Meta merr pjesë në Forumin “Shqipëria dhe Serbia drejt një së ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”

445
Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta mori pjesë në Forumin “Shqipëria dhe Serbia drejt një së ardhmeje të përbashkët në Bashkimin Evropian”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare së bashku me Forumin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane për Serbinë.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Hellmut Hoffman, z. Albert Rakipi-Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, znj. Jelica Minic, Presidente e Forumit Qendra për Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Lëvizjes Evropiane për Serbinë, ekspertë për çështjet ndërkombëtare, analistë dhe drejtues të pushtetit vendor.
Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta tha se që nga rënia e regjimit të Milosheviçit, në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë, ka nisur një fazë e re. Z. Meta theksoi se dinamika e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet të ishte shumë më e fortë.
“Që nga momenti ku Milosheviçi u largua dhe Serbia nisi një fazë të re, kur po bëhen gati 16 vite, nuk jemi aty ku duhet të ishim sepse jemi ende peng të viteve të së kaluarës, të sjelljeve tipike që janë pasojë e luftës së ftohtë. Dhe mendoj që për dy vendet që e kanë realisht sot objektiv integrimin evropian, dinamika e kësaj marrëdhënie duhet të ishte shumë më e forte, shumë më e qëndrueshme. Ka një ngadalësi në gjithë krijimin e kuadrit ligjor në marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk janë nënshkruar ende, nuk janë miratuan apo ratifikuar as gjysma e marrëveshjeve që janë propozuar nga Shqipëria në vitin 2002, që është krejtësisht jo normale, kur interesi është i përbashkët dhe kur nuk ka një arsye pse të vononin”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit u shpreh se politika duhet t’i japë një rol më të madh të rinjve në të dy vendet.
“Mua më ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme në kohën kur ndodhi ndeshja e futbollit në Shqipëri dhe një pjesë e mediave serbe kërkonin të krijonim incidente të pa ndodhura, ndërsa studentët nga Serbia që erdhën për të parë ndeshjen këtu, kur u pyetën nga mediat serbe dhanë përshtypjet më të mira dhe përgënjeshtruan atë propagandë të papërgjegjshme që ishte bërë për të krijuar një atmosferë të paqenë. Të rinjtë padyshim janë më pa komplekse dhe nuk janë të ngarkuar me historitë e të kaluarës. Kështu që unë besoj se ne jemi në një rrugë të drejtë dhe jemi në një rrugë të mirë, por kemi një shpejtësi që lë për të dëshiruar”, tha z. Meta.
“Më pëlqen shumë një thënie e Felipe Gonzales i cili thoshte se e ardhmja nuk është më ajo se ç’ishte sepse edhe e ardhmja ka dinamikën e saj. Ndryshe e shikonim të ardhmen para 25 vitesh, ndryshe e shikojmë sot. Në këtë kontekst, e ardhmja e Shqipërisë dhe e Serbisë natyrisht nuk është më ajo që është. Para 25 vitesh ne përpiqeshim si Shqipëri, sepse kishte rëndësi për sistemin propaganda, legjendat e trashëguara që demonizonin Serbinë sepse kjo ishte për të mbijetuar vetë dhe për t’i dhënë forcë gjithashtu vetes, por edhe për të siguruar unitetin e brendshëm kundër një armiku që çdo ditë punonte kundër nesh.Besoj se kjo gjë, nga kjo sindromë ka vuajtur edhe Serbia, edhe popuj të tjerë të Ballkanit sepse kjo ka qenë koha. Ndërsa tani bota ka marrë dimensione të tjera”, shtoi z. Meta.
Kryetari i Kuvendit tha se vendet mund të faktorizohen jo duke e demonizuar njëri-tjetrin, por përkundrazi, vetëm duke bashkëpunuar. “Dhe në këtë drejtim marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbisë marrin një rol shumë të madh sepse nuk janë thjeshtë marrëdhënie midis Shqipërisë dhe Serbisë, por janë marrëdhënie më të gjerë që reflektojmë midis shqiptarëve dhe serbëve kudo në rajon, por edhe më gjerë, shqiptarëve dhe sllavëve”, tha z. Meta duke shtuar se tashmë ndërgjegjësimi është arritur, por shpejtësia e absorbimit të kësaj filozofie dhe angazhimi për rezultate praktike konkrete, duhet të jetë shumë më i madh dhe shumë më i gjerë.
“Prandaj është shumë e rëndësishme këto të mos mbeten thjeshtë marrëdhënie midis qeverive, midis institucioneve, por të jenë marrëdhënie shumë më të gjera. Duhet t’i shumëfishojmë këto kontakte, duhet t’i shumëfishojmë këto marrëdhënie sepse jemi viktima të miteve të trashëguara, të legjendave. Unë besoj se në ketë drejtim ne duhet të çlirohemi nga shumë mite. Mendoj që duhet të bëjmë shumë më tepër sepse 16 vite nuk janë pak. Nuk duhet të presim edhe 16 vite të tjera sepse dinamika ecën shumë më shpejt . Interesat janë shumë më të mëdha, shumë më konkrete, shumë më të mprehta. Duhet ta bëjmë sot dhe jo nesër”, tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit shprehu mbështetjen për këtë iniciativë të përbashkë. 
“Ne kemi grup miqësie në Parlamentin tonë me Serbinë. Edhe Serbia ka patur grup miqësie dhe besoj se do ta rikrijojë me parlamentin e ri. Kryetarja e Parlamentit të Serbisë ka qenë për vizitë në vendin tonë edhe unë mezi po pres të bëj një vizitë në Beograd si Kryetar i Parlamentit. Por e theksoj edhe një herë, me të rinjtë duhet të punojmë më shumë sepse ata ecin më shpejt në këtë drejtim dhe atyre u intereson vetëm e ardhmja, nuk u intereson aspak e kaluara dhe historitë që ne kemi dëshirë ndonjëherë edhe të dëgjojmë, edhe të tregojmë. Jemi në një kohë ku produktiviteti është mjaft i rëndësishëm dhe cilësia e marrëdhënieve duhet të jetë një pjesë e pandërprerë mirëbesimi sepse në fund të fundit mendoj që rajoni është bërë shumë më i vogël se sa ka qenë dhe vetëm duke bashkëpunuar ne mund të faktorizohemi, jo vetëm Shqipëria me Serbinë, por të gjithë vendet e tjera. Këtu besoj se shoqëria civile ka përparësi se nuk ka komplekse, nuk ka interesa të ngushta politika, por edhe nuk votohet. Ndonjëherë ata që votohen, edhe frenohen”, shtoi z. Ilir Meta.
Sigal