Meta: Zgjerimi koalicionit fuqizon maxhorancën në rrugën e reformave

368
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, njëkohësisht edhe kreu i LSI-së, forcës së dytë më të madhe në pushtet, gjatë një interviste mbrëmjen e djeshme në Top Story, ka folur lidhur me zgjedhjet lokale të 2015 si dhe ka komentuar vizitën e Vuçiç në Tiranë.
Sigal

-Do të doja ta nisja me ngjarjet lidhur me takimin e fundit rajonal në Tiranë, e natyrisht me vizitën historike dhe të parën e një kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, të cilin e takuat gjithashtu edhe ju, madje shkaktuat edhe shumë debate, për shkak të sfondit gjatë shtrëngimit të duarve, me Isa Boletinin.

Isa Boletini ka qenë aty që në ditën e parë që unë kam filluar takimet dhe aty do të jetë gjithmonë.

-Si e komentoni këtë vizitë?

Mendoj se ishte një vizitë shumë e suksesshme sepse për herë të parë një kryeministër i Serbisë vjen në vendin tonë, dhe së dyti ka dhënë mesazhe mjaft pozitive për të gjithë rajonin, por edhe për Bashkimin Europian e partnerët tanë ndërkombëtarë. Edhe reagimi i Johannes Hahn, që vlerësonte këtë vizitë tregon qartë se Shqipëria dhe Serbia ndiejnë përgjegjësi për të ardhmen e tyre dhe të të gjithë rajonit dhe kanë vendosur të bashkëpunojnë ngushtë. Temat që njihen si delikate do të mbeten, por interesat janë shumë më të mëdha, që i takojnë së ardhmes së dy vendeve dhe popujve tanë.

-Në fakt, zoti Rama ka qenë kryeministri i parë që ka shkuar në Beograd, pas shumë vitesh, por zyrtari i parë i lartë që ka shkuar atje keni qenë ju, në vitin 2002, si zëvendëkryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Kam pasur fatin të jem edhe unë në atë vizitë, së bashku me disa kolegë të tjerë. Në atë kohë, Rama ishte shumë larg politikës së jashtme dhe mbante postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Jeni i lumtur apo jo, që ky rol i juaji në politikën e jashtme është zbehur disi?

Jam shumë i lumtur, që kemi një stad të ri të marrëdhënieve me Serbinë. Duhet të ishim shumë më të avancuar, pasi përpjekjet kanë qenë prej kohësh të tilla. Duhet të çlironim ato komplekset dhe përpjekjet për t’i orientuar marrëdhëniet sipas interesit të lajmeve bombastike të ditës që kërkon shtypi, sepse sot ka ikur koha kur konkurronte Shqipëria me Serbinë dhe Maqedoninë. Sot konkurron Ballkani me rajone të tjera në botë, sepse bota është globalizuar. Në rast se Serbia ka vështirësi apo ka ndonjë situatë problematike, apo një rast si ai i Maqedonisë, ky përbën një problem për të gjithë Ballkanin. Në mendjen e një gjermani apo europiani nuk mbetet Kumanova apo Maqedonia, por i gjithë Ballkani, duke i cënuar kështu të gjithë vendet. Ne jemi ndërgjegjësuar se, e ardhmja jonë më e mirë do të thotë një ekonomi më e mirë, që kërkon siguri, paqe dhe një imazh tjetër. Për këto duhen projekte konkrete, që përmirësojnë infrastrukturën midis vendeve tona. Ndaj jam shumë i kënaqur që, kompania e cila filloi punimet e autostradës Tiranë-Beograd, nga 3 herë në javë tani është bërë përditë, duke treguar kështu që ka interes, ka komunikim, e rrjedhimisht do të ketë edhe marrëdhënie. Shqipëria dhe Mali i Zi, për shembull, para se të hiqeshin vizat ishim thuajse njësoj siç kemi qenë ne dikur me Serbinë, sepse komunikimi i jashtëzakonshëm i krijuar këto vitet e fundit i ka bërë marrëdhëniet tona të shkëlqyera. Interesi është gjithmonë i përbashkët dhe shumë i madh.

– Roli protagonist që ka marrë mazhoranca shqiptare na bën entuziastë ne shqiptarëve, por krijon edhe tensione, si në rastin e vizitës në Beograd, ashtu edhe fërkimet e fundit me Athinën, mos po luhet rrezikshëm me këto terma nga Rama?

