Meta takon Fratinnin e D’Alemën: Mirënjohje për forcimin e marrëdhënieve Itali-Shqipëri

354
Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta zhvilloi takime të veçanta edhe me ish Kryeministrin italian z. Massimo D’Alema, President i Fondacionit të Studimeve Progresive Evropiane (FEPS) dhe me ish Ministrin e Jashtëm z. Franco Frattini, President i Shoqatës Italiane për Organizatat Ndërkombëtare (SIOI). 
Gjatë këtyre takimeve, z. Meta shprehu mirënjohjen për kontributin e z. Frattini dhe z. D’Alema në vite në shërbim të forcimit të marrëdhënieve mes Italisë dhe Shqipërisë, dhe për përpjekjet e tyre në interes të qartësimit të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit. 
Z. Meta u shpreh se Shqipëria dhe Italia janë dy partnerë strategjikë të natyrshëm dhe se populli shqiptar e vlerëson maksimalisht përkrahjen e gjithanshme italiane si për aspiratat integruese të Shqipërisë ashtu edhe për mirë-integrimin e një komuniteti domethënës shqiptar në Itali. 
Gjatë këtyre takimeve u nda bindja se sfidat e fundit të sigurisë që po përjeton Evropa dhe kriza e refugjatëve shton nevojën e mbrojtjes së projektit evropian i cili duhet përforcuar përmes vlerave të solidaritetit dhe bashkëpunimit në interes të stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik e social të të gjithë vendeve të kontinentit. Në këtë kuadër, u konfirmua edhe një herë se Bashkimi Evropian nuk duhet ta ngadalësojë zgjerimin e tij dhe se perspektiva e të gjithë vendeve të Ballkanit është brenda familjes demokratike evropiane, të integruar me të drejta të plota. 
Sigal