Meta: Përmirësim buxhetit të mbrojtjes

449
Presidenti i Republikës deklaron mbështetjen për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë. Betohet shefi i ri i Shtabit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, deklaroi se do të mbështeste përmirësimin e buxhetit të mbrojtjes dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s. Kreu i Shtetit foli gjatë ceremonisë solemne të betimit të Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakut. Pas nderimit të Himnit Kombëtar, u lexua dekreti i Presidentit të Republikës që emëron Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçakun, si Shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Gjeneral Brigade Kollçaku u betua se “do t’i bindet Kushtetutës e ligjeve, do t’i shërbejë me ndershmëri vendit dhe do të mbrojë interesat e Republikës së Shqipërisë”, duke e falënderuar Komandantin e Përgjithshëm për besimin dhe vlerësimin e madh si dhe duke shprehur njëkohësisht përkushtim e tij ndaj përmbushjes me sukses të këtij misioni të lartë. Në ceremoni ishin të pranishëm Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, funksionarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Atashe Ushtarakë të vendeve të NATO-s dhe atyre mike e partnere të akredituar në vendin tonë, etj.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta, duke i uruar suksese Gjeneral Brigade Kollçakut në detyrën e lartë, shprehu fillimisht mirënjohjen e e të sinqertë, respektin dhe konsideratat më të larta për burrat dhe gratë në uniformë që kanë kontribuuar dhe vazhdojnë të kontribuojnë me përkushtim dhe sakrifica të panumërta për mbrojtjen e vendit dhe interesave tona kombëtare gjatë 105 viteve të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës falënderoi edhe 153 ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Afganistan, Detin Egje, Letoni, Mali, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë si dhe kolegët e tyre që po kontribuojnë me vetëmohim për shuarjen e zjarreve apo emergjenca të tjera civile në shërbim të qytetarëve tanë. “Shpreh besimin dhe angazhimin tim institucional, që përkushtimi shembullor, sakrificat sublime, dhe ndershmëria e spikatur e ushtarakëve, do të respektohen dhe vlerësohen nga ana ime, dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, bazuar në trinomin tuaj: “Detyra, Nderi, Atdheu”, nënvizoi Presidenti Meta. “Si Komandant i Përgjithshëm ju garantoj se përkushtimi dhe kontributet e ushtarakëve do të maten, konsiderohen, vlerësohen dhe promovohen vetëm sipas meritës, integritetit dhe vlerave profesionale të gjithsecilit prej pjesëtarëve të Forcave tona të Armatosura. Çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, përmirësimi buxhetit të mbrojtjes, modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të Forcave tona të Armatosura, përmbushja e detyrimeve dhe përgjegjësive në kuadër të NATO-s, do të mbështeten fuqimisht nga unë për 5 vitet në vijim”, vuri në dukje qëndrimin e tij Presidenti i Republikës.
Shefat e NATO-s mblidhen në Tiranë
Do të mblidhen për herë të parë në Shqipëri shefat e Shtabit të vendeve anëtare të NATO-s. Takimi pritet të zhvillohet në Tiranë më 15-17 shtator, ndërsa është vlerësuar edhe nga Presidenti Meta si një ngjarje e rëndësishme për vendin tonë dhe Forcat tona të Armatosura. Prej shumë muajsh, Shqipëria nuk kishte një shef shtabi të ushtrisë për shkak të largimit të Jeronim Bazes. 
Sigal