Ministrat e Jashtëm të BE-së i mbyllin dyert Shqipërisë

514
Sigal

Katër shtetet kryesore të BE-së kundër reformave në letra të qeverisë Rama. KiE miraton një tjetër draft me 6 pika të cilat duhet të plotësohen nga qeveria përpara cceljes së kapitullit të parë.Zgjidhja e ngërccit politik, Reforma Zgjedhore, ngritja e gjykatave, ndëshkimi I krimit electoral dhe korrupsionit.

 

Drafti i Këshillit të Evropës konfirmon kushtet dhe afatet kohore

Ministrat e Jashtëm të BE: Nuk ka hapje negociatash për Shqipërinë

Këshilli Evropian kërkon një rrugë të mesme për Shqipërinë. Nga njëra anë, nuk do që të hapë negociatat për anëtarësim, ngaqë disa shtete po vënë veton, nga ana tjetër, nuk do që të demoralizojë Shqipërinë, e sidomos shqiptarët, duke u thënë, që do të propozojë hapjen me kushte të negociatave dhe me afate kohore.

Drafti i KiE

“Në dritën e progresit të arritur në reformat dhe kushteve të përcaktuara unanimisht nga Këshilli në Qershor 2018, Këshilli, duke iu nënshtruar miratimit nga Këshilli Evropian, vendos të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë. Këshilli fton Komisionin të paraqesë, pa vonesë, një propozim për një kornizë për negociatat në linjë me konkluzionet e Këshillit Europian dhjetorin e vitit 2006, dhe integrimin e qasjes së rishikuar me qëllim që të sigurojë që negociatat e pranimit të jenë më graduale, më konkrete në përfitimet që ato dt`I sjellin vendeve të interesuara, duke përfshirë këtu dhe stimujt për të nxitur reformat dhe kthyeshmërinë kur ka përparim të pamjaftueshëm. Për të mbështetur hovin e vazhdueshëm të reformës, parimi i parë themelor duhet të integrohet në procesin e negociatave, duke përfshirë një qasje të përforcuar ndaj sundimit të ligjit. Korniza e negociatave do të adoptohet nga Këshilli. Para konferencës së parë ndërqeveritare, e cila duhet të zhvillohet jo më vonë se gjysma e parë e vitit 2020, në varësi të progresit të bërë, Shqipëria duhet të sigurojë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, e të avancojë më tej në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.

Para se të çelen kapitujt e parë, Shqipëria duhet të zgjidhë çështjet

  1. Nisjen e hetimeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të dyshuar për sjellje kriminale mbështetur në gjetjet e procesit të vetting-ut.
  2. Nisje hetimi për rastet dhe akuzat për krim elektoral.
  3. Ngritja dhe funksionimi i SPAK.
  4. Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë zyrtarët e nivelit të lartë.
  5. Duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE / ODIHR.
  6. Të zbatohet çdo vendim i qenësishëm u Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019

Klasa politike shqiptare të zgjidhë ngërçin politik

“Partitë e opozitës duhet të riangazhohen në mënyrë konstruktive në institucionet demokratike. Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në agjendën e reformës në BE dhe për dialog me qëllimin të kapërcehet polarizimi politik”, thuhet në draft.

Ministrat e Jashtëm: Veto Shqipërisë

Në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të BE, nuk është arritur dakordësimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në fund të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, vend që ka presidencën e radhës së BE, Tytti Tuppurainen, deklaroi se në mbledhje është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut. “Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze. Ndërsa, eurodeputeti Johannes Hahn tha, se 25 vende janë shprehur pro hapjes së negociatave të të dy vendeve, ndërsa nuk janë bindur ende tri vende të tjera.

Vendimmarrja në 17-18 tetor

Vendimi për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të merret në Samitin e liderëve të BE më 17-18 Tetor. Në mungesë të konsensusit nga ministrave të Jashtëm çështja e negociatave sipas ministrit rumun për çështje evropiane George CIAMBA nuk do të diskutohet fare nga krerët e shteteve në Këshillin Evropian më 17-18 Tetor.

4 shtetet kundërshtojnë reformat e Ramës

Sipas gazetës franceze, “Les Echos”, Franca mbetet e vendosur për të mos hapur negociatat me Shqipërinë. Ajo mbështetet nga Holanda, Danimarka dhe Spanja. Agjencia gjermane, DPA nënvizon se Franca ka përforcuar planet e saj për veton. Në një takim të posaçëm të ambasadorëve të BE, pala franceze e ka bërë të qartë se nuk do të japë pëlqimin as për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, njoftuan diplomatët të hënën në mbrëmje në Luksemburg. Franca është e izoluar në këtë pozicion në BE, por ajo duket e vendosur për të mos ndryshuar më. Me refuzimin themelor të negociatave të reja të pranimit në BE, qeveria e Parisit kundërshton jo vetëm të gjitha vendet e tjera të BE, por edhe presidenten e ardhshme të Komisionit të BE, Ursula von der Leyen dhe udhëheqësit aktualë të BE. Në një letër këta të fundit, kishin kërkuar nisjen e negociatave të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Megjithatë, qeveria në Paris e shikon ndryshe. Ajo e konsideron përparimin e deritanishëm të reformave në të vendet si të pamjaftueshëm dhe kërkon gjithashtu një reformë themelore në procesin e miratimit si një parakusht për miratimin. Ajo ka gjetur mbështetje vetëm në refuzimin e Shqipërisë. Për këtë janë dakord edhe Holanda dhe Danimarka. Vendimi final për nisjen e negociatave do të merret të martën në ministerialin e BE në Luksemburg. Nëse Franca vendos veton aty, çështja pritet të ndezë diskutime të enjten në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive në Bruksel.

Holanda: Jo Shqipërisë, po Maqedonisë së Veriut

Ministri i Jashtëm holandez, Steff Blok në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE: “Holanda i qëndron mendimit se çdo vend duhet të gjykohet mbi meritat vetjake. Sa i takon Maqedonisë së Veriut ne mendojmë se ka një ligj të rëndësishëm që duhet të adoptohet, që është ligji për pavarësinë e prokurorisë dhe mendojmë që sapo të miratohet negociatat duhet të hapen. Për Shqipërinë, mendojmë se duhet ende të tregojë më shumë progres.”

Finlanda veçon Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria

Presidenca finlandeze e BE-së propozoi zyrtarisht që të veçohet vendimi për Maqedoninë e Veriut, nga ai për Shqipërinë, lidhur me hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian, bëjnë të ditur burime të Radios Evropa e Lirë. Presidenca finlandeze së shpejti duhet të dalë me një draft të ri, që do të lejojë që, së paku Maqedonia e Veriut të marrë një vendim pozitiv të martën, ndërkaq Shqipërisë do t’i kërkohet të përmbushë kushtet e nevojshme para se të fillojë procesi.