Meta: Politika presion ndaj Kushtetueses, çështja në Venecia për të shmangur përgjegjësinë

229
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar në “Log.” në ABC se ndaj Gjykatës Kushtetuese ka pasur presion të lartë politik. Meta u shpreh se Gjykata Kushtetuese është drejtuar në Venecia në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit për të shmangur përgjegjësinë e gjykimit të kësaj çështje nga vetja. Kreu i shtetit tha se presidenca do ta studiojë me vëmendje opinionin e Venecias.

“Shqipëria derisa është anëtare e institucioneve ndërkombëtare do legjitimohet. Ajo që unë kam kuptuar që në momentin kur Gjykata i është drejtuar Venecias është se nuk ka dashur të marrë përgjegjësi për çështjen.

Gjykata Kushtetuese është ajo që diskuton mosmarrëveshjet kushtetuese. Unë po të isha anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk do drejtohesha në Venecia. Kushtetuta është bërë njëherë. Si do shkojmë ne për çdo rast konkret atje?! Për atë je aty për të marrë vendime. Edhe diçka duhet të kemi parasysh.

Komisioni i Venecias është një pikë reference por përbëhet shpesh edhe nga njerëz që janë përfaqësues të shteteve. Ka edhe përfaqësues të Shqipërisë atje. Kanë një përgjegjësi të lartë dhe kur gjykojnë në fund gjykojnë drejt pavarësisht se i preket interesi presidentit apo qeverisë. Ne do ta studiojmë me shumë vëmendje. Ne kemi qenë shumë aktiv për t’i shërbyer këtij procesi për interes të popullit shqiptar. Në bashkitë e vendit nuk ka asnjë këshilltar të opozitës që t’i shërbejë qytetarëve duke kontrolluar kryetarin.

Ne e dimë shumë se çfarë procesi ka ndodhur në Shqipëri për ta lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe për të kontrolluar politikisht anëtarët e saj. Kemi rastin e qartë se si një zonjë vajti dhe u betua tek noterja te Lana. Pse u bënë këto gjëra? Për të pasur kontroll të Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka lënë pasojat e saj sepse presioni i politikës është shumë i lartë. Komisioni i Venecia si rezultat i lobingjeve, pasi kanë reaguar përfaqësuesit e presidentit, disa janë ndryshuar. Kjo është e faktuar”, tha presidenti Meta.