Meta: Nëse është e nevojshme, jap dorëheqje si President për të zgjidhur krizën

468
Kryetari i Kuvendit flet për situatën politike dhe kritikon kryeministrin e opozitën për retorikën dhe kërcënimet

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, njëkohësisht President i zgjedhur i Republikës, deklaroi në emisionin “Top Story” se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen edhe nga posti i Kreut të Shtetit, nëse kjo do të shërbente për t’u zgjidhur kriza. Meta qortoi edhe retorikën e kryeministrit dhe kërcënimet e ultimatumet e opozitës. 

Ka pasur një letër publike të komisionerit të zgjerimit, Johannes Hahn. A keni ndonjë koment për këtë letër të ashpër?
“Në radhë të parë, për këtë situatë në vend dua të them se Partia Demokratike, ose le të themi më mirë lidershipi i saj, pa dyshim që mban një përgjegjësi serioze, sepse ka pasur mundësi të bëhej pjesë e një zgjidhjeje dhe të merrte disa garanci që deri më sot asnjë opozitë nuk e ka arritur në Shqipëri në mënyrë të vullnetshme, kjo nga ana e maxhorancës, pavarësisht se ka dëshirë apo jo maxhoranca. Në fund fare është vullneti i saj, sepse shumica që është në parlament është e këtyre përmasave. Nuk mund t’i imponohesh me votë dhe, paketa McAllister, meqenëse po e konsiderojmë të tillë, mendoj se ishte një zgjidhje shumë e mirë për opozitën për t’u përfshirë në proces, mundësi për të marrë postin e Presidentit të Republikës”.

Futen në qeveri apo jo…
“Ata e kishin të gjithë mbështetjen time që të shtyhej data e zgjedhjeve deri në 16 korrik, pra, për t’i dhënë një kohë për të bërë listat e kandidatëve, apo për t’u dhënë kohë edhe disa ndryshimeve në qeveri. Bëhej fjalë për zgjedhje konsensuale, 4 ministri, pa përcaktuar se cilat dhe ku mendohet se mund të ketë interferencë elektorale”.

Po që besoj ata me impakt elektoral…
“Propozohej që kryetari i KQZ-së t’i jepej opozitës. T’i jepej dhe Ombusmani, që do të ishte krejtësisht normale, sepse edhe në të kaluarën iu dha opozitës nga Partia Demokratike në atë kohë në pushtet. Shumë elemente të tjera, siguritë apo garancitë, edhe mund të mos ishin të mjaftueshme për PD-në në një moment mosbesimi, por ishin disa masa garancie të cilat nuk kishin ndodhur më përpara dhe natyrisht që…”.

Pse nuk e pranoi PD këtë sipas jush? A ju duket ndonjëherë sikur kjo shkon dhe përtej çështjes së vetingut?
“Të them të drejtën jo vetëm çështja aktuale, që unë kam vështirë të jap një përcaktim të qartë, por edhe zhvillime përpara miratimit me konsensus të reformës në drejtësi, më kanë krijuar një ndjesi që ka interesa jo thjesht për të çuar para një reformë, apo për të bllokuar një reformë, për të bërë zgjedhje të lira, apo për t’i dështuar ato. Duket sikur ka interesa për të krijuar një përplasje dhe një konfrontim të panevojshëm në Shqipëri. A vjen kjo nga mosorientimi i duhur i politikanëve shqiptarë për të fituar interesin e vendit, prioritetet e vendit dhe respektimin e rregullave të lojës? A vjen kjo nga ndikime të tjera, të cilat mund të kenë axhenda të tjera në Shqipëri, dhe përmes Shqipërisë në rajon, unë këtë gjë nuk mund ta them sot me saktësi, por kjo është…”.

