Meta: Të forcojmë vlerat dhe virtytet tona

583
Besimtarët katolikë në të gjithë vendin festuan dje Pashkët. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uroi me anë të një mesazhi Festën e shenjtë të Pashkëve. “Në këtë ditë të shenjtë, dua t’ju uroj besimtarëve katolikë dhe ungjillorë dhe të gjithë shqiptarëve, Gëzuar dhe për shumë vjet Pashkët! Mbarësia, paqja, begatia dhe lumturia mbizotëroftë tek ne dhe familjet tona! Kjo Ditë e Bekuar e Ringjalljes, na kujton se e mira nuk do të shuhet, por do të jetë gjithnjë ngadhënjyese ndaj së keqes dhe drita do të triumfojë kurdoherë mbi errësirën. Kjo festë na mbush të gjithëve me frymëzim për ripërtëritjen e besimit, shpresës, optimizmit, vlerësimit të sakrificës dhe përpjekjeve për një të nesërme më të mirë, duke punuar së bashku për këtë qëllim”, theksoi Kreu i Shtetit. Ai ftoi për refleksion “për më shumë vëmendje dhe solidaritet, ndaj shtresave më në nevojë të shoqërisë sonë”. “Sot kemi nevojë të ruajmë e forcojmë më shumë vlerat dhe virtytet tona, jo vetëm në besimin e palëkundur në Zot, por edhe tek dashuria më e madhe për njëri-tjetrin. Shqiptarët ngahera kanë gjetur aftësinë, forcën dhe kurajën për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për një të ardhme më të sigurt dhe të lumtur të popullit tonë”, u shpreh Meta. Gjithashtu, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, së bashku me bashkëshorten, Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre: Borën, Besarin dhe Erën vizituan dje Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës ku u pritën nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvore dhe Arpeshkvi katolik metropolitan, Imzot George Frendo. Presidenti Meta u uroi personalisht klerikëve të lartë të Kishës Katolike, si dhe gjithë besimtarëve katolikë, Festën e shenjtë të Pashkëve për më tepër shpresë dhe optimizëm në këtë ditë të ringjalljes së shpresës e ripërtëritjes së besimit në Zot dhe në vlerat e virtytet më të mira shpirtërore dhe rritjes së dashurisë për njëri-tjetrin. “Doja të falënderoja Imzot Frendon për ftesë dhe për këtë mundësi që këtë ditë kaq të rëndësishme ta kalojmë së bashku! Duke ju uruar të gjithëve ‘Gëzuar Pashkët!’ Mbarësi për të gjithë ju e për familjet tuaja, jam i bindur se me besim te Zoti, por edhe me dashuri e solidaritet me njëri-tjetrin, më e mira do të bëhet!”, u shpreh Presidenti Meta. Duke nënvizuar mesazhin e rëndësishëm për t’iu gjendur sa më pranë shtresave në nevojë, Kreu i Shtetit dhe familja e tij së bashku me Imzot Frendon morën pjesë në drekën e shtruar në Arqipeshkvi për personat me aftësi të kufizuara, duke ndarë me ta kremtimin dhe simbolikën e kësaj dite të bekuar.
Sigal