Meta takon Haradinaj: Bashkëpunimi rajonal, kyç për stabilitetin, sigurinë dhe paqen

437
Në takim u diskutua për intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare dhe shkencore mes dy vendeve
Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës pas takimit të parë që zhvilloi me kryeministrin e vendit tonë, Edi Rama, pati një takim edhe me Presidentin e Vendit Ilir Meta. U shkëmbyen mesazhe dhe u fol për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Ky bashkëpunim sipas tyre do të forcojë shumë marrëdhëniet mes vendeve gjithashtu do i shërbejë edhe stabilitetit në rajon. Presidenti Ilir Meta priti gjatë ditës së djeshme Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Meta e uroi Haradinaj për krijimin e qeverisë së re të Kosovës si dhe për detyrën të rëndësishme si kryeministër i Republikës së Kosovës. Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij për bashkëpunimin e ngushtë me institucionet e Kosovës, në interes të rritjes së mëtejshme të njohjeve ndërkombëtare si edhe forcimit të perspektivës evropiane. Presidenti Meta theksoi rëndësinë e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike, tregtare, shkencore, arsimore, turistike, kulturore dhe të gjitha formave të tjera mes dy vendeve tona. Meta përshëndeti gatishmërinë e Kryeministrit Haradinaj dhe qeverisë së re të Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë, si një proces pa alternativë dhe në funksion të paqes dhe stabilitetit të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si një element kyç në promovimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në gjithë rajonin, duke theksuar se Procesi i Berlinit është një mundësi e mirë për të rritur bashkëpunimin rajonal dhe përshpejtuar perspektivën tonë të përbashkët evropiane. Meta vlerësoi marrëdhëniet e NATO-s me Kosovën, si dhe rëndësinë e ruajtjes së një pranie substanciale të KFOR-it, për garantimin e një mjedisi të sigurt jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë rajonin.
Sigal