Por fakti që e keni si dilemë, është e rëndë.
“E kam si ndjesi dhe mua ndjesitë nuk më gabojnë, por në fund fare përgjegjësia është e të gjithëve ne, nuk është vetëm përgjegjësi e lidershipit të Partisë Demokratike, që, për mendimin tim, duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje kësaj situate dhe e pati mundësinë. Dhe në fund fare pa dyshim që ky është një proces i paparashikueshëm që do t’i krijojë dëme afatgjata vendit. Natyrisht që do të dëmtojë të gjithë politikanët, përfshirë edhe mua që mund të kisha bërë diçka më shumë. Nuk e di se çfarë mund të kisha bërë”.

Çfarë mund të kishit bërë më shumë?
“Unë nuk e di se çfarë mund të kisha bërë më shumë, por ndoshta mund të kisha bërë diçka më shumë”. 

Por maxhoranca ndoshta mund të kishte bërë diçka më shumë.
“Ajo që nga maxhoranca për mua është e papranueshme, jo maxhoranca, por ndoshta edhe nga vetë Kryeministri, është çështja e retorikës. Ashtu sikurse kërkesa e opozitës që duhet të ikë Kryeministri bën patjetër. Është një kërkesë që duket thjesht si një personalizim i konfliktit politik. Mendoj se Kryeministri, në çdo rast, pavarësisht se edhe mund të atakohet padrejtësisht, ka përgjegjësi për vendimin më shumë sesa kryetari i opozitës dhe çdo përfaqësues i saj. Nuk ka arsye përse të japë dorëheqjen, në qoftë se nuk e mendon se kjo e zgjidh këtë situatë, por mendoj që në çdo rast, çdo retorikë ose çdo përgjigje konfliktuale nuk ndihmon një atmosferë më të paqtë, më të qetë dhe më mirëbesuese”.

Megjithatë, në negociatat me McAllister, cili ishte pozicioni i Kryeministrit?
“Mendoj se ishte një pozicion i pranueshëm. Ishin përfaqësues të tjerë të PS-së pak më agresivë, por unë besoj se ishte pranë pranimit të kësaj zgjidhjeje. Natyrisht, gjithmonë me kushtin e vetingut, natyrisht që është një gjë mjaft e pranueshme gjithashtu, sepse duheshin të zhbllokoheshin të gjitha proceset në të njëjtën kohë, por fakti që nuk u pranua nga kryetari i PD-së e la atë proces pezull”.

Ndërkohë, jemi në kushtet kur nuk kemi parlament, kur kanë skaduar të gjitha afatet e mundshme..
“Ne parlament kemi. Deri më 9 shtator është ky parlament dhe mund të mblidhet, i ka instrumentet për t’u mbledhur…”.

Por, ama, afatet e tjera, për sa i përket afatit të regjistrimit të kandidatëve…

“Patjetër, çdo ditë që kalon e bën situatën më të vështirë, por kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje që e përfshin opozitën, në rast se edhe ajo reflekton dhe e tregon këtë vullnet”. 

Ndërkohë, kemi një padi në Kolegjin Zgjedhor nga opozita për afatin e regjistrimit të kandidatëve. A mund të jetë ky një moment, nga pikëpamja institucionale, që mund të hapë një spirale të re? Ju si e shikoni?
“Nuk mund të them asgjë konkrete për arsye se unë asnjëherë nuk jam marrë thellësisht me procedurat e Kodit Zgjedhor, sepse këto janë çështje mjaft të imta dhe teknike. Janë institucionet që vendosin në bazë të ligjeve. Por çështja e zgjedhjeve mendoj se nuk është një çështje, meqë përmendët termin “teknik”, thjesht teknike, as si është qeveria teknike, as si është votimi elektronik. Në radhë të parë, është çështje vullneti politik dhe vullneti politik duhet të jetë më i fortë nga të gjitha palët për të garantuar një situatë normale, të qetë, paqësore, konstruktive, larg çdo lloj presioni, qoftë edhe verbal, ndaj elektoratit, ndaj votuesit, ndaj qytetarëve, në mënyrë që ata vërtet të votojnë në një mënyrë krejtësisht të pavarur dhe vërtet të ndjehen qytetarë të një vendi evropian”.

