Meta në Kinë: Përvoja juaj në fushën e bujqësisë dhe administrimit të ujërave, e çmuar për Shqipërinë

438

Sigal

Në vijim të vizitës zyrtare në Republikën Popullore të
Kinës, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë,
Edmond Panariti dhe delegacioni parlamentar që e shoqëron, u takua me Ministrin
e Burimeve Ujore të Kinës, Chen Lei, ku u zhvillua dhe ceremonia e nënshkrimit
të Memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Burimeve Ujore të
Republikës Popullore të Kinës dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
të Republikës së Shqipërisë në fushën e administrimit dhe menaxhimit të
integruar të ujërave.

Gjatë këtij takimi, Meta nënvizoi rëndësinë e përvojës së
çmuar kineze në menaxhimin e burimeve ujore në funksion të zhvillimit të
bujqësisë.

“Përvoja e palës kineze në fushën e bujqësisë dhe
administrimit të ujërave është shumë e dobishme për Shqipërinë, një vend me
burime të shumta ujore dhe me prioritet kryesor për zhvillimin e bujqësisë”,
tha Meta.

Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi nënshkrimin e marrëveshjes
si një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin e të dy vendeve në fushën e
menaxhimit të ujërave, sidomos në drejtim të vaditjes, kullimit dhe
parandalimit të përmbytjeve.

Ministri i Burimeve Ujore të Kinës, Chen Lei theksoi se
Shqipëria është një vend me burime të pasura ujore dhe me potencial të lartë
zhvillimi dhe mirëpriti ftesën e homologut shqiptar Panariti për të vizituar
Shqipërinë duke e siguruar për mbështetjen e plotë të dikasterit që ai drejton.

Ministri Panariti i kërkoi Ministrit të Burimeve Ujore të
Republikës Popullore të Kinës, Chen Lei të dërgojë në Shqipëri një grup
ekspertësh për të vlerësuar situatën e menaxhimit të burimeve ujore në vend dhe
për të ndërmarrë hapat konkretë në zbatimin e memorandumin i cili u nënshkrua
sot nga të dyja palët.