Meta paralajmëron: Përplasja ime do jetë ballore me këdo që prek Kushtetutën

266
Sigal

Mbrëmjen e sotme Presidenti Ilir Meta ka qenë i ftuar në emisionin e Ilva Tares në Euronews Albania.

Gjatë intervistës Meta deklaroi se është betuar para shqiptarëve për mbrojtur Kushtetutën dhe do të përballet me këdo që e shkel atë.

“Përplasja ime do jetë ballore me këdo që prek Kushtetutën. Për këtë të jenë të sigurtë të gjithë, si në mazhorancë edhe në minorancë”,- tha Presidenti Ilir Meta.

Lidhur me komisionin e PS për shkarkimin e kreut të shtetit, Presidenti Meta tha: “Jo në Venecia, por në NATO lë të kërkojnë interpretim dhe opinion. Kjo punë ka marrë fund. Unë do jem në detyrë deri në 24 korrik 2022”.

Kreu i shtetit ka komentuar ligjin e sapo miratuar në Parlament nga mazhoranca për mënyrën e kryerjes së betimit për anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, Presidenti Meta u shpreh se, do të shprehet në momentin kur ligji t’i mbërrijë në zyrë për dekretim.

“Nuk e di se çfarë ka ndodhur në Parlament, por prej kohësh në Parlamentin tonë është lajm kur miratohet ndonjë ligj në respekt të Kushtetutës. Shkelja e Kushtetutës është kthyer në një sport të preferuar të mazhorancës. Nuk dëshiroj të komentoj diçka që nuk e kam lexuar, por është në vijim të marrëzimit që ka ndodhur me zbatimin antikushtetues të reformës në drejtësi. Nuk habitem që të ketë ndodhur ndonjë marrëzi e tillë. Kur ligji të mbërrijë në Presidencë do të shprehem në mënyrë zyrtare. Nuk ekziston asnjë mekanizëm ligjor që rrëzon Kushtetutën, këto janë përpjekje për të dënuar me vdekje çdo minimum kredibiliteti që mund t’i ketë mbetur reformës në drejtësi”, është shprehur Meta gjatë intervistës në studion e Ilva Now.