Meta në njësinë 10: Qeveria ka bërë reforma të rëndësishme ekonomike

466
Kryetari i LSI-së Ilir Meta zhvilloi të enjten pasdite një takim me banorët e njësisë numër 10 në kryeqytet.
Gjatë fjalës së tij, Meta theksoi se, “opozita që duhet të jetë alternativa e vërtetë e qeverisjes dhe duhet të përfitonte nga eksperienca 8 vjeçare për të qenë e besueshme sot, vjen si një opozitë që vetëm shpif dhe shan. Është për të ardhur keq, vijoi Meta, sepse kjo e bën garën më të thjeshtë për ne, por e bën demokracinë më të afërt”.
Jemi në një garë pa kundërshtarë në kuptimin e plotë të rivalitetit me ide. Kjo ka rrezikun e vetëkënaqësisë duke parë gjendjen në të cilën ndodhet opozita. Të mos biem pre e një euforie të tillë. Ta bëjmë garën me veten”, u shpreh Kreu i LSI-së, Meta.
Me tej ai theksoi se, qeveria ka bërë një sërë reformash të rëndësishme në një pjesë të të cilave ndihet mungesa e opozitës. “Ne nuk besojmë se në 18 muaj kanë ndodhur mrekulli të veçanta, por janë përballur disa rreziqe themelore për ekonominë tonë. Është frenuar një borxh i papërmbajtur, janë shlyer detyrimet publike të papaguara. Janë bërë disa reforma të rëndësishme dhe ca të tjera janë në proces. Në disa reforma ndihet mungesa e opozitës”, tha ai.
“Reforma administrative është madhore sepse ndarja e vjetër ishte pengesë pasi bënte të pamundur përmbushjen e disa detyrimeve të pushtetit vendor. Kjo reformë është përshëndetur nga të gjithë e kërkon pjesëmarrjen tuaj. Në 22 qershor të fillojmë ta zbatojmë këtë reformë”, theksoi kreu i LSI-së, ndërsa vuri në dukje se “situata ekonomike nuk është dhe aq rozë”.
“Efektet e krizës rajonale dhe ndërkombëtare ndihen. Jemi gjithmonë me këmbë në tokë dhe jemi gjithmonë realist por jemi të bindur se jemi në drejtimin e duhur. Ne i kuptojmë vështirësitë e tyre, por zgjidhjet e tyre do të pakësohen duke mbështetur drejtimin e duhur”, theksoi Meta.
Sigal