Meta, vizitë në fshatin Krushë e Madhe në Kosovë

455
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Krushë të Madhe të Kosovës, për të përkujtuar 17-vjetorin e masakrës ndaj popullsisë të pafajshme të këtij fshati me tradita historike dhe patriotike. Në këtë vizitë, Kryetari i Kuvendi shoqërohej nga ambasadori ynë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi dhe nga autoritetet më të larta lokale. Në hyrje të fshatit, z. Ilir Meta u prit nga qindra qytetarë dhe nxënës shkollash. Kryetari i Kuvendit vizitoi Shkollën e Mesme të fshatit Krushë e Madhe “Ukshin Hoti”, ku u prit përzemërsisht nga mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle.Gjatë bashkëbisedimit, drejtuesit dhe mësuesit e kësaj shkolle informuan z. Meta lidhur me kushtet e mësimdhënies si dhe me zhvillimin e mëtejshëm të sistemit arsimor. Kryetari i Kuvendit, duke vlerësuar figurën e patriotit Ukshin Hoti, theksoi rëndësinë e arsimit për një shoqëri më të hapur dhe më të zhvilluar.
“Shpreh kënaqësinë e veçantë edhe nderin që të jem në Krushë dhe në këtë shkollë që mban një emër shumë të madh, jo vetëm për popullin e Krushës e të Kosovës, por edhe për gjithë shqiptarët kudo ku janë. Emrin e profesorit, veprimtarit dhe patriotit të jashtëzakonshëm, Ukshin Hoti. Jam këtu në prag të përvjetorit të masakrës së Krushës, sepse dihet që Krusha ishte ndoshta e para që vuajti hakmarrjen e okupatorit pas fillimit të bombardimeve nga ana e NATO-s më 24 mars. Një hakmarrje që e pësuan edhe fëmijët e Krushës, përveçse edhe vetë Ukshin Hoti”, – tha z. Meta, teksa shtoi: – “Duke nderuar atë vepër patriotike, historike të Ukshin Hotit dhe të gjithë popullit të Krushës, jemi të kënaqur që takojmë këta fëmijë, të cilët shikojnë drejt të ardhmes, të cilët mësojnë për të ardhmen të cilët përgatiten për të ardhmen”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit.
Gjithashtu, z. Ilir Meta e cilësoi si pozitive zhvillimin e Kosovës në këto 17 vite dhe shprehu bindjen se vendi do të ecë më shpejt në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Kryetari i Kuvendit falënderoi punën e bërë nga stafi i shkollës “Ukshin Hoti” në përgatitjen e brezave të rinj.
“Padyshim që të gjitha këto zhvillime në këto 17 vite në Kosovë kanë qenë pozitive. Kosova është një realitet i prekshëm, është në një progres të pandërprerë, pavarësisht se të gjithë do të donim që edhe Kosova edhe Shqipëria të ecin edhe më shpejt në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Unë natyrisht që do të ndaloja këtu për t’iu falënderuar juve, gjithë stafin tuaj për punën që bëni për të përgatitur këta të rinj me sa më shumë dije, për të përballuar sfidat e të ardhmes të cilat janë të mëdha për ju, për ne, për të gjithë, me të cilat në radhë të parë duhet të ndeshen dhe të përballen gjeneratat më të reja”, – vijoi z. Meta.
Në përfundim të bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit ftoi nxënësit më të mirë të shkollës “Ukshin Hoti” për një vizitë në Shqipëri në mënyrë që të vizitojnë disa nga qytetet, të njihen me bashkëmoshatarët e tyre e të shkëmbejnë sa më shumë eksperienca, sepse investimi më i madh duhet bërë te të rinjtë në emër të së ardhmes. Më tej, Kryetari i Kuvendit, z. Meta vizitoi një fabrikë për përpunimin e perimeve të konservuara, e krijuar nga gratë që kanë humbur bashkëshortët dhe familjarët gjatë sulmeve serbe 17 vite më parë. Pasi u njoh nga afër me procesin e punës së kësaj fabrike, kapacitetet prodhuese dhe problematikat që hasin këto sipërmarrëse në treg, z. Meta vlerësoi iniciativat sipërmarrëse të grave të Krushës së Madhe dhe shprehu nevojën për rritjen e shkëmbimeve dhe të partneritet mes dy vendeve. Më pas, z. Ilir Meta vizitoi Muzeun “Ukshin Hoti” dhe vendosi një buqetë me lule në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Krushë e Madhe.
Sigal