Ministra janë, gafa bëjnë!

278
Sigal

Nga Erion Dasho

E hapi lojën z. Klosi kur deklaroi se COVID përhapet nëpërmjet “valëve të muzikës” duke hyrë në një fushë ku nuk e lidh as profesioni dhe as objekti i Ministrisë që drejton.

Sikur të mos mjaftonte gafa e parë, shprehjes së habisë nga ana e moderatorit, iu përgjigj me fjalë dhe gjeste siguruese duke e garantuar se ato që thoshte ishin e vërteta e kulluar e cila nuk duhet vënë në dyshim.

Më vonë Ministrja e Financave iu rikthye një teme tashmë të konsumuar nga kolegia e vet e Shëndetësisë, rolit që ka testimi në kontrollin e COVID.

Edhe Ministrja e Financave në një fushë ku nuk ka as kompetencë dhe as tagër të përfshihet si përfaqësuese e Qeverisë, deklaroi sërish se testimi nuk është i rëndësishëm për kontrollin e përhapjes së COVID.

Në ndryshim nga kolegu i Turizmit, Ministrja e Financave deklaroi burimin e këshillës që ishte Komiteti i Ekspertëve.

Deklaratat e dy ministrave janë joprofesionale dhe ngatërrojnë më tej publikun i cili është lënë në mëshirë të sëmundjes nga Qeveria ku ata bëjnë pjesë.

Dy ministrat do të bënin mirë sikur të fokusoheshin në fushat e tyre që janë dy sektorët më të dëmtuar nga pandemia dhe të lënë specialistët e Shëndetësisë dhe Shëndetit Publik të sqarojnë publikun.

Testimi është fillesa e trinomit testo-gjurmo-trajto! Këtë trinom janë duke e zbatuar të gjithë vendet e përgjegjshme dhe nuk ka ngelur ta vendosë në diskutim Komiteti i të paaftëve shqiptarë që paska nisur të rijapë këshilla pasi kaloi verën në ilegalitet!

Për sa i takon Ministrit që ngatërron tekstin me muzikën, kjo mund të kalohet edhe me një të qeshur…