Si e gjykuat tërheqjen e PS-së nga gara e Kavajës?
“Ishte një veprim shumë normal dhe i arsyeshëm, por njëkohësisht ishte një veprim, i cili edhe më parë, po të ishte bërë, më mirë do të kishte qenë, që është për t’u përshëndetur, sepse shfryu një tension të panevojshëm”.

Ndërkohë, kemi të shtunën një protestë që është etiketuar nga organizatori i saj si “nëna e të gjitha protestave”, ish- Presidenti dhe ish- Kryeministri Berisha e quajti “Everest”. A keni një porosi, edhe nga pozitat e reja institucionale që keni?
“Nuk më takon mua të jap porosi, por unë mendoj që PD-ja ka të drejtë të luftojë për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si çdo opozitë, ashtu sikurse Partia Socialiste e ka bërë këtë gjë më përpara me Partinë Demokratike, ashtu sikurse në vitin 2008 LSI-ja e ka bërë ndaj të dyjave së bashku dhe çdo force tjetër, sepse çështja e zgjedhjeve nuk është thjesht çështje e opozitës apo e partive, është çështje e qytetarëve, këtë duhet ta kuptojmë. Është detyrimi ynë t’u japim mundësi atyre të shprehen në mënyrë të qetë dhe normale, të paktën një herë në katër vjet ata të flasin, të jenë vetvetja dhe të dëgjohen. Në këtë drejtim unë shpresoj që Partia Demokratike do të vazhdojë me protestat paqësore, por njëkohësisht duhet të punojë dhe të investohet për një zgjidhje”.

Thjesht, më bëri përshtypje ajo që intuita juve ju thotë, që mund të ketë edhe forca të tjera të interesuara, pasi edhe momenti rajonal nuk duket… 
“Unë asnjëherë nuk e kërkoj fajin tek të huajt. Por që mund të shfrytëzohet. Pra, ekziston potencialisht mundësia që të shfrytëzohet kjo situatë. Për fat të keq, më vjen ndër mend ajo thënia: “Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët”, sepse mund të ketë dikush interes për të krijuar një problem në Shqipëri, por në qoftë se nuk do të ketë një partner lokal, apo jo, atëherë kjo gjë nuk mund të ndodhë. Kështu që është përgjegjësia jonë që të mos ndikohemi nga asnjë lloj faktori, por të ndikohemi nga interesi i vendit dhe të jemi të ndershëm dhe të përgjegjshëm me njëri-tjetrin dhe me vendin”. 

Zgjedhja juaj si president a jua komprometoi kanalet e komunikimit që ju i kishit me opozitën dhe nuk i keni fshehur kurrë?
“Unë kam pasur kanale komunikimi me opozitën, nuk e fsheh dhe kam, por mund t’ju them se qëndrimet e mia kanë qenë publike, askush nuk ka përse të keqkuptohet ose pse të krijojë iluzione…”.

Besoj se edhe Kryeministri e vlerësoi këtë si një nga asetet që ju bëri ju President?
“Faleminderit! E para, për dekriminalizimin i kam dhënë të drejtë Partisë Demokratike që kur është bërë ligji, që kur kanë ndodhur ngjarjet në parlament, e kemi mbështetur e të tjera. Mund ta them edhe këtu, për të gjithë ata që kanë merak çështjen e reformës në drejtësi se nuk po zbatohet, po të mos kishte ndodhur problemi i dekriminalizimit, i atyre ngjarjeve që ndodhën në parlament e të tjerë, reforma në drejtësi do të ishte zbatuar me kohë, por ato ngjarje, ato vonesa, ai bojkot e kështu me radhë i spostuan gjërat në kohë dhe reforma në drejtësi dhe çështja e zgjedhjeve u bashkuan duke krijuar një masë kritike dhe një politizim të panevojshëm dhe të dëmshëm. Së dyti, për çështjen e kanabisit apo të drogës, qëndrimi ynë ka qenë shumë i qartë, madje po them se opozita ka qenë pak më e vonuar dhe nuk i takonte LSI-së, e cila ishte pjesë e një qeverie, ta ngrinte këtë çështje më shpesh dhe më fort. Opozita e ktheu në një kauzë reale këtë çështje vetëm mbas humbjes në Dibër. Unë mendoj se krijoi bindjen apo e gjeti si një lloj justifikimi që kanabisi u përdor për të deformuar rezultatin, sipas tyre. Pra, për ato çështje që ne mendojmë se opozita ka të drejtë, ka të drejtë dhe pikë. Unë nuk mendoj se ka ndonjë shqetësim, bile mendoj që edhe për çështjen e zgjedhjeve, çdo garanci që kërkon opozita, t’ia japim. Për sa i takon çështjes së heqjes së Kryeministrit: si do të hiqet Kryeministri? Mbetet në vullnetin e tij, nëse ai ka dëshirë për të dhënë dorëheqjen për t’i dhënë një zgjidhje dhe për ta shtensionuar situatën, apo jo”.

