Meta “plotëson” kushtin e PD: Gati ligji për dekriminalizimin e Kuvendit

475
Sigal

 Presioni i ndërkombëtarëve, por edhe afati kushtetues për mandatet, në rast kohëzgjatje të deputetëve nga Kuvendi, siç është edhe bojkoti i opozitës, e ka detyruar maxhorancën, që të reflektojë (pozitivisht) në qëndrimin e saj ndaj kërkesave që ka parashtruar opozita për rikthimin e saj në Kuvend. Maxhoranca e ka kuptuar, që një mundësi e vazhdimësisë të bojkotit të opozitës dhe skadimi i mandateve të deputetëve, do të faturojë një kosto shumë të lartë mbi maxhorancën. Ndaj dje, vetë kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u shpreh publikisht, se tashmë u poqën kushtet (domethënë presioni dhe kostoja politike) që maxhoranca të plotësojë kushtin e opozitës për dekriminalizimin e Kuvendit, që, kësisoj, të hapet rruga e rikthimit të opozitës në Kuvend. Këtë prononcim publik, kryetari i Kuvendit e bëri pak para se të takohej me kryeministrin Rama. Nga të dy palët, pas takimit, nuk u bë asnjë prononcim për tematikën e takimit Rama-Meta, por, është e sigurt që kandidatura e Gent Sejkos, për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, ka qenë agjenda e takimit, edhe pse Meta këtë e mohoi. Një ditë pas kryeministrit Edi Rama, është kreu i Kuvendit Ilir Meta që këmbëngul në nevojën që opozita të kthehet ne parlament, duke deklaruar se nuk ka më kohë për të humbur, për një jetë parlamentare normale.

Më 16 dhjetor (mund) të firmoset marrëveshja maxhorancë-opozitë

Të martën e 16 dhjetorit, vetëm dy ditë para seancës parlamentare të 18 dhjetorit, palët politike do të firmosin marrëveshjen që kthen opozitën në Kuvend pas rreth 5 muajsh bojkot. Po më 16 dhjetor, europarlamentarët Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein, do hartojnë një deklaratë të përbashkët me PS-në dhe PD-në, ku do të jepet edhe garancia për zbatimin e kushteve të opozitës.

Deklarata e të martës do të pasohet më një vizitë të dy mediatorëve të Parlamentit Europian, Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstein, në 22 dhjetor në Tiranë. Kjo vizitë ka për qëllim ta bëjë marrëveshjen më konkrete, për ti dhënë në këtë mënyrë fund bojkotit parlamentar, duke hapur derën e parlamentit për opozitën me 24 dhjetor kur mbahet seanca e fundit për këtë sesion.

Marrëveshja është bazuar në 5 pika, ku një pjesë e tyre tashmë janë të plotësuara.

1- Respektimi i të drejtës së opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore.
2- Zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
3- Ndryshimi i rregullores së parlamentit për të njësuar kohen në parlament me kryeministrin, të përfaqësuesve të opozitës.
4- Gjithashtu marrëveshja kërkon garantimin se maxhoranca nuk do të bëhet pengesë e drejtësisë për rastet e hetimit të deputetëve.
5- Më e rëndësishmja është hartimi dhe miratimi i një ligji në muajt e parë të janarit për dekriminalizimin e Kuvendit.