Nuk duhet të ndikohemi shumë nga reagimet e ditës. Marrëdhëniet me Greqinë janë të interesit strategjik dhe në këtë drejtim ka një mospërputhje interesash. Për këto gjëra ka marrëveshje ndërkombëtare, komisione të përbashkëta, sepse ne do shohim interesin tonë, por do njihemi edhe me atë të fqinjit tonë. Kemi rastin e detit. Ne kemi Gjykatën Kushtetuese, por ka edhe institucione ndërkombëtare që mund t’i referohemi kur kemi përplasje. Marrëdhëniet janë shumë të ngushta mes Greqisë dhe Shqipërisë, mes shqiptarëve dhe grekëve.

– Keni një dekadë që ndikoni në drejtimin politik që merr vendi. Në 2005 përçarja e të majtës solli të djathtën, ribashkimi me PS në 2007 solli fitoren në zgjedhjet vendore, ndërsa në 2009 mbajtët të djathën në pushtet dhe në 2013 erdhët me të majtët, nuk keni frikë se ky zgjerim…. nuk e di nga kush po kërkohet… nuk keni frikë se mos humbni atë që quhet “king maker”?

Kam qenë partizan i zgjerimit pasi na duheshin për reformat, që vështirë të realizoheshin pa kontributin e PDIU-së, zgjerimi e fuqizon mazhorancën në rrugën e saj të reformave.

– Disa sondazhe e nxjerrin LSI-në me përqindje me 1 shifër, ndërkohë që në zgjedhjet e fundit ka qenë më dy shifra dhe e lartë, ju keni sondazhet tuaja?

Nuk besoj asnjë nga sondazhet që kanë dalë, sidomos për LSI, sepse ka një tendencë për të ulur peshën e LSI-së. Por kjo nuk ka rëndësi tek votuesit, sepse ka rëndësi mesazhi që thotë një parti, dhe mqs jemi tek loja e sondazheve, do t’ju them që sondazhet janë bërë qesharake këtu, si një sondazh para 2013, që kishte edhe një emër të madh që e nxirrte LSI 2 përqind, PD shumë para PS, e ku di unë dhe disa parti të tjera shumë modeste, shumë më mirë. Unë sondazhin e bëj çdo ditë në komunikimin me njerëzit. Nuk vë bast pë 21 Qershorin, sepse edhe angazhimi ynë është modest. Ne i japim prioritet kandidatëve. 

– Kolegji Zgjedhor ka rikthyer kandidatin e PD në Kurbin, vëllain e Mhill Fufit…

Kolegji është për këtë detyrë, që të shqyrtojë vendimet e KQZ-së.

– Dekriminalizimi është një çështje që ka shumë mbështetje nga ndërkombëtarët, por hap edhe një debat kushtetues, sepse dënon njerëz që nuk janë të dënuar nga ligji shqiptar, ndërkohë që ndërkombëtarët po ngulmojnë…

Sa i takon ndërkombëtarëve ka standarde të ndryshme në këto raste. Edhe ata vetë janë në pozitë të vështirë, sepse ndryshe e ka një vend dhe ndryshe një tjetër. Është një çështje e ekzagjeruar, një qasje banale e opozitës. Deputetë të dënuar ka patur kudo dhe ka akoma. Dekriminalizimi është pjesë e përpjekjeve të opozitës për të dëmtuar imazhin e vendit. Jemi gati të bashkëpunojmë me opozitën për të ngritur standardet e Kuvendit, por opozita edhe këtu ka standarde të dyfishta, sepse kur një gjykatë e dënon, thotë është politike dhe prap e kandidon dhe se ne do të quajmë të kriminalizuar, atë që themi ne.

– Ju kam vënë re në një angazhim personal në Shkodër, aq sa Tom Doshi ka thënë që të mos votohet Bazhdari, por të votohet Voltana Ademi?

Angazhimi im me Shkodrën është i hershëm dhe pa modesti më duhet të them, edhe pse kam qenë kryeministër në një kohë të shkurtër, kam marrë disa vendime shumë të rëndësishme, që kanë qenë personale, për shkak të shqetësimit që kjo zonë kishte mbetur e margjinalizuar nga zhvillimet. Rruga Lezhë-Shkodër është miratuar në vitin 2000, dhe është vepra më e madhe e ndërtuar vetëm nga buxheti i shtetit, që kam bërë unë, rruga e Velipojës, që ka ardhur koha të rindërtohet, rruga e Muriqanit. Pra angazhimi im është i hershëm dhe është një angazhim i përherhshëm.