A duhet ta kishte bërë, sipas jush?
“Më falni! Kjo është tjetër çështje. Unë po flas për raportin e opozitës me çështjen. Së dyti, për çështjen e zgjedhjeve, sipas meje, nuk është tabu të shtyhen zgjedhjet 1-2-3-4 javë, pavarësisht se nuk është serioze”. 

Opozita ka kërkuar 6 muaj…
“Por asnjëherë, unë nuk i kam krijuar asnjë iluzion opozitës as direkt, as indirekt, as përmes përfaqësuesve ndërkombëtarë, që të mund të ndodhnin zgjedhje përtej korrikut, sepse më 9 shtator mbaron mandati i këtij parlamenti, i cili mund të mblidhet në çdo kohë (edhe sot, edhe nesër, edhe në çdo ditë të shtatorit), pavarësisht nga zgjedhjet apo nga parlamenti i ri që do të krijohet, por mbas 9 shtatorit, sipas Kushtetutës, mandati i këtij parlamenti mund të zgjatet automatikisht vetëm nëse (larg qoftë), Shqipëria hyn në gjendje lufte me dikë dhe zgjat automatikisht për aq kohë sa zgjat gjendja e luftës. Natyrisht, ne nuk jemi në atë gjendje, pavarësisht se ka shqetësime për drogën, për dekriminalizimin dhe është bërë një ligj që duhet zbatuar. Ai është zbatuar deri diku dhe duhet zbatuar deri në fund, pavarësisht se ka shqetësime për zgjedhjet, për keqpërdorimin e administratës, për përdorimin e parave të pista në fushatë e të tjera, por ne nuk jemi në gjendje të themi që do të bëhen zgjedhjet në tetor, në dhjetor apo do të bëhen zgjedhjet, kur të përfundojë votimi elektronik, sepse do të jetë shumë e vështirë që kjo gjë të mirëkuptohet. Unë besoj kam qenë shumë i qartë për këto çështje, ashtu siç kam thënë që duhet një qeveri besimi që të garantojë, të japë besim për zgjedhjet. Pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, pozicionet e ministrave të LSI-së dhe çdo gjë tjetër, ne i vëmë në dispozicion (jo thjesht që t’i marrë opozita), por nëse PS-ja është e detyruar të lëvizë disa ministra, le të marrë këto pozicione”.

