Meta priti Ambasadorin e ri të Rumanisë, Mircea Perpelea: Marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të rëndësishme

429
Sigal

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, priti sot
Ambasadorin e ri të Rumanisë, Mircea Perpelea, të cilit i uroi mirëseardhjen
dhe suksese në detyrën e tij të re në Shqipëri.

Kryetari i Kuvendit, Meta vlerësoi marrëdhëniet e
shkëlqyera politike dhe tradicionale mes Shqipërisë dhe Rumanisë dhe shprehu
vullnetin e Kuvendit për intensifikimin e mëtejshëm të tyre, veçanërisht në
drejtim të shkëmbimeve njerëzore dhe bashkëpunimit ekonomik.

Ambasadori i Rumanisë, Mircea Perpelea, shprehu
kënaqësinë për fillimin e misionit të tij diplomatik në Tiranë dhe e siguroi
Kryetarin Meta se Ambasada e Rumanisë do të jetë maksimalisht e angazhuar për
forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, me fokus të veçantë në shkëmbimet ekonomike
e tregtare.

Gjatë takimit, kryetari Meta dhe Ambasadori Perpelea
ndanë bindjen e përbashkët se marrëdhëniet ndërparlamentare janë shumë të
rëndësishme në avancimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve mike,
duke theksuar në përfundim se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe
Rumanisë i shërben perspektivës evropiane të Ballkanit.