Miliona euro shpenzohen për luksin e zyrave të qeverisë, ndërkohë që shqiptarët marrin arratinë nga Shqipëria

561
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Në 2 vitet e fundit janë harxhuar për komoditete zyrash 140 milionë euro, ndërsa hiqen nga skema ekonomike mijëra familje

Kryeministri Rama para disa ditësh bëri me dije se, në 1 prill 2019 do të rriten  për herë të parë në këto 5 vitet e fundit, rrogat e disa nëpunësve, si në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje, e kjo rritje do të jetë 4 – 10 për qind. Para disa javësh, ministri i Financave, Arben Ahmetaj pohoi se qeveria do të rritë indekset e pensioneve, mirëpo, pohoi se ato do të rriten vetëm për ata që kanë dalë pas vitit  1994, duke veçuar, diskriminuar pensionistët që kanë dalë në pension para 1994-s.

Disa shifra zyrtare të luksit të Ramës e paratë e shqiptarëve

Edi Rama përgjatë katër viteve të qeverisjes duket se ka pasur një pasion të shfrenuar për rritjen e shpenzime të luksit. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Sipas portalit boldnews.al,  për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016 kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.

Viti 2017 30 milionë euro për luksin e kryeministrisë

Për vitin 2017 Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që studiojnë në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga, Arben Ahmetaj, i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash. Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore. Abuzimi me fondet për shpenzimet e luksit do të vazhdonte dhe në vitin 2016. Nga fondi i investimeve publike ajo do të merrte 20 milionë euro për rikonstruksione dhe mobilim zyrash, ndërsa 2.6 milionë euro i kaluan aparatit të Kryeministrisë për shërbimet jashtë vendit. Për këtë vit, fondin për përmirësimin e zyrave e ka marrë Ministria e Ekonomisë, e cila me 20 milionë euro investim duket se do të jetë kthyer në ndonjë hotel me 5 yje që do e kishin zili dhe sheikët e Dubait.

Shpërngulen nga Shqipëria 560.000 shqiptarë

Shpopullimi masiv i Shqipërisë, ku qindra mijëra shqiptarë duan që të shpërngulen në ditët tona nga Shqipëria, për të kërkuar një jetë tjetër në çdo vend të botës,  është një fatkeqësi kombëtare dhe treguesi më domethënës i keqqeverisjes dhe humbjes së shpresës, se në Shqipëri mund të jetojmë më mirë.  Në dhjetë vitet e fundit, 560 mijë shqiptarë janë shpërngulur nga Shqipëria dhe janë pajisur për herë të parë me leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian, sipas të dhënave të publikuara sot nga Eurostat dhe të përpunuara nga Monitor. Numri i shqiptarëve që janë pajisur me leje qëndrimi në 10 vitet e fundit në vendet e BE-së, përllogaritet të jetë sa 19.5% e popullsisë aktuale të Shqipërisë, bazuar kjo në të dhënat e Eurostat për lejet e qëndrimit, INSTAT  për popullsinë. Pas 2013-s numri i lejeve të qëndrimit u rrit sërish, nga 2014 deri 2017-n kur u pajisin me leje qëndrimi për herë të parë rreth 200 mijë shqiptarë. Kjo përkon me valën e re të emigracionit, ku aplikimet për azil në 2015-n arritën mbi 60 mijë. Në vitin 2017, numri i lejeve të qëndrimit të lëshuara për shqiptarët nga vendet e BE-së ishte 51 mijë e 600, ku rreth 29 mijë u dhanë për arsye familjare, rreth 2000 për arsye shkollimi dhe 5 mijë për punë. monitor