Mijëra kuksianë mikpresin Bashën! Në 16 Shkurt të gjithë në Tiranë për t’i dhënë fund izolimit dhe varfërisë

435
Sigal

Me mijëra kuksianë pritën sot Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu bashkuar me entuziazëm ftesës së tij për të marrë pjesë në protestën e 16 Shkurtit.

Kuksianët shprehën hapur shpresën e tyre tek Lulzim Basha dhe plani i Partisë Demokratike për të nxjerrë Kukësin nga izolimi dhe varfëria.

“Je i vetmi që vjen, na takon dhe na qan hallin, kurse ai tjetri vetëm e ka shpopulluar Kukësin”- u shpreh një banor i Kukësit, ndërsa një tjetër e krahasoi izolimin e Kukësit me Gazën.

“Vendosja e taksës së Rrugës së Kombit na ka izoluar. Ne po jetojmë më keq se minoritetet, se minoritetet kanë të drejta, por ne kemi dy dogana, një në Morinë dhe një në Kalimash” – u shpreh një banor kuksian, duke iu drejtuar Bashës se atë e shohin si të vetmen ndihmë dhe shpresë të tyre.

Kreu i opozitës i garantoi banorët e Kukësit se izolimi i tyre do të marrë fund me qeverisjen e Partisë Demokratike.

“ Çdo padrejtësi që Edi Rama ka bërë ndaj Kukësit, do ta zhbëjmë në javët e para të qeverisjes sonë, duke nisur me anullimin e traut. Taksa për Rrugën e Kombit do të zerohet” – u shpreh Basha.

Kreu i opozitës, bashkë me banorët e Kukësit, dënuan politikën e spastrimit dhe zbrazjes së Kukësit. Një banor i tregoi zotit Basha se nga familja e tij kishin emigruar këto vite 15 anëtarë të familjes së tij, të gjithë të rinj të papunë. Basha tha se zgjidhja e PD për të rikthyer shpresën dhe besimin bazohet në dy drejtime:

Së pari, duke fuqizuar ekonominë.

Së dyti, duke rihapur Universitetin në Kukës.

Masat e stabilizimit të ekonomisë do të jenë të menjëhershme dhe do të rrisin konsumin:

Eliminimi i taksës Rama mbi karburantin, duke e bërë 300 lekë më lirë për litër

Ulje e çmimit të emergjisë elektrike.

Biznese me xhiro nën 140 milionë lek të vjetra në vit, do të hiqen nga TVSH.

Do të ketë vetëm një tatim, 0.5% e xhiros vjetore dhe gjithçka tjetër do të anullohet.

Gjimnazisti Blerim Cena, i cili i tha Kryetarit Basha se shumë nxënës nga shkolla e tij kanë ikur emigrantë, e priti me entuziazëm angazhimin e Bashës për të rihapur Universitetin.

“Rihapja e Universitetit të Kukësit është një nga planet për të ndaluar zbrazjen. Kemi në plan ta kthejmë Kukësin në qendrën e kualifikimeve profesionale sipas modelit gjerman”, tha Basha.

Një nga masat e planit të PD qe banorët e Kukësit pritën me duartrokitje ishte dëmshpërblimi për përmbytjen nga hidrocentrali.

“Ne nuk duam lëmoshë. Duam të na trajtojnë si të barabartë, kemi nevojë për vende pune, jo të na vjedhin me lekët që fitojnë vetë nga hidrocentrali”.

Kryetari Basha tha se vlera e dëmshpërblimit është 71 milionë euro, por kjo nuk do të thotë se nuk ka para, sepse sipas investigimeve, familjarët e Ramës fituan në 8 orë 4.5 milionë euro nga KESH.

Hapi i parë do të jetë ngritja e komisionit për dëmshpërblimin

Hapi i dytë do të jetë vendosja me ligj e dëmshpërblimit sipas vlerës së tregut. “Nuk ju premtoj se do ta bëjmë për një vit, por brenda dy viteve do ta zgjidhim këtë çështje”.

Basha u tha banorëve të Kukësit se “në kushtet e papunësisë, padrejtësisë, pasigurisë, kur kanë mbaruar rrugët politike, qytetarët kanë detyrimin t’i japin vendit zgjidhjen që Edi Rama refuzon t’ia japë, duke pranuar një qeveri tranzitore. Ai ka edhe një javë kohë dhe pas kësaj do të përballet me popullin”.

Fjalëve të një kuksiani, i cili foli për shtetrrethim të Kukësit, Basha iu përgjigj me ftesën për të ardhur në Tiranë më 16 Shkurt.

“Ta rrethoni në Tiranë dhe të tregoni se fuqia është në duart tuaj dhe jo në duart e tyre”.