Megjithatë, ju e keni krijuar këtë iluzion dhe unë i referohem deklaratave publike dhe komunikimeve tuaja për çështjen e shtyrjes së zgjedhjeve. Ju e keni krijuar këtë iluzion, kur deklaruat atë të hënë (pas darkës së famshme te Pazari i Ri), se LSI-ja nuk do të futej në zgjedhje, në rast se PD-ja nuk do të futet në zgjedhje. Sot jeni në një pozitë tjetër, apo jo?
“Unë jam shumë i kujdesshëm. Ajo është një nga deklaratat më të përgjegjshme që ka bërë Kryesia e LSI-së, e cila u bë në një kohë shumë të favorshme për t’i paraprirë evitimit të përshkallëzimit të krizës, sepse çdo ditë që kalonte dhe çdo orë që kalon sot, na vë në një situatë edhe më delikate. Ka qenë shumë e qartë që ne duke theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së opozitës ose të një qeverie të besimit (edhe kjo qeveri që është, le të japë besim dhe le të rrijë), nuk ka problem. Ne bënim të qartë që e kushtëzonim koalicionin me PS-në me demonstrimin nga ana e saj të kësaj të vullneti maksimal për të krijuar këtë klimë besimi për përfshirjen e opozitës në zgjedhje. Unë s’mund të them (pavarësisht debateve të forta që kam pasur me z. Rama për këtë çështje), që ai nuk i bëri përpjekjet e tij, me aq sa mund të bënte dhe ai nuk e refuzoi paketën McAllister. Për mendimin tim ishte një arritje, sepse kishte thënë që zgjedhjet do të mbahen në datën 18 dhe nuk ndodh kurrë që të shtyhen një orë më pas. Pra, e pranoi një shtyrje të arsyeshme dhe të pranueshme”.

Gati një muaj…
“Nuk ka rëndësi, sepse këtu lufta po shkon: “E kam thënë këtë gjë dhe nuk tërhiqem”. Këtu nuk do të bëjmë tërheqje litari, sepse kur tërhiqet litari nga të dyja palët, rrëzohen të dyja, nuk ka rëndësi se cili e ka fajin më shumë. Në këtë drejtim qëndrimet e LSI-së kanë qenë shumë koherente, shumë të pranueshme dhe shumë normale. Nëse sot do të duhet posti i presidentit të ardhshëm për të pasur një zgjidhje, unë përsëri do ta jap dorëheqjen dhe nuk ka asnjë problem, as për mua dhe as për LSI-në, sikurse e ka rikonfirmuar kryetari i ri, z. Vasili. Ne duhet të shpëtojmë zgjedhjet, stabilitetin dhe imazhin e vendit”. 

Nëse do t’ju pyesnin (besoj njëra palë ju pyet, pra pala me të cilën partia juaj është në koalicion), çfarë do t’i sugjeronit Kryeministrit dhe çfarë do t’i sugjeronit kryetarit të opozitës për t’u tërhequr, pra për të arritur në një pikë të përbashkët që, në fakt, e duam të gjithë? Zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse, pra të marrin pjesë të gjitha formacionet politike.

“Nuk kam dëshirë të bëj sugjerime, sepse qëndrimet e mia kanë qenë të qarta. Unë atë qëndrim që kam mbajtur me z. Rama, me z. Ruçi dhe me kolegët e tjerë të Partisë Socialiste, i kam mbajtur edhe me tre ambasadorët, i kam mbajtur edhe në prezencë të tyre dhe të z. Rama, edhe me z. McAllister dhe me z. Fleckenstein dhe me të gjithë. Nuk kam pasur asnjë axhendë time apo të ngushtë të LSI-së, aq më tepër që LSI-ja është një forcë e interesuar për stabilitetin e vendit dhe nuk dëshiron të bëhet palë në asnjë përplasje apo konflikt, sepse i humbet gjithë kuptimi dhe vetë filozofia e saj si një forcë politike. Mendoj se vendi është i të gjithëve, pavarësisht se kush ka përgjegjësi më shumë dhe kush ka më pak. Më e pakta që duhet të bëjmë është të përmirësojmë komunikimin publik, sepse është një komunikim shumë armiqësor, tensionues, përjashtues dhe popullim, një fjalë që në këtë kohë më kujtohet gjithmonë e më shumë, që më shumë vret fjala sesa plumbi”. 