– Pra nuk ka lidhje me Tom Doshin?

S’ka lidhje me asnjë individ. Shkodra mbetet një pasion i imi, që do të vazhdojë dhe më pëlqen shumë Shkodra. Nuk ka vend më të bukur. Ne kemi hyrë në garë për të fituar në gjithë Shqipërinë. Ne mund t’i fitojmë të githa, por mund edhe t’i humbim të gjitha. Kemi shumë dëshirë të fitojmë në Shkodër. Është garë e vështirë, por është gara më e bukur. Kandidatja është shumë e gjetur për ASHE, e re dhe njëkohësisht me shumë arritje në jetën e saj. Nuk është e lehtë në Shkodër të kesh sukses në sipërmarrje dhe të kesh me qindra punonjës që u jep vazhdimisht mundësinë për të punuar dhe paguar. 

– Ju thoni që keni pasion të vjetër Shkodrën, ju kemi zbuluar edhe një pasion të ri, Vorën, aq sa thonë që ju jeni në krye të shtabit elektoral atje.

Vora është një bashki shumë interesante. Më erdhi për të qeshur kur më thatë shef i shtabit elektoral. Nuk i konsideroj këto zgjedhje kaq vendimtare, ku unë duhet të jem patjetër në krye të një shtabi. Në Vorë është Nora Malaj, zv.ministre e Arsimit. 

– Më shuani interesin për një akuzë të bërë nga Patozi, mbi atë që e quan “pezullimi arbitrar i aktivitetit sipërmarrës të kandidatit të PD, Fiqiri Ismaili?

Për herë të parë jam njohur me këtë shqetësim të Patozit, nga një deklaratë që bëri prap Patozi, dhe kam pyetur ministirn e Bujqësisë për të marrë vesh se çfarë ka ndodhur. Dhe më tha që ka bërë kontrolle në disa magazina dhe fabrika mielli dhe ka dalë që fabrika e Fiqiri Ismailit kishte aflatoksinë, një lëndë kancerogjene për bukën e shqiptarëve. Nga fotografitë duket që kushtet nuk kanë asnjë standard për ta mbrojtur nga lagështia miellin. I kam thënë ministrit të Bujqësisë që ta çojë edhe tek OSBE/ODIHR mqs këta e kthyen në politike. 

– Por përse pikërisht tani?

Pse u bë ky kontroll tani? Ky kontroll u bë tani sepse Shërbimi Informativ, përpara pak javësh i ka dërguar ministrit të Bujqësisë një informacion, ku e njofton që qarkullon miell me aflatoksinë, i ka dhënë edhe një listë me emra subjektesh dhe ka kërkuar masa për këtë. Për këtë arsye janë bërë kontrollet dhe kanë dalë problemet te ky subjekt dhe tek këto subjekte të tjera. Këto janë fakte dhe fakt është edhe që ata e politizojnë. Është e njëjta firmë që u ka dhënë fshatarëve shqiptarë farë OMGJ.

– Pata Erjon Veliajn këtu një javë më parë, ju quajti bashkëautor. Duket e largët 2009 kur Erion Veliaj luftoi LSI-në?

Nuk merrem me të kaluarën. Dje ishte dje dhe sot është sot. E rëndëishsme është që sot jemi në rrugën e duhur.

– Rezultati i Tiranës?

Shumë i thellë. Do të jetë një rezultat mbi 80 mijë vota diferencë.

-Jeni penduar që keni mbështetur Bashën në 2011?

Ka qenë kohë tjetër, por në atë kohë ka qenë një Lulzim tjetër. Janë dy sipas meje, një që kam njohur atëherë, dhe një që njoh tani.

– E keni mbështetur menjëherë Erion Veliajn? 

Ilir Meta: Ka qenë nëj zgjedhje e Partisë Socialiste. Ne kemi qenë të bindur që kandidati duhet të ishte i PS. Për rastin e Veliajt e kam mbështetur me shumë kënaqësi. Ka qenë një ministër shumë i suksesshëm dhe kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me të, si për arsimin profesional, punësimin etj. 

