Meta: Ndërhyrjet e papërgjegjshme në Kushtetutë, si ndërtesat që u rrëzuan

496
Sigal

Në një intervistë për RTSH, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka bërë një paralelizëm të fortë mes  ndryshimeve të Kushtetutës dhe tërmetit të 26 nëntorit.

Ndër të tjera, kreu i shtetit u shpreh se, “duhet të kuptojmë që themelet e Kushtetutës, për fat të keq, do të më duhet të bëj paralelizëm me tërmetin, janë goditur po aq fort”.

Sipas tij, ndryshimet kushtetuese kanë dëmtuar kontrollin dhe balancën mes pushteteve duke nënvizuar këtu ndryshimet e vitit 2008.

“Ajo që ka ndryshuar dhe që është dëmtuar është një parim serioz i kontrollit dhe i balancës, përmes ndërhyrjeve të papranueshme që ndodhën në prill të 2008-s, ku drejtuesit e dy partive kryesore, për fat të keq me bekimin e disa ambasadorëve, për të kaluar një krizë momentale apo për të plotësuar disa interesa të ngushta partiake, bënë për dy ditë disa ndryshime jashtë çdo procedure dhe rregulli, të cilat vinin në kundërshtim me disa nga parimet kryesore të Kushtetutës së parë dhe të mekanizmave që ajo kishte fiksuar për të mbajtur sa më të qëndrueshëm kontrollin dhe balancën e pushteteve në Shqipëri.

Me lista të mbyllura nga 2008-ta deri tani e kemi të vështirë të flasim për një demokraci të mirëfilltë parlamentare. E shohim sesi deputetët në rresht ngrenë kartonin për të shkelur çdo nen të Kushtetutës edhe në mënyrën më flagrante siç ka ndodhur. Shohim që politika është përqendruar vetëm në disa persona të cilët kushtëzojnë jetën e gjithë të tjerëve, deputetëve apo kandidatëve të mundshëm në për lista apo kryetarëve të bashkive dhe në këtë mënyrë shohim që qytetarët nuk kanë ku të ankohen”, u shpreh presidenti Meta.

Sa i përket thirrjes së tij për referendum, Meta tha se ajo nuk është e vonuar pasi e ka kërkuar këtë gjë vazhdimisht edhe në të shkuarën.

“Unë e kam ngritur në 2008-n madje kur janë bërë këto ndryshime, kur me disa kolegë të tjerë deputetë të forcave të ndryshme jashtë PD-së dhe jashtë PS-së kemi bërë dhe një grevë urie në Kuvendin e Shqipërisë. Ka pasur dhe një forum për mbrojtjen e Kushtetutës në atë kohë, ku merrnin pjesë dhe shumë aktivistë të shoqërisë civile si i ndjeri Andrea Stefani, analisti i njohur Artur Zheji, Sazan Guri e shumë personalitete të tjera.

Në vijimësi unë kam qenë gjithmonë për rishikimin dhe kam thënë gjithmonë që asnjëherë nuk do pajtohem me ndryshimet që u bënë në prill të 2008 në Kushtetutë sepse për mendimin tim ishte një sjellje tërësisht e padenjë për klasën politike, pasi një Kushtetutë që e voton populli ti nuk mund ta ndryshosh për dy ditë e për dy netë. Sepse që në këtë moment themelet e këtij shteti ligjor i ke vënë në diskutim dhe siç ndryshohet për dy ditë, mund ta ndryshosh nesër për dy orë. E vetmja rrugë për ndryshime Kushtetuese do ishte vetëm referendumi sepse vetëm qytetarët mund të vendosnin nëse do të ndryshonin apo jo disa nga ato rregulla mjaft të rëndësishme që ata votuan për të garantuar të drejtat e tyre Kushtetuese dhe parimet kushtetuese me të cilat ndërtohet ky shtet.”, deklaroi Meta.