Ka edhe një shprehje të bukur të pukjanëve që thonë: “Vetëm trimi nuk e dëgjon këngën e tij”, por të mos shkojmë tek ai skenar. Realisht mendoni se mbajtja e zgjedhjeve më 18 qershor, kështu siç janë punët deri në këto momente, është një opsion i pranueshëm?
“Mbajtja e zgjedhjeve pa opozitën është një hap shumë i madh pas për Shqipërinë dhe për të gjithë, pavarësisht se e ka përgjegjësinë opozita më shumë për këtë gjë apo jo, por në fund fare ky është një problem i madh për Shqipërinë. Gjithmonë më kujtohet z. Granof, të cilin ju e njihni para se Shqipëria të merrte ftesën në anëtarësimin në NATO, sepse ishte një situatë konfliktuale dhe më takon mua, Berisha në atë kohë ishte Kryeministër, Rama ishte në opozitë dhe unë isha në opozitë, më duket… “.

Ishit në opozitë me të dy… 
“Po, porse mbaj mend nëse ishim dy opozita të ndara veç e veç apo ishim bashkë. Unë mbaj mend se jemi takuar me të dhe më tha: “Mos e humbisni këtë rast. Është nisur avioni për t’u ulur në aeroportin tuaj dhe ky rast nuk ju vjen më. Nëse shikon aty poshtë pak tym e flakë dhe nëse dëgjon zhurmë, nuk ulet aty se nuk ka ndër mend të rrëzohet. Do të gjejë një aeroport tjetër të ulet, por kush e di kur do t’i vijë në mendje që të kthehet te ju. Ai, kur të shikojë të hyjmë aty dhe të dëgjojë zhurma, nuk do të pyesë: Kush e kishte fajin? A e kishte fajin Berisha, e kishte fajin Rama apo e kishte fajin Meta?” Aty ishte një gjë që nuk ia vlente të uleshe dhe harrohej për një kohë të gjatë. Kështu që në këtë raport nuk ka rëndësi se çfarë do të thonë nesër në Bruksel ose në Uashington. Natyrisht, ka një rëndësi që fajin e kishte ky apo ai. Shqipëria do të jetë një vend që do të rrezikojë ndjeshëm kredencialet demokratike të fituara deri tani me shumë sakrifica si vend anëtar i NATO-s, vend kandidat në Bashkimin Evropian, vend që i ka të gjitha mundësitë të çelë negociatat. Rruga e integrimit evropian, pavarësisht se mund të jetë qind për qind përgjegjësia e opozitës për këtë që po ndodh, nuk dua të vendos përgjegjësi të tilla, përsëri do të jetë një rrugë që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë dhe mbi të gjitha do të jetë një problem kryesor pikërisht ajo që është më e rëndësishmja: paqja sociale në familjet tona, në vendin tonë, në komunitet tona. Pse? Për një konflikt, i cili më shumë krijohet lart sesa ekziston poshtë midis demokratëve dhe socialistëve, midis të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët luftojnë çdo ditë për qetësi, për siguri dhe për një jetë sa më të mire”.

Kryeministri Rama thotë se zgjedhjet do të mbahen dhe se me opozitën do të shiheni pastaj pas 4 vjetësh. Por realisht një parlament i tillë a mund të ketë legjitimitet, kolegjialitet? Po realisht ose politikisht sa mund t’i rezistonte nevojës për një marrëveshje dhe përsëritjen e zgjedhjeve në një afat tjetër?
“Nuk mund të paragjykoj dhe as dua ta mendoj se do të ndodhë kjo apo do të ndodhë ajo. Unë dua të besoj se do të ndodhë mrekullia. Natyrisht që ajo nuk mund të bjerë nga qielli, por kërkon një rritje të përgjegjshmërisë, të reflektimit të gjithsecilit prej nesh, por zgjedhjet në këto kushte, pa përfshirjen e opozitës, por edhe pa treguar një vullnet, që të përfshihet në një mënyrë të pranueshme, pa dyshim që mund të sjellin pasoja që askush nuk mund t’i parashikojë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë një situatë e tillë dhe nuk është diçka që nderon çdo qytetar të Shqipërisë, pavarësisht se përgjegjësia mund të jetë e shumë pak personave”.

LSI-ja do të marrë pjesë në këto zgjedhje në çdo rast?
“Kjo është një pyetje që i takon kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Vasili, kështu që besoj se do të ketë edhe ai rast të vijë në këtë studio”.
Sigal