Meta në Gjermani: Ne dëshirojmë më shumë investime dhe projekte, ja fushat ku mund…

470
Gjatë vizitës së tij në Landin e Veriut të Rhine-Vestphalisë të Gjermanisë, Presidenti Meta u prit në takim nga Kryeministri i këtij Landi, z. Armin Laschet. 

Presidenti Meta nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe vlerësoi rëndësinë që këto marrëdhënie kanë jo vetëm për Shqipërinë por edhe për gjithë Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Meta shprehu mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe populli gjerman i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në planin dypalësh, gjatë anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo mbështetje mbetet jetike për hapjen e negociatave me BE-në vitin që vjen.

Z. Meta theksoi se bashkëpunimi strategjik mes dy vendeve duhet të shtrihet në të gjitha fushat dhe jo vetëm në nivel federal, por edhe në atë rajonal, duke nënvizuar mundësitë e bashkëpunimit me Landin Verior të Rhine-Vestphalisë. 

“Ne dëshirojmë më shumë investime e projekte dypalëshe e rajonale me Landin Tuaj, në fushën e ekonomisë, energjisë, infrastrukturës, turizmit, mjedisit e bujqësisë, të cilat do të afronin më shumë Shqipërinë më këtë Land të rëndësishëm të Gjermanisë, si dhe përvojë në shërbime sociale, edukim profesional dhe punësim, u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta falënderoi Kryeministrin Armin Laschet për mikpritjen dhe mbështetjen që i ka ofruar diasporës shqiptare në këtë Land të rëndësishëm në integrimin e tyre në shoqërinë gjermane dhe kthimin e tyre në ura bashkëpunimi dhe faktorë të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe. 
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin Laschet për mbështetjen e tij në organizimin, së bashku me Konsullen e Nderit të Shqipërisë në këtë Land, znj. Anduena Stephan, të Ditëve të Dialogut me Diasporën Shqiptare në kuadër të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. 
Kryeministri Laschet vlerësoi arritjet e deritanishme të Shqipërisë. Ai u shpreh optimist për hapat e mëtejshme drejt Bashkimit Evropian dhe siguroi për mbështetjen e Gjermanisë ndaj Shqipërisë në këtë proces veçanërisht interesin e këtij Landi me Shqipërinë.
Presidenti i Republikës Meta e ftoi gjithashtu Kryeministrin Laschet për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u prit me kënaqësi.
Në takim morën pjesë edhe Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Marrëdhëniet me Jashtë, z. Mark Speich, Ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, z. Artur Kuko dhe Konsullja e Nderit të Shqipërisë në Landin Verior të Rhine-Vestphalisë, znj. Anduena Stephan.
Sigal