, kishte menduar që edhe ministrat e qeverisë së tij, nuk do të ishin deputetë. Ishte risia politike që Kryetari i PS-së, Edi Rama, kërkonte që të sillte në politikën shqiptare. Kjo ide e atëhershme, e parealizuar, ngaqë PS-ja nuk mundi të fitonte maxhorancën qeverisëse, duket sikur ringjallet, sërish, në programin për Rilindjen, të PS-së.

Konfirmimi

Vetë kryetari i PS-së, Edi Rama, dje ka zbardhur për herë të parë strategjinë e qeverisjes së “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, gjithmonë, nëse fitojnë në 23 Qershor. Sipas Edi Ramës, ministrat e qeverisë së ardhshme nuk do të jenë deputetë. Edhe ata drejtues të PS-së, që do të përfshihen në listat e PS-së, për të kandiduar për deputetë, por që mund të emërohen, më vonë, si ministra të qeverisë, do të lënë mandatin e deputetit. Edi Rama, edhe pse ka pohuar se vetë do të jetë kandidatë për deputetë, nuk ka zbardhur, nëse bëhet kryeministër, a do të vazhdojë të jetë deputet?

Përkushtimi në punë dhe kontrolli parlamentar mbi qeverisjen

Këto dy kushte janë ato që e detyrojnë kryetarin e PS-së, Edi Rama, të ndërmarrë një reformë të tillë politike në qeverisjen e ardhshme. Ky model qeverisjeje, sikurse kërkon që ta zbatojë kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk është i zbatueshëm në asnjë qeverisje të vendeve europiane, qoftë edhe ato të vendeve që janë të konsoliduara demokratikisht, nga ku mund të marrim shëmbëlltyrën sesi do të funksionojë qeverisja. Nuk bëhet fjala, për një, dy, apo tre ministra, që nuk kanë mandat deputetësh, por të cilët janë ftuar në kabinetin qeveritar si drejtues specialistë të ministrisë përkatëse. Ministra, pa mandat deputetësh, që kërkon ta zbatojë Edi Rama, nuk bëhet fjalë për një qeveri teknike, me ministra apolitikë, burokratë e specialistë. Kreu i opozitës, Edi Rama konfirmoi se, me ardhjen në pushtet socialistët, të cilët do të marrin postin e ministrit do heqin dorë nga mandati i deputetit, kjo sipas Ramës do të krijojë një ekuilibër të ri dhe hapësirë më të madhe për kontrollin parlamentar.  “E kundërta është e vërtetë, ministrat do zgjidhen mes deputetëve, por me marrjen e mandati të ministrit heqin dorë nga mandati i deputetit. Ato do jenë figura politike, që janë pjesë e skuadrës sonë të Rilindjes, por do të bëjnë një ndarje të punëve, siç kemi rënë dakord dhe e kemi sanksionuar në marrëveshjen meLSI-në, por edhe në marrëveshje me forcat e tjera të koalicionit duke bërë që pushtetet (legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor) të bëjnë funksionimin e tyre, dhe duke krijuar kështu një ekuilibër të ri dhe hapësirë të madhe për kontrollon parlamentar, por edhe për t’i kryer punët në shërbim të publikut shumë më mirë, duke shtuar numrin e njerëzve tanë pjesëmarrës në këtë hapësirë që nesër do jetë e ndarë mes Parlamentit dhe qeverisë”, sqaroi Rama.

Pikëpyetjet

Kryetari i PS-së, Edi Rama, është frymëzuar, në risinë politike që kërkon të sjellë në politikën shqiptare, nga modeli i qeverisjes së qeverisë amerikane, ku ministrat nuk janë senatorë. Që të kuptojmë idenë dhe risinë e Edi Ramës, për qeverisjen e tij, sipas modelit të qeverisjes së amerikanëve, lindin disa pyetje, të cilat, deri tani, kryetari i PS-së, nuk i ka zbardhur. Ministrat, do të jenë burokratë? Do të jenë specialistë përkatës? Apo, do të jenë drejtues politikë? Sepse, që një ministër, që deri më sot ka qenë tërë jetën deputet dhe lë mandatin e deputetit për t’u bërë ministër, në një dikaster, që nuk ka lidhje me specialitetin e vet, a mund të quhet ministër apolitikë? Një ministër apolitikë, është vetëm burokrati dhe specialisti që do të drejtojë institucionin e ministrisë, në saj të aftësive dhe integritetit intelektual dhe profesional dhe jo në bazë të kontributeve politike të deritanishme. A është më i mundshëm dhe më i përgjegjshëm kontrolli parlamentar në qeverisjen e vendit, nëse ministrat nuk janë deputetë? Kjo nuk është as risi dhe as fakt bindës, e ca më tepër, për nivelin e demokracisë në Shqipëri, që lë shumë për të dëshiruar. Nga praktika e qeverisjes në vendin tonë, është provuar që kontrolli parlamentar mbi qeverisjen varet më shumë sa e vullnetshme politikisht është maxhoranca, që të lejojë Kuvendin që të ushtrojë detyrën e vet Kushtetuese, sesa qenia apo mosqenia e ministrit deputet. Për shembull, moslejimi i ushtrimit të kontrollit parlamentar në ministrinë e Mbrojtjes, e cila është kërkuar nga deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ka ardhur nga mosdëshira e vullnetit politik të Kuvendit, sesa nga qenia e ministrit Imami, edhe deputet. Ajo që mbetet për t’u provuar, është nëse vërtet kjo iniciativë politikë që ka ndërmend të zbatojë Edi Rama, do të përbëjë risi politike në qeverisjen shqiptare, apo një eksperiment i një lloji tjetër politik.

Rama, thirrje demokratëve: “Shpëtojeni PD-në duke mos e votuar!”

Duke shprehur besimin se më 23 Qershor, Kombinati do votojë për PS-në, Rama tha se pikërisht kjo votë do vendosë fatin e Shqipërisë. “Vota e 23 Qershorit një votë për të vendosur mes shkatërrimit të mëtejshëm të biznesit të vogël dhe të madh që s’ka lidhje me familjen e kryeministrit”,-tha Rama. Kreu i PS-së më tej i bëri thirrje simpatizantëve të PD-së, të mos e votojnë Berishën, për të shpëtuar këtë parti. “PD-ja sot është katandisur në parti familjare që kontrollon pushtetin nëpërmjet votave të vjedhura. Ne do tu kthejmë qytetarëve shtetin që ju shërben dhe ju duhet të gjithëve, shtetin e njerëzve të aftë, jo shtetin e kapur pas interesave të ngushtë të përqendruar në grushtin e një personi”,- tha Rama. Vota e 23 Qershorit sipas Ramës do shërbejë për të reformuar shëndetësinë dhe arsimin. “Kujdesi shëndetësor nuk është mall, ne do ta japim falas për të gjithë. E drejta nuk është mall por i takon secilit me zot e zakon me kushtetutë e ligj, kush ka të drejtë do ta marrë të drejtën e vetë, duke filluar nga qeverisja e këtij vendi me drejtësi. Duam ta kthejmë rrugën drejt humnerës ku ka shkuar arsimi në Shqipëri, që 15% e 15- vjeçarëve janë analfabetë funksional që kanë mbaruar shkollën 9- vjeçare dhe që se vënë dot atë në funksion. Është edhe një votë dhe për ata që nuk votojnë dot, fëmijët meritojnë shkollim të denjë. Sistemi arsimor një masakër e vërtetë”,- tha Rama më tej