Mimoza Hafizi: Nuk largohem nga LIBRA

410
Ish-deputetja Mimoza Hafizi deklaroi se nuk do të largohet nga partia LIBRA, pavarësisht problemeve dhe përplasjeve me kryetarin Ben Blushi. “Prej disa ditësh, miq të Libra-s, anëtarë dhe votues të saj, janë tronditur nga një mesazh tejet vulgar dhe fyes drejtuar ndaj meje prej z. Ben Blushi. Kam heshtur me kokën ulur, sepse autori ishte aleati im politik prej dy vitesh, ishte njeriu që kam besuar e mbështetur si kryetar të forcës sonë politike, ishte njeriu që vetëm 5 muaj më parë kam bërë thirrje të votohet deputet. Besimi dhe garancia që i dhashë janë tashmë peshë e rëndë në ndërgjegjen time dhe faj ndaj jush”, u shpreh Hafizi. Sipas saj, “ai mesazh ishte vetëm imazhi brutal i një mospajtimi parimor mes nesh”. Ish-deputetja socialiste dhe themeluese e LIBRA-s nënvizoi se në këtë situatë të vështirë miq të mirë i kanë sugjeruar largimin nga ajo çka mbetur prej LIBRA-s. “E kam menduar gjatë, por më duket një zgjidhje e padenjë për mua që nuk i jam shmangur asnjëherë betejave për të vërtetën. As kësaj të fundit, për t’ju treguar që z. Blushi nuk përfaqëson më asgjë nga Libra që themeluam me 1 Nëntor të vitit të kaluar. Tentativa e tij uzurpuese dhe çekuilibri i tij etik po e çojnë drejt greminës projektin që ngritëm me aq mund e dashuri”, tha Hafizi. Ajo tha se do të jetë në dispozicion të çdo aksioni politik që mund t’i sillte Libra-s frymën dhe parimet e fillimit.
Sigal