– LSI kandidon në disa bashki shumë qendrore për vendin, për Bulqizën flitet që një kandidaturë nuk kaloi filtrin e Edi Ramës, dhe ju u tërhoqët. Në Pogradec është kandiduar një emër, që duket se ka probleme me bazën e PS…

Është një figurë e shkëlqyer. Nuk ka asnjë problem me bazën e PS. Është në përputhej të plotë me traditën e qytetit që do, dhe do të realizojë detyrën plotësisht.

– Do të keni dilema të forta në familje, 3 fëmijët tuaj kanë lindur nga Halim Kosova…

Dr Halimin e kemi mik, e duam shumë. Jemi familjarë, por në këtë rast miqësia është tjetër gjë, e politika tjetër gjë. Ndaj vota jonë është në drjetimin e duhur dhe shkon për zotin Veliaj. Kosova nuk mërzitet në këtë gjë.

– Do fitonte Veliaj nëse nuk do mbështetej nga LSI?

Do të fitojë sepse Tirana do të fitojë kohën e humbur dhe ai po nxiton, dhe është më i shpejti në drejtimin e duhur.

– Një tjetër risi e fushatës është që ndryshe nga 2013, jeni shpesh bashkë në qytete apo qendra të ndryshme me Ramën. Është një hap drejt rikthimit të bashkimit të dy pjesëve të një partie që u ndanë, apo drejt një federate, siç kam dëgjuar Manjanin disa ditë më parë?

Më pëlqen më shumë thenia e zotit Rama, dy parti, një fuqi. Në këtë rast është më shumë se kaq, sepse PS-LSI është një bosht i fuqishëm i një aleance shumë më të fuqishëm sesa kaq. E majta e bashkuar është një shumicë e fuqishme në Shqipëri. E majta e bashkuar është gjihmonë shumicë në Shqipëri. Në 2005 ndodhi ajo që ndodhi, në 2009, nuk u bë koalicioni dhe për këtë e ka fajin zoti Rama, ndaj u bë një koalicion i sforcuar me PD.

– Harta e re do të sjellë sulltanë të rinj apo një menaxhim të mirë të territorit?

Askush nuk do të tolerojë sulltanë të rinj. Në atë mënyrë që ishin, ishin jashtë kontrollit. Tani janë shumë më të ekspozuar para qytetarëve, para këshillit dhe do të ketë shumë përgjegjësi të drejtpërdrejta. Janë nën një presion më të madh, pozitiv.

– Ekonomia mbetet pika delikate, e dobët… 

Mos harrojmë që ekonomia është problem për gjithë Europën. Greqia ka probleme të mëdha, Italia po ashtu. Këta janë partnerët tanë kryesorë. Nuk duhet të harrojmë që ne të ardhurat nga emigracioni i kemi sa gjysma e Kosovës dhe Maqedonisë. Remitancat e tyre janë më të larta, sepse kanë emigrancionin në vende që nuk janë prekur nga kriza. Ekonomia është shqetësimi i të gjithë shqiptarëve.

– Po marr taksimin e ndershëm, që i jep një frymëmarrje shoqërisë, ama motori i ekonomisë është shtresa e mesme, që përbën mushkëritë e një ekonomie. Duket se shtresa e mesme është goditur nga kjo taksë…

Qeveria e re kur erdhi në pushtet nuk kishte fonde as për pagat dhe pensionet sepse Qeveria e mëparshme zbrasi komplet arkën. Ishte e detyruar për të bërë një marrëveshje me FMN dhe marrëveshja ka edhe kushtet e saj, përveç përfitimeve që vijnë më pas. Historia e ilaçeve të hidhura që përmend Rama, qëndron. Tani jemi në një moment, pas 21 Qershorit, duhet të ulemi për të parë efektet e këtyre masave dhe si do të vazhdojmë më tej. 

– Mendoni që ka nevojë për një dinamikë të re në Qeveri?

Nëse këtu bëhet fjalë për sektorë, ka nevojë për dinamikë të re në shumë sektorë. 

– Në këtë rrugëtim me Ramën, asnjëherë nuk e keni sqaruar se çfarë ndodh pas 2017?

Është ende shumë herët. E rëndësishme është ekonomia. E rëndësishme është të rritet ekonomia. 

– Dhe nëse ajo nuk rritet?

Unë besoj që do të rritet.