Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka reaguar ashpër pas lajmeve mediatike se midhja e Butrinit rezulton me salmonelë. Në një postim në FB, Panariti e cilëson këtë një bllof të pastër për të nxjerrë nga loja midhjen më të pastër të Mesdheut. Panariti shkruan se asnjë raport zyrtar nuk e fakton këtë që ai e cilëson shpifje të qëllimtë.
Komenti i plotë i Panaritit
“Në pragun e sezonit, kur midhja e Butrintit përgatitet të jetë në menynë dhe pjatat e mijëra turistëve që po frekuentojnë plazhet tona, doli lajmi i bujshëm. “Midhja e Butrintit me salmonelë”!!! Ndal konsumit te saj!! Ndërkohë, asnjë raport zyrtar analitik mbi ngarkesën bakteriale, serotipin e identifikuar, mostrat e mbledhura metodën zbuluese të përdorur, si ku, nga? Pse tani?! Po më parë?!..Asnjë prononcim sqarues, shterues nga institucioni monitorues dhe analizues. Shkurt një bllof, i pastër për të nxjerrë nga loja midhjen më cilësore të Mesdheut…duke dëmtuar ata dhjetëra prodhues, që kanë pritur pikërisht këtë çast për të fituar nga mundi i një viti të tërë përpjekjesh dhe shërbimesh!!… Por mos të mërziteni të dashur turistë vendas dhe të huaj. Pa merak!! Nuk do mbeteni pa “molusqe” dhe fruta deti, sepse sapo na erdhi një ngarkesë e bollshme e tyre nga importi.”