Meta: Reforma administrative dhe territoriale, përparësi për zgjedhjet lokale

465
Sigal

Në konferencën “Shqipëria civile dhe Demokracia në Shqipëri”, me temë: “Reforma zgjedhore e plotë dhe gjithëpërfshirëse, domosdoshmëri për një sistem zgjedhor me përfaqësues të drejtë dhe të qëndrueshëm”, ishte i pranishëm edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili deklaroi se zgjedhjet e fundit ishin një arritje pozitive, por reforma zgjedhore është e domosdoshme. Ai i beri apel politikës për konsensus sa më të gjerë, efektiv dhe sa më të shpejtë midis mazhorancës dhe opozitës. “Apeloj për një konsensus sa më të gjerë, efektiv dhe sa më të shpejtë midis mazhorancës dhe opozitës lidhur me reformën administrative dhe territoriale. Sepse besoj se ka ardhur koha për një reformë të tillë pasi ne jemi një vend modest me 400 bashki dhe komuna që do të thotë një humbje e paarsyeshme e shumë resurseve financiare dhe një mosmenaxhim si duhet i burimeve financiare, por njëkohësisht kjo reformë, e cila është pranuar në parim nga të gjitha forcat politike dhe është paraqitur si domosdoshmëri duhet të bëhet sa më shpejt në mënyrë që t’i paraprijë reformës zgjedhore, duke pasur në konsideratë zgjedhjet lokale që po afrojnë”,- deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit renditi edhe disa nga faktorët të cilët mundësuan arritjet në zgjedhjet e 23 qershorit. “Zgjedhjet e 23 qershorit janë një arritje shumë pozitive e vendit, e konfirmuar edhe nga komuniteti ndërkombëtar që ka qenë mjaft i ndjeshëm ndaj këtyre zgjedhjeve. Dhe unë mendoj se merita kryesore ka qenë e qytetarëve shqiptarë të cilët treguan një kulturë të lartë demokratike dhe njëkohësisht u takon edhe gjithë faktorëve të tjerë, shoqërisë civile, mediave për transparencën për të qenë sa më e përmbajtur dhe më e frenuar në politizimin e procesit dhe gjithashtu i takon partnerëve tanë ndërkombëtarë që kanë qenë mjaft të ndjeshëm dhe dua të vlerësoj edhe rolin e misionit të ODIHR-it dhe të fundit do të vendosja klasën politike për arsye sepse problemet dhe tensionet e panevojshme gjatë procesit të zgjedhjeve kanë ardhur nga politika”, tha Meta. Ai theksoi se është e rëndësishme të diskutohet për zgjedhjet e ardhshme që ato të jetë plotësisht të lira dhe të ndershme dhe me standarde të larta.
Sipas Metës vendi i ka kapacitetet për të realizuar zgjedhjet të lira dhe të ndershme. “Të bëhet reforma në kohë. Politika ka një rol të rëndësishëm që në zgjedhjen e anëtarëve dhe komisionarëve dhe deri te numëruesit. Mospolitizimi i institucioneve. Të mos kemi asnjë trysni dhe deformim të procesit të administrimit të zgjedhjeve. Do apeloja për një konsensus sa më të gjerë efektiv dhe të shpejtë për reformën administrative. Kjo reformë që është pranuar në parim nga forcat politike duhet të vihet në zbatim sa më shpejt që tu paraprijë zgjedhjeve të ardhshme”,- deklaroi kreu i Kuvendit.
Ai theksoi se reforma zgjedhore është e domosdoshme dhe konsensusi politik ti paraprijë dhe të jetë në përputhje edhe në mundësinë për të bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor. “Nuk është faji i sistemit të zgjedhjeve sepse çdo sistem është bazuar në një model europian, por faji është i mungesës së vullnetit politik për të mbajtur qëndrime parimore dhe të dyfishta. Unë besoj se edhe klasa politike do të ngrihet në nivelin që treguan qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 23 qershorit”,- deklaroi z.Meta.